Kisha e të Shëlbuemit, “si të ishte vendosur nga dora e ndonjë vigani të madh”

Pak kilometra tej Urës me Harqe ose ndryshe e njohur si “ura e Zogut”, ndërtuar në kohën e mbretërisë, para se të shfaqet i plotë dhe i vogël, qyteti i Rubikut, vërehet së largu kishëza mbi mal. Mbi shkëmbin e bardhë e të veçuar, duket madhështore Kisha e të Shëlbuemit e Rubikut. Siç e ka përshkruar një famullitar austriak i viteve 1900, ajo duket “si të ishte venue nga dora e ndonjë vigani të madh”.

Majë shkëmbit, ndërtesa e vjetër të përshëndet me kryqin e saj, sapo i afrohesh qytetit.

Kisha para 900 vjetësh si kuvend benedikti, më pas kalon në duart e françeskanëve. E rrënuar disa herë dhe sërish e ringritur, ajo vjen si dëshmia e tempulli të shenjtë nga kohët e vjetra.

Në një shkëmb të kishës ka gdhendur emrin e tij Gjeçovi. Po aty, ka zbritur dhe muza e Gjergj Fishtës poet. Kisha ruan dhe dëshmi e ditarë historikë nga priftërinj të huaj e shqiptarë. Prifti atdhetar Prend Doçi, abati i njohur, ka shërbyer në kishën e Rubikut, që është monument i hershëm i kulturës romanike, përcjellë me vlerat autentike të krishtërimit të hershëm në Mirditë e më gjerë.

Nisur nga kjo dhe pozicioni i vendosjes si përmbi një ballkoni natyror, dhe për faktin tjetër që m’u në këmbë të këtij shkrepi, ishte ideuar dhe përvijuar projekti i korridorit të Veriut, Durrës-Kosovë, që rri mrekullisht përfund luginës së quajtur si “një ndër më të bukurat e botës”, (bëhet fjalë për luginën e Fanit), në rrethe të ndryshme intelektuale a të tjerë qarkulloj ideja që në atë pozicion aq interesant dhe dominues me shikueshmëri në një perimetër të largët të vendosej një kryq gjigant fosforishent, çka do të dëshmonte dhe besimin homogjen të kësaj krahine, katolicizmin.


Klerikët e famullive dhe abacive të Mirditës, qenë jo vetëm misionarë apostolikë të katolicizmit, po dhe hulumtues të zellshëm të vlerave arkeologjike, historike, etnologjike, folklorike, gjuhësore të trevës. Institucionet e kultit ku ata shërbyen mes një populli me sakrifica të çfarëdollojshme qenë jo vetëm tempuj të besimit, por u shndërruan dhe në tempuj të dijes, shkencës, kulturës, letërsisë etj. Në famullitë e largëta të maleve mes librave liturgjikë, Biblës, ungjijve dhe kanonikëve fetarë gjeje abetare, gramatika e fjalorë të shqipes, dorëshkrime për të drejtën dokësore, folklorin etj.

Shumë prej mësuesve të shkollave shqipe të krahinës ishin priftërinj, ata shpinin përpara traditën e shquar që e kishte zanafillën me Gjon Gazullin, Pal Ëngjëllin, Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin, Lekë Matrangën e Pjetër Bogdanin.

Mirdita ka qenë vendi ku agresioni turqizues i shqiptarëve është përballuar me penë e pushkë. Nëse dhuna otomane në dy shekujt e parë të sundimit e shpërbëri unitetin e Dukagjinasve, nuk e bëri dot me Mirditën, mirditasit nuk e pranuan kundrejt çdo lloj çmimi sistemin e timareve apo ndërrimin e besimit. Ata i shpëtoi në një farë mënyre edhe aparati vetëqeverisës i tyre, por dhe konstitucioni shpirtëror i tyre. Paqja në mes “ishullit katolik-Mirditë” dhe perandorisë osmane nuk u vendos asnjëherë, ndoshta vetëm kompromise pati. Sheriati turk asnjëherë nuk e zëvendësoi Kanunin e Maleve, edhe pse gjatë sundimit turk kisha katolike kaloi privacione të panumërta, u dogj dhe u masakrua. Por edhe pse pas pushtimit turk ishin shkatërruar rreth 30 seli ipeshkvore dhe vrarë e masakruar dhjetëra priftërinj e rregulltarë dhe ishte arritur në islamizimin e padëshirë të dy të tretave të popullsisë shqiptare, përkundër dëshirës së tyre, asnjëherë nuk u arrit në luftë fetare në mes njëri-tjetrit, pikërisht për shkak të kuptimit historik dhe tolerancës ndër shqiptarë.

Ndaj dhe Konica vinte në dukje se “shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe mbase, ky është i vetmi vend ku nuk ka pasur luftra fetare”.

Një ndër studiuesit e historisë së zonës, Ndue Dedaj, ka sjellë një tablo kronikane shumë interesante, të Mirditës së gjysmës së shekullit të XIX, për të parë sesi parimet e Turqisë për të penguar përparimin dhe konkurrimin kulturor të popujve të krishterë zhvirgjëroheshin në realitetin e ashpër të Mirditës së paeupur.

… Në vitin 1852, kapelan i ushtrive të Mirditës ishte prifti i Fanit Dom Nikoll Shaluri dhe më pas Dom Nikoll Bjanku. Më 1857-ën, princi Bib Doda do të siguronte statusin e pashait të parë tëkrishterë. Në vitin 1859, ndërsa ushtarët turq vijonin plaçkitjet e kishave dhe thyerjen e kryqeve, besimtarët mirditas të mbështetur nga Austri Hungaria përuronin disa kisha të rrënuara. Më 1862-shin udhëheqës të Kryengritjes së Mirditës ishin klerikët Gaspër Krasniqi dhe P. Dodmasej. Më 1862 valiu i Shkodrës E. Pasha ndodhej vazhdimisht në marrëdhënie të këqija me malësorët, brenda vitit 1873 në Shkodër do të ndërroheshin 5 valinj. I pesti, Shefqet Pasha (për herë të dytë në atë post) ndërmerr një ekspeditë ndëshkimore ndaj Mirditës, pasi kjo nuk i bindej dhe duke bërë zakonin e vjetër nuk i paguante taksat. Lumi i Kirit kishte shtuar shumë dhe trupat ushtarake nuk i kalonin dot ujërat e turbullta. Po zemërimi i valiut Shefqet ishte më i papërmbajtur se ai i lumit të rrëmbyer. Për t’ua provuar trupave se lumi kalohej por ato ishin frikacakë u hodh vetë mes dallgëve dhe mbeti aty. Vetëm atëherë zemërimi i tij me Mirditën u shua. Qeverisë së rënë në zi iu desh të kurorëzonte valiun e gjashtë të Shkdorës brenda një viti.

Nga ana tjetër, mund të sillen dhe disa të dhëna shumë sinjifikative në fillim të viteve ’30, kur kisha shqiptare qe e organizuar në 6 dioqeza, kryeipeshkvia e Shkodrës njëlloj kryeqyteti i krishtërimit shqiptar me 10 mijë katolikë, 29 famulli dhe 30 meshtarë; kryeipeshkvia e Durrësit, ipeshkvia e Sapës, e Pultit, e Lezhës dhe Abacia Nullius e Mirditës me varësi të drejtpërdrejtë në Vatikan. Abacia numëronte rreth 16 mijë katolikë, 16 famulli dhe 13 meshtarë.Por Mirdita si qëmoti shquhet për tolerancë fetare të jashtëzakonshme, këtë e tregon më së miri edhe prania e dy besimeve brenda të njëjtës familje në disa rajone të saj si selitë e gjetkë, apo kumaritë në familjet e dy besimeve. Përgjithësisht, besimtari mirditas ishte i kultivuar në ritet dhe kremtet fetare, duke mos shfaqur zell të tepruar dhe aq më pak fanatizëm. Pikërisht te mungesa e këtij zelli dhe fanatizmi të tepruar duhet kërkuar dhe mënyra e të sjellurit të sotëm me besimin fetar katolik te mirditasi i kohëve moderne, sepse besimi nuk shprehet në sa kryqe rrokaqiejsh mund të ngresh nëpër male, për më tepër, kur dashje pa dashje, përzihet dhe ngacmimi i ndjenjës fetare të tjetrit. Simboli multifetar i ngritur në hyrje të Mirditës, flet shumë për virtytin e bashkëjetesës në këto 28 mijë kilometra katrorë të pakta që kemi nën qiellin ku jetojmë, më së pari, si shqiptarë.

***

Kisha e Shëlbuesit tejet të Shenjtë në Rubik është shumë e lashtë dhe shpeshherë e restauruar. Dikur, aty ishte kuvendi Benediktin. Në kishë ende ekzistojnë afreske të vjetra të kohës së tyre.

Në vitin 1754 kishën e restauroi Fra Michele Giuliano, i Prov. së Napolit, e në vitin 1836 Fra Mateu Radoš nga Prov. e Bosnjës. Hospicin e riparonin Fra Bonaventura nga Acquaviva (në v. 1843) dhe Fra Dario Buccarelli (në v. 1856).

Në vitin 1886 atje u tërhoq Fra Anastasio Vincenzoni. Ai dhe Komisari, Fra Augustin Zubac, me ndihmën e Austro-Hungarisë, në vitin 1897 e ripërtërinë kishën dhe rindërtuan kuvendin, kështu që më 17. 04. 1898 në të u hap Noviciati i parë në atdhé, i cili mbeti atje deri në vitin 1921. (Pastaj deri në vitin 1946 Noviciati kaloi në Troshan.)

Pas mbylljes së kishave (në vitin 1967) kisha, kuvendi dhe rrethi i tyre u bënë zonë ushtarake. Me kthimin e lirisë së fesë në vitin 1991 u hap rruga deri në kishë, por ushtria qëndroi aty deri në kohën e rrëmujës së madhe në Shqipëri, në vitin 1997.

Famullinë e Rubikut, zakonisht e kanë shërbyer fretërit e Laçit: më së shumti Fra Ferdo Boban dhe Fra Vlatko Soldo (të dy nga Hercegovina). Në kohë të fundit (në vitin 2013) Provinca ia dorëzoi Rubikun ipeshkvit për 10 vjet e pastaj, prapë do të jetë në kujdesin e fretërve.

ObserverKult

LEXO EDHE: Kisha e Thethit, ndalesa që bekon turistët drejt bukurive të Alpeve Shqiptare