Po ndajmë me ju intervistën e fundit të Moikom Zeqos, dhënë gazetares Julia Vrapi për gazetën SOT.
Arkeologu dhe studiuesi i njohur Moikom Zeqo shprehet me kritika për çfarë po ndodh me Planin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit. Arkeologu i njohur flet me kritika për institucionet, që sipas tij nuk janë shkencore dhe më tepër shikojnë propagandën. Në intervistën për “SOT” arkeologu, duke u ndalur në qytetin e Durrësit thotë se në këto 30 vjet është qyteti më i shkatërruar nga pikëpamja arkeologjike.
Sipas tij, zona arkeologjike A dhe B është konceptuar nga arkeologët dhe nuk është një çështje e Ministrisë së Kulturës, as e Bashkisë së Durrësit dhe as e një fondacioni. Për arkeologun Moikom Zeqo, Ministria e Kulturës nuk e ka tagrin shkencor arkeologjik për tu marrë me këtë çështje dhe as Bashkia e Durrësit. Në qëndrimin e tij arkeologu Moikom Zeqo thotë se gjenerata e arkeologëve të vjetër nuk përfillet, nuk është marrë fare në konsideratë për këtë çështje, ashtu siç nuk u mor në Butrint apo në Bylis.
-Ministria e Kulturës, Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim dhe Bashkia Durrës nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, që ka për qëllim hartimin e Planit të Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit (2021-2027) si dhe krijimin e TID Durrësi. Pse jeni shprehur me kritika për çfarë po ndodh?
Durrësi këto 30 vjet ka qenë qyteti më i shkatërruar nga pikëpamja arkeologjike. Zona arkeologjike A dhe B është konceptuar nga arkeologët, nga Instituti i Arkeologjisë, Muzeu Arkeologjik në Durrës, bërthamat arkeologjike që lidheshin me Tiranën, që kishin bërë dhe hartën e zonifikimit A dhe B të Durrësit. Kjo nuk është një çështje e Ministrisë së Kulturës. Ministria e Kulturës është një institucion shtetëror për kulturën, nuk është një çështje as e Bashkisë së Durrësit, nuk është një çështje as e një fondacioni për të cilin e kam kritikuar për Butrintin. Këtu janë mënjanuar arkeologët tek puna, që duhet me planin. Arkeologët ose Instituti i Arkeologjisë duhet të ishte rikonceptuesi dhe ripasuruesi për të ardhmen, për zonën arkeologjike A dhe B në qytetin e Durrësit. Zona A dhe B, si dhe ligji shqiptar që ekziston që para viteve ‘90 për zonifikimin arkeologjik të Durrësit, që e shpallën nëntokën e Durrësit pasuri kombëtare. Ky ligj nuk është se nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston, por ky ligj nuk u mor parasysh fare gjatë këtyre viteve të fundit. E dyta që është më e rëndësishme, Ministria e Kulturës nuk e ka tagrin shkencor arkeologjik për tu marrë me këtë çështje, as Bashkia e Durrësit që ka gjynahe tragjike dhe kolosale ndaj arkeologjisë në Durrës. Është Bashkia e Durrësit, e cila në mënyrën më brutale, më antiprofesionale dhe më antiarkeologjike gjatë këtyre viteve të fundit ka dëshmuar, që duhet çuar në gjyq për të dhënë llogari për shkeljet e mëdha, si dhe shkatërrimin e zonifikimit A dhe B. Ky zonifikim A dhe B nuk u respektua fare gjatë këtyre 30 viteve, kështu që ç’punë ka bashkia në një problem të madh shkencor? Durrësi nuk është një problem i madh kombëtar, por është një problem i madh shkencor ndërkombëtar, sepse është qyteti më i vjetër arkeologjik që në shekullin e VII para erës sonë në krejt vijnë lindore të detit Adriatik, dhe është struktura urbane më e vjetër në Shqipëri. Së treti, ç’punë ka një fondacion gati anonim, por që është klientelist i qeverisë shqiptare dhe i ministrisë të merret me strukturimin aq më tepër me kërkime arkeologjike ose të përcaktojë të ardhmen e zonës A dhe B? Të gjitha këto janë antiligjore për mendimin tim. Nuk ka një strukturë ligjore, e cila do ti jepte këtij problemi të madh atë që e ka ky problem, statusin shkencor. As ministria as bashkia nuk merren dot me statusin shkencor, sepse janë institucione të dalë nga politika. Po as një fondacioni i huaj, që s’ka lidhje me Shqipërinë nuk mund të merren me këtë çështje. Tani unë bëj një pyetje, tërë gjenerata e arkeologëve të vjetër të Durrësit nuk përfillet, nuk është marrë fare në konsideratë për këtë pikë ashtu siç nuk u mor në Butrint, ashtu siç nuk u mor në konsideratë edhe në Bylis. Janë përjashtuar në mënyrë brutale nga të ashtuquajturat Ministri të Kulturës apo pushtete vendore apo fondacione të huaja. Unë këtë nuk mund ta kuptoj dot dhe nuk e konceptoj dot.
-Për ministrinë për hartimin e një vizioni të ri për Durrësin, për këtë qytet me potencial të jashtëzakonshëm kemi një kornizë të shëndoshë ligjore, që jep mundësinë për të qenë të saktë në hapat që do të ndërmerren, ku i parë është pikërisht një plan menaxhimi i integruar për trashëgiminë kulturore. Ju si e shikoni këtë?
Cili ligj i trashëgimisë? A nuk qe këto vite, dhe ku krimi më i madh është në qytetin e Durrësit. Në qytetin e Durrësit nuk u ruajt Porta e Artë e rrugës Egnatia. Tek ish-Shtëpia e Pionierit, që ka qenë dhe pallati i Princ Vidit, gjatë një prishjeje të pakuptimtë të kësaj ndërtese, e cila duhej ruajtur me doemos, u zbulua Golden Gate (Porta e Artë) e rrugës Egnatia. Kjo ishte porta e trefishtë, ku fillonte rruga Egnatia nga Durrësi në Konstandinopojë. Porta në qendër, qe e madhe për të kaluar karrocat dhe kalorësit, dy porta anash më të vogla për të kaluar këmbësorët. Por krimi më i madh më i përbindshëm, që ka ndodhur është prishja e lagjes antike të Durrësit te ish lulishte “1 Maji”, ku u bënë ndërtime kitch të shëmtuara dhe kjo u “bë” në bazë të rregullave të ministrisë, të Institutit të Monumenteve të Kulturës që ishte në atë kohë dhe të Bashkisë së Durrësit. Tashmë kjo pasuri që ishte e njëjtë me pasurinë që mund të krijonte një lagje e Pompeut të famshëm në Itali, që do të ishte atraksioni më i madh për turizmin e qytetit të Durrësit duhet të ruhej. Të gjitha këto bëhen gjoja në emër të disa parimeve juridike, por që kundërshtojnë në thelb vënë në kontradiktë të thellë dhe statusin shkencor të nëntokës arkeologjike të Durrësit, si dhe të zonifikimit A dhe B.
-Ju thatë që janë përjashtuar dhe arkeologët nga kjo që po ndodh. Çfarë sjell kjo sipas jush?
Unë nuk besoj fare, që një Ministri Kulture të menaxhojë anën shkencore arkeologjike, nuk ka sens. Ne i kemi ministritë tona të gjitha të djathta dhe të majta këto vite subjekte propagandistike dhe aspak shkencore. Është një nga format e propagandës marramendëse të këtyre viteve dhe jam i bindur që qyteti arkeologjik i Durrësit, i cili është goditur për vdekje këto 30 vjet në mënyrën më të pabesueshme, më barbare, më të egër, nuk mund të bëjë asnjë mea culpa as të korrigjojë diçka. Çfarë të korrigjojë? Të korrigjojë prishjen e lagjes, që u gjet tek ish lulishtja “1 Maji”? Si mund të korrigjohet një gjë e tillë? Shkatërrimi i monumenteve nuk ka korrigjim. Kjo ministri për mendimin tim, por dhe Bashkia e Durrësit duhet vënë në ndjekej penale të shkeljes së ligjeve shkencore shqiptare për arkeologjinë. Unë jam shumë i zhgënjyer nga kjo lloj praktike, sepse kam jetuar gjithë jetën time si arkeolog në Durrës bashkë me kolegët e mi. Pyesni përshembull kolegun tim Neritan Ceka, ata që janë njerëz profesionistë mund ta kuptojnë shumë më drejtë çështjen e të ardhmes së një shteti, që ia ke shkatërruar këtë të ardhme dhe ka një madhësi shkatërrimi, kërkon të bësh një propagandë që ne po bëjmë diçka për menaxhim. Plani duhet të ishte siç ka qenë më parë, zonifikimi i zonës A dhe B është bërë nga ne nga arkeologët në terren dhe zonifikimi ka zonën A dhe B. Kjo do të ishte projekti shkencor i Institutit të Arkeologjisë dhe i Akademisë së Shkencave dhe vetëm këta kanë të drejtën institucionale të merren seriozisht me këtë çështje. Nuk kanë të bëjnë fare sektorët e tjerë të shtetit, në mënyrë të veçantë nuk ka të bëjë Ministria e Kulturës për këtë që po flasim.
-Ju pohoni probleme, por ministria vlerëson se menaxhimi i integruar i Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit, do të kontribuojë edhe në promovimin të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti?
Promovim të trashëgimisë ata quajnë propagandën. Shumë objekte, që u zbuluan gjatë hapjes së lagjes antike në Durrës duhet të kenë botime shkencore. Këto botime duhet të ishin tagri i Akademisë së Shkencave. Fuqia e Akademisë së Shkencave duhet të ishte absolute në këtë rast. As e përmend njeri Akademinë e Shkencave, as e përmend njeri Institutin e Arkeologjisë për këtë që po bëhet në Durrës. Kjo që po bëhet me këtë plan dhe ata që janë përfshirë, është një gabim konceptual që do ti kushtojë shumë të ardhmes jo vetëm të Durrësit, por dhe të Shqipërisë. Vetëm një botëkuptim diletantësh dhe të institucioneve që janë propagande, që nuk kanë të bëjnë fare me shkencën e arkeologjisë, këto gjëra nuk kanë lidhje fare me arkeologjinë e Durrësit aq më tepër Bashkia e Durrësit, që duhet penalizuar për gabimet që janë bërë gjatë 30 viteve. Durrësi në këto 30 vite është grabitur, ndërtime pa leje, janë bërë zbulime natën dhe janë mbuluar, janë bërë krime të mëdha arkeologjike.
-Në Durrës keni punuar me vite, a jeni thirrur nga Ministria e Kulturës gjatë kësaj kohe për problemet me arkeologjinë apo projektet që ndërmerren?
Nuk kam pasur asnjë ftesë nga Ministria e Kulturës për këto çështje. Nga arkeologët e vjetër kemi mbetur vetëm dy, Neritan Ceka që është personalitet i madh në fushën e arkeologjisë dhe unë që asnjëherë nuk jemi ftuar në konsulta, as për të bërë ndonjë vendim modest ose si njerëz që kanë pasur përvojë, dhe ajo nuk është pak por është një jetë e tërë. Mua më zhgënjejnë shumë këto lëvizje të qeveritarëve diletantë. Janë diletantë dhe nuk kanë të bëjnë fare me shkencën e arkeologjisë.
-Ju keni qenë jo pak kritik për arkeologjinë në vend, që nuk ndihmohet nga shteti. Çfarë sjell kjo?
Shkenca e arkeologjisë shqiptare ka marrë goditje shumë të rëndë. Sa i përket monumenteve të trashëgimisë kulturore në mënyrë të veçantë të arkeologjisë nuk ka asnjë perspektivë, nuk ka asnjë mënyrë që të ketë një lloj shprese për monumentet e trashëgimisë në përgjithësi. E përsëris, kemi një kontradiktë midis shkencës së arkeologjisë nga njëra anë dhe institucioneve diletante të shtetit shqiptar. Në mënyrë të veçantë të Ministrisë së Kulturës, që nuk e ka idenë fare se çfarë është arkeologjia në Shqipëri, përveç anës së propagandës.
/Ora News.tv/