Petrit Ruka: Kjo tokë quhet Shqipëri. Është e jona…

Petrit Ruka

Kjo tokë quhet Shqipëri. Është e jona.
Qysh atëbotë që u krijua
Mbi kokën tonë hëna.
Vure dorën mbi të të ndjesh si derdhen
Përrenjtë e të vdekurve nga brenda.

Këta janë ullinjtë tanë moshatarë me detin,
Që flasin ilirisht me lumenjtë
Mbrëmjeve të prillit.
Nën ta vinin e çlodhnin
Mushkëritë e nxira nga bloza
Perënditë e kthyera nga Trojat e hirit.

Në cilin prej tyre (që bën ende lule dhe kokrra)
Ka lidhur elefantin Pirroja i Epirit?!

Ja dhe arat tona sa shamia e xhepit,
Bokërrima të thinjura nga uria dhe etja.
I mbillnim me misër,
Dhe mbinin lotë,
Dhe korrnim ëndrra….

Anash malet,…Ah, mali –
Vëllai ynë i madh,
Që na mbajti frymën gjallë.
Secilit nga ne po t’i çash më dysh zemrën
I gjen patjetër një mal…

Pastaj mbi ta fshatrat e përhimtë kaçakë,
Kokëshkretë pas lirisë,
Drerë të egër nën yje.
Asnjë qeveri s’i hodhi dot në hartë,
Nuk ua numuroj dot djepet
Dhe varret në pyje.

Përsipër qiejt të larë me diell
Të mbushur me frymën e motakëve tanë,
Nëpër këtë frymë motakësh
Sa herë armiqtë
Në vend të pëllumbave na dërguan aeroplanë.

Kjo tokë është e madhe, e sertë, plot humnera,
Në hartë të gënjen kur duket sa një thua,
Po ti që nisesh për rrugë,
Kujdes, mos u nis,
Pa hedhur një amanet mbi shpatullat e tua….

1985

*Titulli i origjinalit: “Shqipëria”

ObserverKult

————————————

lexo edhe:

ARTAN GJ. HASANI: NE EDHE MUND TË PUTHEMI BASHKË…

ZHITI: NUK PO LËMË NJË SHQIPËRI MË TË MIRË PËR BREZIN E ARDHSHËM, DUHET…