Koçi Petriti: Këngë suljote

Gjoli me gishtrinjt’ e erës
Leshrat-dallgë ngre.
Dallg’ e gjolit plot potere
Rreh kalanë, rreh…

Brënda, lidhur këmb’ e kokë
Hesht “rebeli”, hesht.
– Hej, harbut – halldupi thotë,
Ë, s’të shtyp si plesht?

Katër hapa larg prej robit
Pret suljoti tjetër,
Katër sy, si pend’ e korbit,
Nxijn’ e shkrepin egër…

Katër vetulla të trasha
Prekin dy qeleshe…
– Vraje hasmin! – e shtyn pasha,
Heshtje, prapë heshtje…

– Shkulja zemrën, ngulja shpatën,
Hë… se s’pres më gjatë!
Ky ta vodhi gruan natën,
Ky ta vrau tët atë…

– S’dua! – pshoi suljoti prerë,
Zgjidhe, frikë s’kam,
Ja ta ther, ja të më therë,
Veç në sheshmejdan.

Dor’ e turkut ngriu mbi mjekër,
Pamja krejt iu pre,
Prap’ kafshoi pa dashur egër
Fillin e mustaqeve…

Gjoli me gishtrinjt’ e erës
Leshrat-dallgë ngre,
Vrer’ i gjolit plot potere
Rreh kalanë, rreh…