Nga Fazli Hajrizi
Jusuf Buxhovi ka kohë që ka krijuar individualitetin e tij të qëndrueshëm artistik, prandaj sot është njëri ndër shkrimtarët tanë më të njohur, një ndër zërat më të veçantë, më të artikuluar e më të konsoliduar në letërsinë tonë.
Deri më tash ka botuar rreth tridhjetë e pesë vepra: tregime, novela, drama dhe kritikë letrare. Kështu, veprat e tij, në përgjithësi, janë cilësore dhe shquhen për problematikën që rrahin, për mjeshtërinë e lartë, për vizionet moderne, idetë e mesazhet universale që përçojnë, thellësinë e mendimeve dhe polivalencës sugjestive të fjalës e figurës.
Shumë sosh, sidomos romanet, me të drejtë radhitën ndër të arriturat më të rëndësishme të prozës sonë. Disa vepra të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, ndër to duhet dalluar romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.
Jusuf Buxhovi është afirmuar si shkrimtar, kryesisht si prozator, qysh në fillim të viteve ’70. Që nga ajo kohë fjala shqipe ka gjetur mjeshtrin e vërtetë e besnik, i cili nuk iu shqit artit asnjëherë.
Ai vazhdon të shkruajë pa reshtur vepra letrare dhe historiografike, botimi i të cilave vazhdimisht zgjon interesim të jashtëzakonshëm tek lexuesit e kritika letrare, ndërsa, tash në vitet e fundit, ka zgjuar vëmendjen edhe te specialistëve të shkencës së historisë.
Duke qenë se ka jetuar periudha interesante të mbushura me ngjarje të ndryshme dhe, duke qenë se ka mbaruar studimet për letërsi, pastaj ka specializuar në histori, ato i ka transponuar me mjeshtëri artistike kryesisht në prozë e në dramë.
I pajisur me një përvojë të madhe historike dhe letrare, me njohuri të gjera e të thella nga letërsia, historia dhe fusha të tjera, ky autor ka shkruar vepra të mrekullueshme artistike, disa prej të cilave, siç theksuam më lart, shënojnë majat e artit e të kulturës sonë.
Këtë e dëshmon edhe romani i tij i sapo botuar “Jeniçeri i fundit” (2013), një vepër origjinale me vlera të shumta artistike, madje mund të themi një kryevepër ‘sui generis’ në letërsinë tonë, që manifeston një opozicion ndaj standardeve tradicionale. Autori është mjeshtër i depërtimit në mentalitetin dhe në jetën shpirtërore të shoqërisë.
Ai ka arritur të prishë disa kufij tradicionalë midis shtresave të ndryshme strukturore, midis fjalës së autorit dhe asaj të personazheve, midis dialogut dhe monologut etj. Romani është vepër mjaft komplekse me shumë shtresa: estetike, filozofike, historike, etnografike, etike etj., prandaj mund të themi se është ndër romanet më të mirë e më universalë të këtij autori.
Krijimtaria e J. Buxhovit, në përgjithësi, ka ngarkesë të madhe filozofike. Kështu, edhe në themelet e romanit “Jeniçeri i fundit” gjejmë një varg problemesh me ngarkesë filozofike që janë si rrjedhim i një përvojë të mbështetur në mendimin filozofik.
Kjo është arritur përmes rrugëve të ndryshme ku autori shfaq mendime përgjithësuese, përvojën, mësime nga filozofia e jetës etj. Në planet e veta krijuese autori e ka konceptuar këtë vepër si roman historik-filozofik.
Që në faqet e para kuptojmë se autori sikur nuk ka indikacione që ta çojë përfytyrimin e lexuesit te ngjarjet e vërteta historike, mirëpo episodet tregojnë njëfarë afrie me to.
Megjithatë, mund të themi se ai ka rikrijuar artistikisht thelbin e historisë Trajtimi që iu bën ngjarjeve historike, është kryesisht qëndrim subjektiv i autorit, i cili gjatë rrëfimit përdor një kod të veçantë ligjërimor, atë metaforik, alegorik, metonimik e herë-herë edhe përshkrues.
Romani është një vepër që shquhet gjithashtu për drama, konflikte, ide, kontraste të fuqishme midis palëve antagoniste të papajtueshme që i japin rrjedhës së ngjarjeve ritëm e tension të veçantë.
Që në fillim është me rëndësi të theksojmë se periudha historike osmane, me pesë shekujt e vet të sundimit, ka zgjuar interesimin e përhershëm të shkrimtarit J. Buxhovi. I gjendur para kësaj epoke me plot dritëhije, si para një “labirinti”, ky autor e ka kërkuar vazhdimisht rrugëdaljen përmes arketipit të fiksionit letrar.
Ashtu sikurse në disa vepra të tjera të mëhershme të tij, ku kufiri mes historiografisë dhe letërsisë është shumë i ngushtë, edhe në këtë roman autori ka arritur që rrëfimin letrar ta konceptojë mbi argumentin historik, duke i dhënë pastaj, siç theksuam më lart, edhe ngjyrimin e duhur artistik e filozofik.
Kështu, me gjuhën e personazhit kryesor, ai ka arritur të shkrijë në mënyrë harmonike dijet e ndryshme, dijet e lashta me këto të kohës sonë, sidomos ato nga fusha e gjuhës, e letërsisë, e historisë dhe filozofisë.
Përmes zërit rrëfimtar krijohet mundësia e hetimit dhe e vështrimit të ngjarjeve në një fokus të shumëfishtë. Për lexuesin mbetet gjithmonë i hapur deri në fund horizonti i pritjes, i papritur dhe i lëvizshëm njëkohësisht.
Jusuf Buxhovi kap një moment nga historia, të cilin e bën objekt frymëzimi në romanin e tij “Jeniçeri i fundit”. Ai pasqyron jetën e një ushtari dhe botën shqiptare, të cilën e rikrijon përmes përthyerjeve subjektive. Në këtë roman ai pasqyron ngjarje të jetuara, por që lexuesi di pak për vërtetësinë e tyre përderisa shumica e personazheve nuk janë personalitete historike.
Pra, dominantja e këtij romani historik është subjekti me personazhe johistorike (të trilluara). Informacioni mbi vërtetësinë e ngjarjeve është jashtë letrar.
Autori nuk pasqyron betejat e jeniçerëve, nuk rrëfen për taborët e tyre, as për pashallarë e sulltanë, as për forcat sulmuese e mbrojtëse, për fatkeqësitë e lajmet e hidhura, por krijon imazhe që nuk e shuajnë shpresën e besimin e kthimit të kryepersonazhit në vatan, që nuk e shuan shpresën dhe besimin e tij për të vazhduar jetën me dinjitet ashtu si paraardhësit e tij.
Në qendër të subjektit të romanit autori ka vendosur periudhën historike të shthurjes së formacionit të njohur ushtarak të jeniçerëve si dhe rolin e shtresës shqiptare brenda këtij formacioni, duke arritur që të japë me origjinalitet e sukses realitetin e jetës shoqërore të asaj kohe në tërë kompleksitetin e saj.
Në qendër të romanit është jeniçeri si kryepersonazh, i cili shërben jo vetëm për të lidhur gjymtyrët e veprës, por edhe për të bartur dramën e vet. Nga ana kompozicionale ai lidh ngjarje e personazhe të tjera të veprës. Ai ka nevojë të përthyhet në dritën e realitetit dhe kështu, përmes tij, në roman, flasin dhe shfaqin pikëpamjet e tyre shumë njerëz të tjerë. Jeniçeri nuk ka asnjë dëshirë a ambicie karrieriste sepse është i vetëdijshëm se shija e jetës është shumë më e fuqishme se shija e pushtetit. Prandaj kërkon vazhdimisht një pikë ku mund të mbështetë këmbët, jo që të ngrihet një kokë më lart se të tjerët, por për t’i shërbyer edhe më shumë Vatanit dhe të ardhmes së popullit të tij.
Ashtu si shokët e tij, ai i ka shërbyer Perandorisë me përkushtim e devocion, mirëpo rendi i Ri e ka shfuqizuar dhe e ka zhveshur nga çdo gjë, madje atë dhe të tjerët si ai i ndjek gjithkah për t’i ekzekutuar a persekutuar.
Përmes episodeve vijuese lexuesi mëson se në dorë të kujt kanë rënë çelësat e drejtimit të shtetit dhe ardhmërisë së Perandorisë. Autori e ka lidhur bukur prejardhjen e emrit dhe mbiemrit të tij.
Ai ia ka dalë që ta shtrijë rrëfimin e ngjarjeve të realitetit brenda një periudhe mjaft të shkurtër kohore, duke u përqendruar të kapë vetëm fazën e fundit të jetës së personazhit kryesor, i cili, pas shthurjes së rendit të jeniçerëve, ku, brenda lëkurës së “Gjarprit të Pemës” ose gjarprit të qiellit (pranimi i të ardhmes duke përjashtuar të kaluarën) ka shërbyer shumë vite me devotshmëri, vendos që të kthehet në vendlindjen e tij, pra në lëkurën e “Gjarprit të Shtëpisë” ose të tokës (lidhja me krijimin dhe kujtesën) prej nga ka dalë.
Jeniçeri është i bindur se vetëm në tokën e lashtë, pra në vendlindjen e tij, mund t’i shërbejë misionit të ringjalljes së Urdhrit Bektashian në ato anë, se vetëm Dijet e Vjetra dhe ato botërore, të luftuara pamëshirshëm, madje edhe të harruara, paraqisnin një sistem vlerash të pakapërcyeshme që do të ndihmonin për të dalë nga ajo gjendje kaosi. Kështu, ndonëse ka një përvojë e madhe prej ushtaraku, për shkak të rrethanave të krijuara: shpalljes së fermanit për lejimin e pronës dhe të martesave, krijimit të familjes, nxjerrjes së jeniçerëve nga rruga e lavdisë, përjashtimit të klerikëve nga çfarëdo ndikimi në jetën ushtarake, sipas pikëpamjeve të shfaqura në vendet e frangut, ku kisha ishte përjashtuar nga shteti etj., në njërën anë, dhe të ngadhënjimit të rendit të ri ushtarak, në anën tjetër, ku nuk mund ta vazhdojë më tej rrugën e tij të shërbimit, në muzgun e jetës detyrohet të marrë një drejtim tjetër: atë të kthimit në vendlindje, atje ku hija e tij kishte mbetur në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë, të mendimit, filozofisë, tek besimi i vjetër.
Për t’u kthyer në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë e për të arritur tek Dijet e Vjetra, dhe gjithë atyre librave që lidheshin me to (dijet) e të cilat ishin të domosdoshme për t’u rikthyer në frymëzues të Rendit të Ri Ushtarak që i duhej shpëtimit të Vatanit, ashtu si e kishte porositur e ëma me rastin e përcjelljes në rrugën përtej “shtatë bjeshkëve e deteve”, si e kishte porositur Baba Qazimi e të tjerë, si parakusht duhet t’i kalojë shtatë kështjella dhe shtatë bjeshkë (simbolika e numrit shtatë është traditë e njohur dhe vijimësi etnokulturore iliro-arbërore).
Kështu, rrëfimi i tij, i cili brenda përmbajtjes së romanit zhvillohet kryesisht në veten e parë, është jashtëzakonisht interesant dhe mbresëlënës.
Zëri i brendshëm i rrëfimtarit, që, edhe pse i vendosur një shekull e gjysmë larg, është ai që bën të dallueshëm aktivizimin e menjëhershëm të kohës së rrëfimit, të ngjarjes si dhe të leximit.
Rrëfimi në vetën e parë i mundëson personazhit-narrator të tregojë për fëmijërinë e tij, ndarjen nga prindërit, nga vëllai e motra, për t’u bërë ai që ishte në të vërtetë. Në çastin kur kishte marrë rrugën e jeniçerit, në mjedisin e ri, ku dijet e Vjetra dhe ato botërore ishin shpallur heretike, ishte përjashtuar nga qenia e tij; për aktualitetin e kohës kur zhvillohet ngjarja, për shthurjen e rendit të jeniçerëve e vazhdimin e krizës gjatë plojës së madhe që bëhej ndaj përfaqësuesve të formacioneve të fundit, për të vazhduar me procesin e dekompozimit të Perandorisë osmane, e cila vije si pasojë e krizës që nxitet nga Fuqitë e Mëdha, nga paaftësia e ngrehinës perandorake tashmë të vjetruar, misioni historik i së cilës pothuajse kishte perënduar, pra i kishte ardhur fundi.
“Zëri” i vetës së parë është ai që mban nën kontroll rrëfimin në situata me ngarkesë emocionale; bën kujdes në kapërcimet në kohë e në hapësirë dhe, çfarë është më e rëndësishmja; vendos theksin logjik e emocional në vendin e duhur.
Ky rrëfimtar tek romani “Jeniçeri i fundit” është në gjendje të zbërthejë ngjyrat e zërave të kohës, shenjat më domethënëse për ecurinë ideologjike në mjediset e Perandorisë Osmane, të gjejë pistat e sakta të zbërthimeve të këtyre shenjave në një alternim hetim-meditim.
Autori përfton në këtë mënyrë tragjizmin, magjinë, misterin, duke grumbulluar elementet e narracionit qysh në ekspozicion të romanit dhe, duke i shthurur më pas ato me mjeshtri.
Përmes zërit (vetë)rrëfimtar krijohet mundësia e hetimit dhe e vështrimit të ngjarjeve në një fokus të shumëfishtë, të cilat në të njëjtën kohë ndërtojnë dhe shkatërrojnë, grumbullojnë dhe shpërndajnë, duke mbivendosur shtresëzime rrëfyese në sistemin tregimtar.
Karakteristike për këtë roman janë analepsat e karakterit historiografik, që përmbushin dijet e lexuesit e që shërbejnë për një kuptim sa më të mirë të fakteve të rrëfyera.
Kështu, personazhi kryesor, duke bredhur nëpër kujtimet e fëmijërisë dhe nëpër ndërgjegjen e vet, shpalos botën e shpirtërore dhe psikologjike, pasqyron pamje dhe imazhe që lidhen me situata të ndryshme jetësore në periudhën e Perandorisë Osmane (vitet ’30 të shek. XIX), me realitetin moral dhe psikik, me atë shpirtëror e dramatik.
Kuptimi i emrit të tij qysh në fillim të ardhjes në këtë botë, zbërthehet me atë të qenies së përhershme (Gur Guri), të përkatësisë së familjes (Gur i Nanës) si dhe i besimit të krijimit nga dheu (Gur i Dheut).
Shkrimtari Jusuf Buxhovi arrin ta kapërcejë kronikën e thjeshtë të asaj periudhe, duke hequr një paralele alegorike-simbolike me periudhën e fundit të shek. XX, dhe duke modeluar motivimin psikologjik të personazheve të asaj kohe në mënyrë që edhe lexuesi modern të zhvendoset më lehtë në të shkuarën. Në romanin “Jeniçeri i fundit” manifestohet fryma emancipuese, prirja bashkëkohore, qytetëruese e pagane.
Autori arrin të rindërtojë të shkuarën përmes një lloj “realizmi historik”, ia del të ndërthurë teknikat e nëntekstit dhe ligjërimeve të ndryshme moderne, ku rrëfimi në veten e parë i jeniçerit i lë çdo lexuesi përshtypjen e autenticitetit. Ligjërimin e autorit, i cili bëhet kryesisht në veten e parë, e ka përcaktuar mosha dhe përvoja e rrëfyesit, sfera emocionale dhe ideore.
Ligjërimi i personazhit kryesor është kryesisht fonologjik, ndonjëherë edhe përmes monologut të dialogizuar, që është shumë zhbirues. Shpesh në roman nuk flet vetëm jeniçeri, por edhe kipsi i tij.
Megjithatë, peshën e mesazhit të tyre e mban ai vetë (Jeniçeri). Për të kapur mesazhin filozofik të autorit, i cili artikulohet përmes gojës së personazhit, lexuesi duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë tekstit, nëntekstit dhe kontrastit të paragrafëve, ideve të rëndësishme të vendosura si pa u ndjerë nëpërmjet detajeve të natyrave të ndryshme.
Autori nënvizon idenë se në fazën e fundit të jeniçerëve, tiranët, me qëllim të zhdukjes së kujtesën kolektive, mund të bënin shumë krime. Megjithatë, ai është i bindur se këtë nuk do të arrijnë ta realizojnë kurrë sepse populli nuk e harron asnjëherë të kaluarën e vet.
Zëri i brendshëm i rrëfimtarit, edhe pse i vendosur, siç thamë, një shekull e gjysmë larg, është ai që bën të dallueshëm aktivizimin e menjëhershëm të kohës së rrëfimit, të ngjarjes si dhe të asaj të leximit.
Romani “Jeniçeri i fundit” dallon edhe për marrëdhëniet që ndërton autori mes historisë e fiksionit, përzierjes së reales me irealen, funksionalizimit të saj për arsye ideologjike. Ndërthurja e fantazisë me historinë shpreh vetëdijen e modernitetit në romanin historik shqiptar, në përgjithësi, dhe të romanit “Jeniçeri i fundit” të J. Buxhovit, në veçanti.
Prandaj duhet veçuar si një vlerë të dukshme estetike fantazinë dhe imagjinatën që ka përdorur ky autor. Duke analizuar disa romane të shkrimtarëve tanë, që marrin temat nga historia, mund të themi se ky i J. Buxhovit, ashtu sikurse edhe disa vepra të tjera të tij, përfaqëson arritjen më të mirë në prozën historike shqiptare. Autori nuk është i prirë të tregojë në detaje atë çfarë ka ndodhur, pra nuk synon të përshkruajë realitetin jetësor të asaj kohe me fjalët e tij, por mediton thellë për atë kohë, duke e krahasuar me të tashmen tonë dhe, në këtë mënyrë, të kapë thelbin e dukurive.
Duke këmbyer pamje e skena të ndryshme, autori arrin që ato t’i lidhë me mjeshtri në tërësinë e tyre nga ana e jashtme përmes figurës së rrëfimtarit të ngjarjeve. Ai arrin të japë gjendjen e kohës, emocionet e kryepersonazhit, të pasqyrojë me mjeshtri botën e brendshme të tij, të zbërthejë dramën e ndërgjegjes kolektive, të tregojë për shfaqjen e dilemave morale, të cilat shoqërohen me përpjekjet për ta ringjallur a rikthyer kohën e dijeve të lashta, të besimeve të vjetra, të historisë dhe të identitetit të lashtë etnik.
Meditimi i personazhit kryesor (kupto autorit) në këtë roman është konkret. Koha më e re, sipas tij, duhet të marrë diçka nga dijet dhe besimet e vjetra, sepse ato janë të dobishme, madje, sipas tij, edhe shpëtimtare. Prandaj, në një moment të caktuar, të thuash domethënës për të, personazhi kryesor zhytet në kujtimet e fëmijërisë, ku në to gjen një si azil shpirtëror shumë më të sigurt se kudo tjetër.
Ai (jeniçeri) lëshohet në këto kujtime deri në kohët më të lashta të historisë së gjuhës, duke iu dhënë kuptime të shenjta edhe disa nocioneve, si: ëmë, vëlla, gur, shtëpi. gjarpër etj., që i mundësojnë për të kërkuar dhe për të gjetur identitetin vetjak, të kundërshtojë rendin e ri mendor, moral e politik, të gjejë rrugëdalje për kapërcimin e gjendjes së krizës, e cila po thellohej nga dita në ditë.
Jeniçeri, kur e kupton se pushtetit nuk i interesonte më asgjë për të gjetur frymëzues shpirtërorë, por vetëm shërbëtorë, kur bindet se fundi i jeniçerëve është i pashmangshëm, pra atij dhe shokëve të tij po u kërcënohej rreziku për jetë, lirohet nga lëkura e jeniçerit dhe, i frymëzuar nga mësimet e Sari Salltëkut, vendos të kthehet te besimi i vjetër.
Në ndërgjegjen e tij dëgjohet zëri i brendshëm, ai i Gur Gurit, prandaj, duke ndjerë mall për vendin e të parëve, vendos të kthehet në Vilajet. Dyzimi i tij është përshkruar me nota poetike e tragjike.
Ai tashmë është i vetëdijshëm se vetëm me anë të ndriçimit të mendjes mund të arrijë rikthimin kah vetvetja – futja në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë, sepse, sipas tij, lëkura e parë, ajo e lindura e gjakut, është e përhershme dhe e pazëvendësueshme, ndërsa të tjerat (të dijeve) janë të ndryshueshme, madje shumë të përkohshme po qe se nuk prekin majat.
Pra, ai përqafon mësimet e Sari Salltëkut, të cilat preferonin që nëpërmjet pushtetit të dijes e jo të dijes së pushtetit mund të kërkonin të lartësuarën si qëllim përfundimtar.
(Fragment nga një vështrim më i gjërë).
(Jusuf Buxhovi, “Jeniçeri i fundit”, roman, botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2013)
ObserverKult
Lexo edhe:
BESIM ZYMBERI: Ç’IKU, S’KTHEHET MË PËRSËRI
Poezi nga Besim Zymberi
S’them dot se kam ndryshuar
Ndonjë rrudhë aty-këtu
Ca thinja-si dëborê e vonuar
S’jan’ që t’më thoni:-Ç’u bëre kështu…
Apo ju ndryshe mendoni
Sa pëshpërisni:-Jo, s’është ky ai
S’u hidhërohem dhe po t’ma thoni
Se ç’iku s’kthehet më përsëri
S’ka gjë, jeta të zbret në hullitë
Nëpër lëkurë thërrime-thërrime
Por, kur e thon’ vetë perënditë
Ç’të bësh pos të zbresësh në kujtime
Aty ku copëza malli shtrirë rrinë
Dhe unë i zgjoj pa ndonjë trazim
Ndoshta s’bëhet pa ndonjë psherëtimë
Kur s’mbledh dot të tërë portretin tim
Por, ti merak s’ke se pse të vuash
Në do të më shohësh diku përsëri
Sepse, s’kam ndryshuar aq sa të thuash
Ç’u bë me të…Ky, nuk është ai…
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
TOM WAITS: SHTËPIA KU NUK JETON ASKUSH
Ёshtё njё shtёpi nё bllokun tim
Qё ёshtё e braktisur dhe e ftohtё
Njerёzit u larguan prej saj
Shumё kohё mё parё
Dhe i morёn tё gjitha gjёrat e tyre
Dhe kurrё mё nuk u kthyen
Duket sikur ёshtё e nemur
Me dritare tё krisura
Dhe tё gjithё e quajnё atё
Shtёpia, shtёpia ku askush nuk jeton
Dikur aty dёgjoheshin tё qeshurat
Dikur aty ёndёrrohej
A i hodhёn ata tё gjitha
A e dinin se ҫfarё do tё thotё
A iu thye dikujt zemra
Apo dikush ka bёrё diҫka tё keqe
Epo boja ishte e gjitha e plasaritur
Ishte rrjepur nga druri
Letrat ishin stivosur nё verandё
Ku qёndrova
Dhe barёrat e kёqija ishin rritur
Po aq lart sa dera
Kishte zogj nё oxhak
Dhe njё komodё e vjetёr
Duket se askush nuk do tё kthehet kurrё mё
Nё shtёpinё ku askush nuk jeton
Dikur aty dёgjoheshin tё qeshurat
Dikur aty ёndёrrohej
A i hodhёn ata tё gjitha
A e dinin se ҫfarё do tё thotё
A iu thye dikujt zemra
Apo dikush ka bёrё diҫka tё keqe
Kёshtu qё nёse gjeni dikё
Dikё pёr ta pasur, dikё pёr ta mbajtur
Mos e ndёrroni me argjend
Mos e ndёrroni me ar
Unё i kam tё gjitha thesaret e jetёs
Dhe ato janё mirё dhe ato janё pёr bukuri
Ato ma pёrkujtojnё se shtёpitё
Janё tё ndёrtuara sall prej druri
Ҫfarё e bёn njё shtёpi madhёshtore
Nuk ёshtё ҫatia apo dyert
Nёse ka dashuri nё njё shtёpi
Ёshtё njё pallat me siguri
Pa dashuri…
Nuk ёshtё gjё tjetёr veҫse njё shtёpi
Njё shtёpi ku nuk jeton askush
Pa dashuri nuk ёshtё asgjё
Pos njё shtёpi, njё shtёpi ku
Askush nuk jeton.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult