Hijerëndë e madhështore një anije
nga limani del ngadalë tek mbrëmja bie.
E siç shket mbi ujë të gjelbër lehtë e qetë
vezullojnë velat e bardha nëpër det.
Është anije e panjohur, krejt e huaj,
emrin brinjëve të saj mezi e shquaj.
Që nga ç’vend i largët mbrriti përmbi dallgë
e ku shkon, askush s’e di, afër a larg.
Asnjeri s’i tund shaminë ta përshëndesë,
tek pluskon anës së portit me përtesë.
Vetëm gra që nga ballkonet e vështrojnë,
si statuja të përjetshme q’ëndërrojnë.
E ndër sa ka lënë limanin përgjithmonë,
një boshllëk na lë nga pas, një ngricë, një hon.
Tej në det ajo krenare dallgët çan,
edhe rrezet mbrëmësore tek shpërndan
-ndrijnë direkët horizontit, larë në ar,
kuqëlojnë velat bardhoshe ndënë far-
njerëzia që e ndjek që nga bregdeti
ndjejnë se bosh e më i varfër është qyteti
e sejcilit zbrazëti, një gulç ndën zë,
-thua se diçka u iku bashkë me të…
Shqipёroi: Arqile Garo