Ta dije si e prisja unë, e dashur ardhjen tënde… poezi nga Kostas Uranis
Ta dije si e prisja unë, e dashur ardhjen tënde,
që gjer më sot nuk e kam ndjerë, dhe pres i mbushur mall,
pret qenia ime me tërbim e shpresë, me shpirt e mendje,
siç tokë e tharë pret me llahtarë një shi që ta mbajë gjallë!
Edhe sa herë, oh vaj medet, tek po gëzoja, prore
se kishe ardhur më në fund! Po vallë kush të pengonte?
Porsi bajamen që ca ditë me rreze dimërore
thjesht e mashtrojnë, dhe shpirti im ngutej të lulëzonte.
Po ti menoje si përherë e ditët venin, vinin,
lule që dridheshin në ngricë vajtonin, iknin, binin…
e ndjen thëllimin shpirti i mjerë rënkon e ngashërehet
sot, që rinia perëndon e koha shkon e s’kthehet,
e ardhjes tënde shpresë e gjorë nis e venitet mike:
Druaj se më kalove pranë, s’ të pashë… dhe ti më ike!…
Shqipëroi: Arqile Garo
ObserverKult
——————————————————————————————–
LEXO EDHE: Kostas Uranis: U munda, pa shkuar hiç në luftë…
K’ të jetën time boshe, prej të gjori,
sodis me një vështrim të stërpërgjumur.
Më ngjan se i bëj roje një vapori,
që tash sa kohë motorët i kanë humbur.
Si ujë i ndyrë, në një moçal të ndenjur
rutinat dhe mërzia më kanë kapur.
Dhe s’ më kujtohet që kur s’ kam dëgjuar
sirenat të më ftojnë në det të hapur…
E kotë – e di dhe vetë! – se dhe që luajnë
një herë në aq, ca flatra të pasionit,
nuk thotë të flakërojë në jetën time
një gaz i madh a dhimbje si e gjonit.
Pa pikë vullneti, me të njëjtët njerëz,
ditët njëlloj po i jetoj, si puft.
Me një maraz që mushkëritë më grryen:
U munda, dhe pa shkuar hiç në luftë…
Përktheu: Arqile Garo
LEXO EDHE: Kostas Uranis: Nuk dua tjetër…