“Krim dhe Ndëshkim” – kryevepër e letërsisë botërore

thenie të dashurosh dostojevski quotes
Fjodor Dostojevski

Nga Mërgim Bekteshi

Kanë kaluar mbi 150 vjet dhe kryevepra e madhe e letërsisë klasike “Krim dhe Ndëshkim”, e shkrimtarit të madh Fjodor Mihajloviç Dostojevski, ende mbetet vepër e rangut të lartë të letërsisë botërore. Ky shkrimtar emblematik e po aq kontrovers, më të drejtë reflekton frymën e vërtetë të ekzistencializmit dhe, mbi të gjitha, një pasqyrë e vërtetë e veprave të tij shikohen ende me një mëdyshje, por edhe me lëvdata të mëdha nga bota e kritikës letrare, psikologjike e kriminologjike.

Kjo mëdyshje mund të ngarendë sa nga “dija e tepruar” e kritikës, po aq edhe mungesa e njohurive për të kuptuar se çfarë më saktë ai shtjelloi në prozën e tij në ofrimin e të dhënave për lexuesin.

Kjo formë e përfaqësimit që e bënte Dostojevski në letërsinë ruse nëse flasim për ”Krim dhe Ndëshkim” apo ‘’Vëllezërit Karamazov” është ngjizur në letërsinë botërore me emër të veçantë, që shëmbëllen me klasikun më të madh të kohërave, që mban ende vlerat më të larta në shikimin se si dhe çfarë ka trajtuar në prozën e tij, që ngacmon ende mbamendjen e njerëzimit.

Në shqip kjo prozë vjen në përkthimin e Jorgji Doksani. Duhet thënë se mungesa e njohjes së gjuhës origjinale për ta lexuar  autorin, mund të pengojë një kritikë të mirëfilltë.

Por, proza e përkthyer në shqip e mban një trajtë të rregullt në lexim dhe nga kjo rrjedhë e mirë e leximit trajta e përkthimit të vjen e përshtatshme dhe me njohuri të bollshme. Thuhet se gjatë viteve kjo vepër është redaktuar në një numër të madh të faqeve, por kjo kërkon prova më të detajuara se çfarë mund të jetë larguar nga proza si e panevojshme që është konsideruar.

Ajo që e përbën madhështinë e romanit është aftësia kognitive e autorit për të trajtuar temën që në bosht është vrasja, por që me kujdes e trajton si në aspektin psikologjik, kriminalistik dhe kriminologjik. Kjo trajtesë e kujdesshme vjen nga përvoja e autorit lidhur me krimin e zhvilluar në atë kohë dhe qasja e kujdesshme e autorit për t’i vënë në rend të gjitha detajet, si në kuptimin e personalitetit psikologjik që bart një person që është i shtyrë të bëjë një vrasje, sa nga kushtet e mjerueshme dhe burokracisë me të cilën sundonte pushteti, po ashtu edhe mjedisi shoqëror që inkorporohet me vetëdije në këtë ngjarje.

Të vështrosh në detaje sidomos gjendjen psikologjike jo vetëm të kryepersonazhit Raskolinkov dhe shumë personazheve të panumërt që dinë të shfaqen në letërsinë ruse, sidomos te Dostojevski dhe Tolstoi, është një punë tejet e mundimshme.

Njohës të shumtë, si nga ajo e fushës e letërsisë, psikologjisë, kriminalistikës dhe kriminologjisë, kanë vënë hipoteza të ndryshme, për të qartësuar gjendjen e vërtetë dhe narracionin ku është mbështetur autori për të bërë një pasqyrim të saktë të gjendjes, e vërtetë apo jo, të asaj që mund të ketë mbështetje reale në jetën e përditshme. Kjo do të nënkuptonte veprimet e para pas vrasjes të kryesit të veprës penale dhe aftësitë njohëse të hetimeve të asaj kohe.

Në këtë pikë besoj se shfaqja dramatike është më vërtetësi dhe saktësi, sepse autorit nuk i fluturon mendja për të prezantuar një klimë imagjinare, por i vë në bazat e reales si anën e krimit ashtu edhe ndëshkimin si dy institute të ndara nga e drejta penale.

Nisur nga ky parim, Dostojevski nuk e ngatërron skenën e krimit për të vënë pikëpyetje të mëdha duke potencuar gjurmët që mund të mbesin në vendin e ngjarjes, dhe ai si pikënisje vë dyshimet e motivet e një djaloshi që e dërgojnë drejt vrasjes së një gruaje të moshuar, e quajtur Alena Ivanova, apo, siç e quan autori: një plakaruqë kërcure gjashtëdhjetëvjeçare, e regjur, me ca sy shpues e të liq (Dostojevski 2009, 8) dhe motrës së saj Elizaveta, e cila aksidentalisht do të vritej.

Pra, përshkrimi i gjendjes së shëmtuar të plakës fajdexheshë është kujtesë e vrasësit që autori e justifikon me dashje. Por, para se të arrijë te veprimi i aktit të vrasjes së shëmtuar, autori citon mendësinë e personazhit të tij të turbullt duke thënë: Po ç’gjëje vallë i trembet më fort njeriu? Hapit të parë apo fjalës së parë (Dostojevski 2009, 6). Kjo gjendje psikologjike do ta torturojë personazhin para fillimit të vrasjes, ndërsa pas saj kemi një gjendje tjetër inerte, me plot  dështime dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, përpos në mos realizimin e objektivave të tij.

“Krim dhe Ndëshkim” është një nga më të mëdhenjtë dhe më të lexueshmit prej romaneve të shkruara ndonjëherë, thekson Dr. Keith Carabine, nga Universiteti i Kentit në Canterbury (Dostoevsky 2000).

Carabine flet për ndërgjegjen e rrënjosur te personazhit për të kryer një krim të dyfishtë brutal apo siç thotë: Ndjenjat e tij kontradiktore për neveri për veten dhe krenarinë, përbuzjen dhe nevojën e të tjerëve dhe për dëshpërimin e tij të tmerrshëm dhe shpresën e shëlbimit (Ibid).

Keith Carabine sqaron dhe bën pyetje të ndryshme edhe me karakteret dhe tipat moralizues shoqërorë. Në këtë vështrim duhet të shikohen edhe rrethanat shoqërore pa e justifikuar edhe krimin si proces shoqëror. Nëse bëhet një analizë e shtytjes drejt vrasjes, sado që ajo shfaqet nga pakënaqësia, është revolta edhe e brendshme individuale në raport me barazinë shoqërore. Raskalinkov, në një moment të vetëm, i sqarohet Sonias: që i pushtetshëm bëhet vetëm ai që kuturis të rrëmbejë pushtetin (Dostojevski 2009, 398) frymëzim nga gjenerali i kohës, Napoleon Bonaparti. Por, në një moment tjetër ai thotë: E vrava vetëm për veten time (Ibid, 399).

Ky akt i dhunshëm kundër botës civilizuese, vrasja, siç do ta sqaronte Rafaello Garafallo në studimet e tij lidhur me kriminologjinë (Academia 2023), ishte trajtimi më i veçantë që do t’ia bënte Dostojevski përmes prozës apo fushës së letërsisë.

Është e kuptueshme që studiues të shumtë do të analizonin veprën letrare “Krim dhe Ndëshkim”, jo vetëm si temë e letërsisë, por edhe si referencë në shkencat e ndryshme humane. Gjatë tërë leximit, hutimi më i madh është se si do të zgjidhej ky epilog i ngatërruar dhe sa janë të përgatitura forcat e rendit drejt zbardhjes së një krimi makabër.

Ajo që Dostojevski e sqaron në hollësitë e vrasjes është mungesa e profesionalizmit të personazhit,  i cili, në çastet vendimtare kishte rënie të vullnetit dhe errësim që e dërgonin në veprime naive (Dostojevski 2009, 71) apo, kur ai kthehej në vendin e krimit, dukuri që më shumë janë të dhëna që njihen nga njohësit e kriminalistikës (Korajlić dhe Muharremi 2009).

Autori i jep një epilog krejt tjetër ngjarjes duke e dorëzuar kryesin e krimit para institucioneve të rendit. Keith Carabine  parashtron në parathënien e librit: Why  had he not kill himself? (Pse nuk e vrau veten?) (Dostoevsky 2000, xxv) dhe përse parapëlqeu kryesi i krimit të rrëfehej apo të mos shfrytëzonte pasurinë pas vrasjes. Këto janë dilemat e mëdha, megjithatë natyra psikologjike e Raskalinkovit nuk përmbante formësimin e një krimineli me shkathtësi.

Ai brenda një musëndre kishte sajuar të gjitha detajet e aktit të vrasjes dhe pastaj përfitimit, por më vonë do të kuptojë se krimi nuk është aq i thjeshtë sa planifikohet, aq më shumë brenda atyre kthinave.

Pa dyshim se kjo vepër është më ndryshe se “Vëllezërit Karamazov” dhe ka një strukturë më të ngurtë për nga ana tematike e hetimit, masa e ndëshkimit, dhe e procesit gjyqësor.

Me gjithë skenat e ndryshme dhe futjen e personazheve të shumtë, ai bën një arsyetim logjik mbi atë që e quajmë krim, sidomos privimin e njeriut nga jeta, një motiv i hershëm biblik me Kainin dhe Abelin, dhe që ka një vazhdimësi edhe në ditët e sotme.

Nga disa mendime te natyrës psikologjike thuhet se: “Raskolnikov nuk mund të ketë pasur gjithmonë një çrregullim paranoje, por pasi kreu vrasjen, veprimet e tij ndryshuan, duke reaguar  ndaj mendimit se do të kapej në flagrancë. Shembulli më i mirë i frikës së tij nga persekutimi është kur ai është i fiksuar pas njollave të gjakut për të cilat ka frikë janë mbi të menjëherë pas vrasjeve” (2308).

Pra, të gjitha këto skena kanë një arsyetim në nxjerrjen e një konkludimi që ka një përafrim me të dhënat e bollshme se çfarë është një krim dhe masa e sanksionit për të parandaluar këtë turbullirë me plot ego.

Dostojevski do të mbetet ikonë në letërsinë botërore si për nga mënyra e rrëfimit letrar, ashtu edhe për nga qasja që reflektoi në disiplinat e tjera shkencore.

Literatura:

https://www.oboolo.com/philosophy-literature/literature/essay/mission-character-analysis-raskolnikov-618586.html?fbclid=IwAR281Zkw2s4Z_3Og2UNb10MHssiNB3TPwQ (accessed 08 12, 2023).

Academia. 08 30, 2023. https://www.academia.edu/35704941/Kriminologjia_Hyrje.

Dostoevsky, Fyodor. “Crime and Punishment.” In Crime and Punishment, 485. London: Wordswworth Classics, 2000.

Dostojevski, Fjodor Mihajloviç. Krim dhe Ndëshkim. Tiranë: Uegen, 2009.

Korajlić, Dr. Sc. Nedžad, and Dr. Driton Muharremi. “Kriminalistika.” 498. Prishtinë: Botues: Instituti për hulumtime zhvillimore “Riinvest”, 2009./ObserverKult


kam me ardhë si deka mërgim

Lexo edhe:

REKOMANDIME LEXIMI NGA MËRGIM BEKTESHI

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir kritikun Mërgim Bekteshi.

Ja cilat janë librat që Bekteshi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

—————————

Nuk mendoj se rekomandimet mund të jenë çdoherë të qëlluara kur flasim për librat e letërsisë në prozë, poezi apo dramë, sepse ato përbëjnë një univers në vete.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult