Ku gaboi ministria e Kulturës me K’cimin e Tropojës?

Vallja e Tropjës është po aq e lashtë sa dhe vetë populli i asaj treve. Kjo valle, që prek tokën dhe i drejtohet qiellit, është një pasuri e çmuar kombëtare.

Shkrimtari Ismail Kadare është shprehur se vallja ashtu si pija, të nxit të flasësh për të. Në të vërtetë, ajo ka diçka të afërt me pijen, marramendjen, e cila vjen si rezultat i veprimeve joshëse të valltarëve.

E bukura në artin e lëvizjes shprehet Kadare është se mendimi i parë që të vjen është rrotullimi i globit tokësor rreth vetvetes, pra një lloj vallëzimi i tij. Ky rrotullim nuk mund të ndërpritet. Siç thonë, bën pjesë në një valle më të madhe, në atë të galaktikës dhe galaktika vetë s’është veçse pjesëmarrëse në një tjetër vallëzim: në atë të universit. Duam apo nuk duam, ne jemi të rrethuar prej vallëzimit.

Kërcimet (apo kcimet, siç quhen nga populli), praktikohen në zonat e Shqipërisë së Veriut dhe i karakterizon interpretimi relativisht i lirë, brenda shtratit krahinor apo zonal. Ato shoqërohen kryesisht me instrumente popullore, si: tupan, daulle, dajre, defe, curle, çifteli etj.

LEXO EDHE: VALLJA E TROPOJËS, PËRGATITET DOSJA PËR NË UNESCO (VIDEO)

Dëshira e kahershme e qenies njerëzore për t’u shkëputur nga toka apo për të fluturuar, është evidentuar më së shumti në kulturën e kërcimit në zonën e Shqipërisë Veriore dhe sidomos të Malësisë së Gjakovës. Vallja konsistonte në thyerjen e gjunjëve për të marrë vrullin, për t’u rrotulluar e për t’u hedhur. E cila është edhe një nga simbolikat dhe shprehjet më origjinale të intuitës krijuese e imagjinatës së popullit tonë. Ajo ka një bukuri gati hyjnore. Në këto kërcime thuajse gjithçka ndodh në ajër, edhe dashuria, edhe dyluftimi. Edhe dhimbja, edhe trimëria, edhe sensualiteti. Në të njëjtën kohë këto kërcime kanë kontribuar në shoqërizimin e njerëzve gjatë festave popullore.

Kreu i Unionit Artistik Kombëtar, Azgan Haklaj, akuzon ministrinë e Kulturës se i ka përjashtuar nga politikat shtetërore të kulturës edhe pse sipas tij, “ne jemi laboratori i platformës së bashkimit të kulturës shqiptare”.

Për mediet, Haklaj tha se “Unioni ka afër dy dekada që ushtron veprimtarinë e tij me një sërë aktivitetesh, që nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, diasporë, me aktivitete të shumta kulturore. Synimi është integrimi i kulturës shqiptare nga treva në trevë. Mesazhet që i përcjell arti, vështirë se i jep politika.

Pra, ky union ka shkallmuar kufijtë. Ne jemi një popull me kulturë mijëravjeçare. Lahuta është shpirti Eposit të Kreshnikëve. Që është për ne ‘thembra e Akilit’, se është filli i identitetit etnik ilir”.


Më tej, ai theksoi se UNESCO ka refuzuar Festivalin e Gjirokastrës, duke shtuar se, me këtë ka dështuar jo vetëm ministria e Kulturës, por edhe Akademia e Shkencave.

“Me refuzimin nga UNESCO, të Festivalit të Gjirokastrës, nuk dështoi vetëm Ministria e Kulturës, por edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. UNESCO është magazinë e ruajtjes së kulturës. Ministria e Kulturës bëri një gabim fatal.

Shpalli kryevepër të trashëgimisë së popullit diçka që nuk ekziston. Vetë emri Tropojë, nuk është trashëgimi kombëtare. Nëse ti e çon me këtë emër, se kërcimi është quajtur “Kërcimi i Malësisë së Gjakovës”…

Territori i Tropojës së sotme, ka qenë bashkëjetesa iliro-dardane. I bie që disa shekuj para lindjes së Krishtit, Tropoja ka qenë qytetërim dhe më vonë.

Është quajtur Malësia e Gjakovës. Nëse ti e çon me këtë emër, ti fillon dhe bashkimin kombëtar. Nuk ka kërcim bjeshke me tupan.

Bjeshka ka dy evenimente të rëndësishme, qethja e deleve dhe festa më pas, që u kthyem shëndosh. Nuk ka kërcim bjeshke dhe nuk mund ta bësh trashëgimi kulturore, atë që nuk është e jotja.

Ata e ngatërrojnë Kërcimin e Tropojës, me Kërcimin e Rugovës. Dhe kjo e fundit, nuk është kërcim tamam, por një tallava. Ne ju themi publikisht, se janë në rrugë të gabuar. E vërteta është e hidhur, por është e bukur.

E vërteta ka çmim, por ne jemi të përgatitur për ta paguar çmimin. Po e humbin dhe vallen çame, që është vallja klerike. Problemet qëndrojnë tek emërtimi, sepse UNESCO këtë ka dhe pastaj të bën historinë.

Ata bëjnë disa fletushka, ku thonë ‘a je dakord që të futet Vallja e Tropojës në UNESCO?’

Ne i kemi ftuar publikisht në debat grupin e ekspertëve. Jemi të gatshëm të bëjmë një debat, ata nuk kanë asnjë investim për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar. Neve, ministria e Kulturës na ka përjashtuar nga politikat shtetërore të kulturës edhe pse ne jemi laboratori i platformës së bashkimit të kulturës shqiptare. Kemi qenë shumë bashkëpunues, të gjitha i kemi të dokumentuara”, – ka përfunduar ai./konica.al