“Kujtesa e Kosovës: 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka”, me dhjetë vëllime, u promovua të premten në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani.
Në këtë botim të realizuar nga Departamenti i Antropologjisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Biblioteka Kombëtare, janë mbledhur njëqind histori gojore të pleqve e plakave që kanë rrëfyer për dramat jetësore, vuajtjet, gëzimet, dëbimet nga shtëpitë si pasojë e luftërave dhe kthimet në to.
Studentët e Departamentit të Antropologjisë, për një periudhë dyvjeçare, kanë kryer dhjetëra intervista me njerëz të moshuar, për ta realizuar këtë projekt.
Me rastin e promovimit të këtij botimi, u hap edhe ekspozitë me portretet e njëqind të moshuarve të cilët janë intervistuar.
Libri i financuar nga Ministria e Kulturës, do të jetë pjesë e institucioneve hulumtuese kulturore-arsimore.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, tha se mbledhja dhe ruajtja e kujtesës gojore po vjen në një koncept të ri, të pakultivuar më parë .
Ministri i Kulturës Kujtim Gashi theksoi se përmes këtij vëllimi po dokumentohet periudha e flijimit dhe vetëmohimit të popullit të Kosovës.
Raymond Welch Jr. nga Ambasada Amerikane në Kosovë, tha se ndjehet mirë që si ambasadë janë pjesë e këtij projekti duke shpresuar që nismat e tilla të ngjallin më shumë dhembshuri e njohje për njëri-tjetrin.
Profesori universitar, njëherësh mentor i projektit, Arsim Canolli, tha se ndjehet i nderuar që po botohet ky botim i rrëfimeve të 100 rrëfimtarëve mbi 80 vjeç, si fryt i punës 2 vjeçare.
Ismail Maqedonci, njëri nga të moshuarit, kujtimet e të cilit janë pjesë e këtij vëllimi, shprehu entuziazmin e tij për botimin e këtyre kujtimeve.
Në emër të studentëve të Antropologjisë, Egzona Azemi, u shpreh se pas finalizimit të këtij projekti, kanë kuptuar edhe më mirë peshën dhe rëndësinë e këtij projekti./Observer Kult