Kult-Art, panairi që gjallëroi Gjirokastrën

Edicioni i 3-të i Panairit Kult-Art gjallëroi Gjirokastrën, duke promovuar vlerat e traditës dhe kulturës.

Në Ditët e Trashëgimisë, qyteti i gurtë u shndërrua në qendër kombëtare. Për prezantimin e trashëgimisë, kulturës dhe kulinarisë.

Bashkëpunim i Bashkisë Gjirokastër me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë, TID Gjirokastra dhe Fondacionin Shqiptaro–Amerikan për Zhvillim, përgjatë 4 ditëve të organizimit. Panairi prezantoi një program të larmishëm aktivitetesh, duke promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore. Dhe tërhequr interesimin e turistëve vendas dhe të huaj.

Pjesë e Panairit Kult-Art 3 ishin prezantimi i punimeve karakteristike të 60 artizanëve, aktivitetet kulturore.

Koncertet e grupeve dhe ansambleve popullore nga zona të ndryshme të vendit dhe Kosova, promovimi i kulinarisë tradicionale, etj.

Ndërsa vizitoi panairin, ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, njëherazi deputete e Qarkut, Mirela Kumbaro u shpreh se organizime të tilla ndikojnë jashtëzakonisht shumë për zhvillimin e turizmit.

“Aktivitete si ky panair do të jenë gjithmonë e më të shpeshta edhe me besimin që do t’i tejkalojmë vështirësitë që na ka shkaktuar pandemia. Gjirokastra është një muze i hapur dhe është vendi tipik në Qafën e Pazarit. Në zonën historike për të organizuar të tilla evente, për të mbledhur gjithë artizanët e zonës.

Mua më vjen mirë që këtu shoh artizanë që nga Lunxhëria deri në Përmet. Fermerë që kanë prioritet agroturizmin në zonat prej nga vijnë.

Mendoj se ky është një ndër modelet më të mira të zhvillimit të turizmit. Pasi Shqipëria ka resurse të veçanta. Përsa i përket ekoturizmit, turizmit natyror, kulinar dhe turizmit kulturor.

Nuk mund të kishte një mbyllje më të mirë të Javës së Trashëgimisë Kulturore sesa këtu në Gjirokastër”, pohoi ministria Kumbaro.

Në lidhje me këtë organizim kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi u shpreh se do të vazhdojmë trendin. Që kemi patur edhe gjatë verës për mbështetjen e eventeve të tilla. Pasi edhe në këtë stinë vjeshte Gjirokastra po mirëpret turistë të shumtë vendas dhe të huaj.

“Tashmë Gjirokastra ka një turizëm gjithvjetor dhe kalendari i aktiviteteve që organizohen nga bashkia është në shërbim të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh kryebashkiaku Golemi./ATSH

LEXO EDHE: Eleganca dhe tradita shekullore arbëreshe nëpërmjet objektivit të fotografit italian Mario Tesoro