“Kur dha shpirt, ia mbylla sytë me duart e mia”- Si vdiq At Vinçenc Prennushi nga torturat në burgun e Durrësit

Më 4 shtator të vitit 1885 lindi Vinçenc Prennushi, klerik, publicist, poet, mbledhës i folklorit dhe përkthyes. Lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. U pagëzua me emrin Kolë.

Hyri në kuvendin françeskan të vendlindjes më 1900, e më pas u shugurua meshtar në Tirol të Austrisë, ku kryente studimet, duke e ndërruar emrin në Vinçenc.

U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. “Kangët” e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare; “Visaret e Kombit”.

Në vitin 1921, boton përmbledhjen e njohur poetike: “Gjeth’ e Lule”. Ai ishte penë letrare dhe shkencore ndër fletoret më në zë të klerit, ishte një drejtues i “Hyllit të Dritës”, “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” por, ai ishte edhe një ndër themeluesit e bashkëpunëtorët e grupit më me rëndësi të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletoren e tyre “Ora e Maleve”.

Më 1947 imzot Vinçenc Prennushi u arrestua nga regjimi komunist, në Tiranë, e më pas u nis për në burgun e Durrësit, ku edhe vdiq më 19 mars 1949, duke mbrojtur deri në frymën e fundit, vlerat, idealet e bindjet e veta. Imzot Vinçenc Prennushit me 37 martirë tjerë të Kishës katolike shqiptare, pas procesit kanonik kishtar të beatifikimit, e me miratimin e Papës, u shpall i Lum me ceremoninë solemne të Lumnimit, kremtuar në Shkodër, më 5 nëntor 2016.

Vuajtjet

Më 19 mars 1949 vdiq në spitalin e burgut të Durrësit kryepeshkopi 63-vjeçar Vinçenc Prennushi (1885- 1949). Poet, folklorist dhe përkthyes, Prennushi lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. Studioi në kolegjin katolik në Austri.

Më 25 mars 1908 u shugurua prift françeskan. Më 1940 u emërua kryepeshkop i Durrësit, duke u bërë një nga dy dinjitarët më të lartë të Kishës Katolike në Shqipëri.

Mblodhi këngë popullore nga fiset veriore të Shqipërisë. Përmbledhjen e një materiali folklorik ia botoi arkeologu dhe historiani austriak, një prej profesorëve të Eqrem Çabejt (1908-1980) – Karl Paç (Carl Patsch, 1865-1945) në “Kangë popullore gegnishte”, Sarajevë 1911.

Prennushi botoi artikuj në shtypin katolik të kohës si “Lajmtari i Zemrës t’Jezu Krishtit”, “Hylli i Dritës”, “Posta e Shqypnisë” dhe “Zani i Shna Ndout”. Më 1924 botoi në Shkodër vëllimin me poezi lirike “Gjeth e lule”.

Përmbledhja përmban gjashtëdhjetë e pesë poezi me frymëzim kombëtar e fetar. Përktheu në shqip romanin me temë nga historia romake “Quo vadis?” (1894-1896), Shkodër 1933, të shkrimtarit polak, fituesi i Çmimit Nobel (1905) Henrik Sjenkjeviç (Henryk Sienkieëicz, 1846-1916).

Përktheu edhe krijues gjermanë e italianë. Ndonëse nuk ishte aktiv në politikë, u arrestua nga regjimi komunist me akuzën “për faje kundra popullit e shtetit, për lidhje me grupet tradhtare, organizatën demokristiane, agjentët anglo-amerikanë, kriminelët e arratisur dhe gjithë klerikët reaksionarë katolikë” dhe u dënua nga gjykata ushtarake në Durrës si armik i popullit, me njëzet vjet burg e punë të rëndë.

Vincenç Prennushi u shpall i Lum nga Kisha Katolike më 5 nëntor 2016 në Shkodër, mes 38 martirëve të regjimit komunist, duke vlerësuar jetën e tyre, qëndresën, virtytet njerëzore e shpirtërore dhe mesazhin e dëshmisë së tyre për të sotmen.

Dëshmia

Arshi Pipa kujtonte ditët në burgun e regjimit komunist në Durrës me mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, me atdhetarin dhe njeriun e kulturës shqiptare dhe me martirin e Kishës Katolike, duke rrëfyer se si me duart e tija ia kishte “mbyllur sytë, sytë e lodhur e të shterur”, kur dha shpirt, klerikut të lartë katolik shqiptar, por njëkohësisht edhe të shkrimtarit, poetit, përkthyesit, publicistit dhe një studiuesi të rëndësishëm.

Robert Elsie e rendit Vinçenc Prennushin, pas At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës, si njërin prej shkrimtarëve më të vjetër dhe më të respektuar të Shkodrës dhe të letërsisë shqiptare.

I njohur dhe shumë i respektuar në kohën e tij, si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët, të cilët e quanin Imzot Prennushin “melek” që do të thotë “engjëll”, për respektin që ai gëzonte në mbarë shoqërinë shqiptare në kohën kur jetoi.

Gjatë viteve në burg pas ardhjes së komunizmit në pushtet, si kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Prof. Arshi Pipa ishte njoftuar dhe kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik, bashkëvuajtës me ‘ta, në birucat e tmerrshme të burgjeve komuniste – aty ku të gjithë ata që kundërshtonin regjimin komunist vuajtën “mundimet e territ” — përfshirë ndër ta edhe Ipeshkvin Vinçenc Prennushin, për të cilin Arshi shkruan se përveçse pasqyronte shumë vlera dhe virtyte, “Ishte i butë në shpirt, e i paqtë, thellë i devotshëm, i kushtuem kryekëput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen e tij për letërsinë”.

Pipa përshkruan Vinçenc Prennushin si një njeri, të cilin nuk e interesonte aspak politika, por që ishte gjithmonë i buzëqeshur në të folur, zemërgjerë në gjykime, i qetë e i sigurt në qëndrimet e tija të patundura.

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prennushin”, Arshi Pipa vë në dukje vuajtjet dhe mundimet, por edhe vlerat kombëtare, njerëzore dhe letrare të Vinçenc Prennushit, duke theksuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prennushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare, i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.”

Pipa shkruan se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri nga përfaqësuesit e letërsisë kombëtare, “Imzot Prennushi nuk do ta kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë, në të njajtën kohë, jo vetëm kundër fesë, por edhe kombësisë”.

Ndryshe nga persekutorët e tij komunistë, Pipa shkruan se jeta e Imzot Prennushit ishte “një jetë e panjollë”, në shërbim të disa prej idealeve më të shenjta njerëzore, siç janë Atdheu, arti dhe feja. Si i tillë, ai nuk mund të ndiqte diktatorin dhe ideologjinë e tij komuniste antifetare dhe antikombëtare.

Profesor Pipa rrëfen një bisedë që ka pasur me Prennushin, gjatë të cilës prelati i lartë kishtar i kishte folur për një takim të tij me Enver Hoxhën, i ftuar nga diktatori me qëllim për t’i imponuar pikëpamjet komuniste të tija ndaj fesë.

Ndonëse Enveri nuk kishte mundur ta bindte, shkruan Prof Arshi Pipa, Vinçenc Prennushi përfundon në burg, ndërkohë që Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim të ashpër kundër ipeshkvit katolik. I burgosur, i rrahur e i torturuar, “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa, për mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burrë gjashtëdhjetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronjë të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”.

Është ky përfytyrim, të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij. Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin, të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija.

Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prennushin, të cilit i referohet: “Këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”, megjithëse Imzot Prenushi vuante nga zemra dhe azma”.

Si njëri prej shkrimtarëve dhe përkthyesve të dalluar të kohës së tij, Arshi Pipa, rrëfen se si e pyeti me një rast në burg Imzot Prennushin nëse kishte lënë në shtëpi ndonjë dorëshkrim.

Ai i ishte përgjigjur se kishte përkthyer veprën “Dreizehnlinden”, të shkrimtarit Weber pas përfundimit të studimeve në Austri, sepse i kishte thënë Prennushi, kjo vepër përshkruan zakonet e malësorëve austriakë, por që sipas tij, kanë shumë gjëra të përbashkëta me malësorët tanë dhe se kjo ishte arsyeja që e kishte përkthyer në shqip.

Profesor Arshi Pipa përfundon rrëfimin e tij prej poeti, për vuajtjet dhe mundimet dhe për kohën e kaluar me Imzot Vinçenc Prennushin në burgun e Enver Hoxhës në Durrës, duke përshkruar ditët e fundit me të, ndarjen nga kjo jetë të prelatit katolik shqiptar, 70 vjet më parë: ”Atë natë kishte zjarr në vatër.

Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhur e të shterrur, që aq shumë kishin vuajtur për dritë, m’u duk se pashë në fëtyrën e tij të hajthët, të shkrirë, të paqët, mbas aq shumë mundimesh, nji ndriçim jo të zakonshëm.

Ndofta mua më bajshin sytë e përlotur, ndofta nuk ishte veçse një refleks i flakërimeve të kuqrremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropzat e syve. Por ndofta ishte diçka tjetër.

Shpirti që në grahmat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj kur dhimbja të prajë, të pushojë si ujt prej lymit që e pati trazuar.

Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë se si njerëzit vdesin për ideale”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa në dëshminë e tij për natën që u nda nga kjo jetë Vinçenc Prennushi.

Fatkeqësisht, njerëz me ideale si Imzot Vinçenc Prennushi i mungojnë sot Kombit shqiptar. Por, më mirë vonë se kurrë dhe me kohë, e vërteta po del në dritë dhe personalitetet kombëtare si Vinçenc Prennushi dhe idealet e tyre të atdhedashurisë dhe të dashurisë për të afërmin, pa dallime — do të zënë vendin që meritojnë në historinë dhe në kulturën e këtij kombi shumë të vuajtur.

Në qoftë se tregojmë respekt për simbolet e së kaluarës së Shqipërisë, siç është Vincent Prennushi, me të cilët duhet të mburremi të gjithë pa dallim, atëherë kemi arsye të besojmë se me gjithë problemet aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore, e ardhmja e Kombit shqiptar do të jetë më e mirë/ Dielli, Frank Shkreli.

ObserverKult


t'isha një lule musine kokalari

Lexo edhe:

ENVER HOXHA E DONTE MUSINE KOKALARIN, AJO E REFUZOI E AI U HAKMOR…

I ati, një diplomat në karrierë, ndërsa e ëma e lindur në shtetin helen, bijë nga një derë e pasur. Për shkak të pozitës së të atit, jeta deri në moshën 16-vjeçare i kish ofruar Makbule Frashërit gjithçka që dëshironte. Puhiza e lehtë e bregdetit grek, turra vrapi bashkë me shoqet në kopshtet e mbushura me portokaj të zonës së Lipjadhës pranë Korfuzit, ishin vetëm një pjesë e përditshmërisë së vajzës së përkëdhelur, të familjes Frashëri. Por, kthesa e papritur që do të merrte jeta e saj, menjëherë pas ditës që ata do të shkelnin në tokën shqiptare për të vizituar fisin e të atit – të cilët jetonin të shpërndarë mes Tiranës e Korçës – do t’i shembte realitetin përpara syve. Sistemi politik i kohës, ua mbylli kufijtë dhe ata nuk mund të ktheheshin në vendin fqinj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult