Kur më vdiq nëna – më shitën mizorisht…

kur ...

Kur çava buzën dhe u takova me zotin Tanaka, kur më vdiq nëna dhe kur më shitën mizorisht, e gjitha kjo ishte si një lumë që rridhte nëpër gurë para se të derdhej në oqean.

Kur isha më e re, mendoja se pasioni zbehet me moshë, si një gotë e mbushur, e harruar diku në dhomë, që dalëngadalë të gjithë elementet brenda saj shpërbëhen në ajër.

Por, ku të dy u kthyem brenda dhe iu dhamë njëri-tjetrit me aq dëshirë, duke ndier pambarim nevojën e njëri-tjetrit, e ndjeva veten të zbrazur nga gjithçka kishte marrë ai prej meje dhe të mbushur me gjithçka mora prej tij.

Nga Arthur Golden

Rashë në një gjumë të rëndë dhe pashë një ëndërr sikur isha në një banket në Gijon dhe bisedoja me një burrë të moshuar. Ai më shpjegonte se gruaja e tij, të cilën e kishte dashur jashtë mase, nuk kishte vdekur me të vërtetë, pasi kënaqësia e kohës që kishin jetuar së bashku, jetonte brenda tij.

Ndërsa dëgjoja këto fjalë, unë pija nga një tas supën më të jashtëzakonshme që kisha provuar ndonjëherë. Çdo gllënjkë ishte ekstazë. Fillova të ndieja se të gjithë njerëzit që kisha njohur, të cilët kishin vdekur ose me të cilët isha ndarë, në të vërtet nuk ishin zhdukur.



Ata vazhdonin të jetonin brenda meje pikërisht ashtu si gruaja e këtij burri jetonte brenda tij.


Ndjeva sikur po i gëlltitja të gjitha brenda vetes: motrën time Sacu, e cila më iku dhe më la aq të re; babanë dhe nënën time; zotin Tanaka me atë mirësinë e tij perverse; Nobun, i cili kurrë nuk më fali, madje edhe Chairman-in.

Supa ishte mbushur me gjithçka kishte ndodhur në jetën time dhe teksa e gëlltitja, fjalët e këtij burri më shkonin drejt e në zemër. U zgjova me lotët që më kishin rrëshqitur anash tëmthave dhe tërhoqa drejt vetes dorën e Chairman-it me frikën se kurrë s’do të isha në gjendje të jetoja pa të kur ai të vdiste e të më linte vetëm.

Në atë kohë ai dukej aq i dobët, sa nuk mund të mos më kujtonte nënën time të sëmurë, Jorido. Kur vdiq, vetëm disa muaj më vonë, e kuptova se më kishte lënë në fund të jetës së tij të gjatë krejt natyrshëm, siç binin nga pema gjethet e vjeshtës.

Nuk mund t’ju them se ç’na udhëheq në këtë jetë. Për veten time mund të them se rashë drejt tij siç bie guri drejt tokës. Kur çava buzën dhe u takova me zotin Tanaka, kur më vdiq nëna dhe kur më shitën mizorisht, e gjitha kjo ishte si një lumë që rridhte nëpër gurë para se të derdhej në oqean. Edhe tani që ai s’është më, e ruaj në kujtimet e mia më të shtrenjta. Edhe jetën time e jetova përsëri nga e para duke ua treguar juve.

*Shkëputur nga romani: Kujtimet e një geishe (Dudaj 2003, përktheu Rrezarta Reso)

ObserverKult

Lexo edhe:

PËRKTHIMET E VLORA KONUSHEVCIT PUBLIKOHEN NË REVISTËN PRESTIGJIOZE AMERIKANE “THE COMMON”