Legjenda: Djali që mësoi gjuhën e kafshëve

(Prekaz i Epërm, Drenicë)

Ish kanë ni çoban, burrë nja nizet vjeç. Aty afër ku i ruejke bagëtinë ni ditë u kall mali. N’midis t’zjêrmit qillon ni gjarpën e s’mujke me dalë pa u kallë. Nisi gjarpni me piskatë. Djali, qi ish tuj kullotë aty afër gjanë, e niu gjarpnin, e muer ni shtagë t’gatë e ja zgati gjarpnit shtagën përte’ zjêrmit. Gjarpni u avit e u kap për shtage edhe djali e çoi shtagën e e qiti n’kët anë ‘zjêrmit edhe e lshoi n’tokë. Kur pshtoi gjarpni, u gzue e i tha djalit:
-Ti, qi m’pshtove pej zjêrmit, lyp çka t’lypsh pare, se kam me t’i dhanë.
-Jo,-tha djali, -une nuk due pare. T’kam pshtue pse m’u ka dhimtë shpirti yt e s’t’kam pshtue për pare.
-Masi s’po do pare, -tha gjarpni-hajde te baba jem se ai t’ban çirak. Po mos lyp pare, veç lyp me t’i msue gúht e krejt mahlukatit.
Shkuen tu baba i gjarpnit e gjarpni i kallxoi babës vet qi çobani ja kish pshtue jetën. Gjarpni plak e dveti çobanin:
-Çka po don ti qi ma ki pshtue djalin? Sa pare po don?
-S’due pare, -tha çobani-veç me m’i msue gúht e tânë mahlukatit.
Gjarpni plak nuk mujke me ja kallxue gúht tjetërkujt se, n’qat dakik qi t’ja msojke gúht e mahlukatit, tjetërkujt, diske vetë. I tha çobanit:
-Gúht s’muj me t’i msue. Lyp çka t’duesh tjetër, po gúht s’muj.
Djali s’desht kurrgja tjetër e u nis me shkue tu gjaja qi i kish lanë vetun. Kur u kthye me shkue çobani, gjarpni i vogël i tha babës ‘vet:
-Ja po ja mso gúht çobanit, ja po shkoj e po hi n’zjêrm atje ku jam kanë, se ja kam dhanë besën çobanit, qi kam me i ba ni herë t’madhe, e ky s’po don tjetër sên sall me ja msue gúht. N’mos ja msofsh, une po digjna n’zjêrm.
Gjarpni plak s’pat shka me ba. E thirri çobanin edhe filloi me ja msue gúht e mahlukatit. Kur ja msoi, i tha:
-N’bafsh me i kallxue kuj qi i merr vesh gúht e mahluktatit, ti des sikur po des unë qi t’i kallxova ty. –Edhe n’ato fjalë gjarpni plak diq.
Çobani u kthye te gjaja. U ul n’ni vên e po rri. S’vonoi e qê po fluturojnë dy korba. Po i thotë njani tjetrit:
-Me kanë me ditë ky çobani e me shkue e me gropue ku â’karaxha tu hangër n’arë, shum pare i gján sa s’ja merr kuj mênja.
Çobani i njeu korbat kah folin, i muer vesh, i hodh sytë n’livadh ku ish karaxha dhe u çue edhe e nguli ni shtagë bash ku ke karaxha tuj hangër qi mos me e harrue vênin. U çue masanej, shkoi tu shpija e i tha vllaznive:
-Merrni do tarrakopa e çka ju duhet e hajdini se e di ku janë do pare.
I marrin mashkujt tarrakopat e kacijat e shkuen me çobanin. Kur mrrinë tu shtaga, çobani tha:
-Groponi, qitu!
Pak gropuen, ni metër, e duelën s’di sa qypa t’mushun plot me dukat. I kapën qypat e i çuen tu shpija. U banë zingjina. I nreqen shpijat, blenë çka paten nevojë, e martuen çobanin e ja muerën ni grue shum t’hieshme.
N’krye t’disa muejve shkoi grueja n’gjini te baba i vet. Mas sa dite çobani shkoi me e marrë gruen e me pru n’shpi. Muer atkinë me vedi. Kur muer me u kthye pej shpije me gjith t’shoqen, çobani hipi n’at e grueja n’atki. Po shkojnë udhës. Ja mrrinë tu ni lloq. Ati çpejtoi e duel sa ora n’at anë ‘lloqit. Hini atkija përmas n’lloq, po nuk po munet me dalë çpejt, po ma kadalë se ati nëpër lloq. Ati i tha:
-Pse po shkon kaq kadalë? A m’pave unë sa çpejt dola?
-Po, -tha atkija-t’pava. Ti e ke pasë kallaj me dalë me dy shpirta: ni shpirt tânin e ni shpirt t’zotnisë. Unë e kam ma zor.
-Pse e ki ti ma zor?-i tha ati.
-Se unë kam ngarkim katër shpirta: têmin, mazin n’bark-dy; zoja, tri, edhe thminë ngarkuet-qè, u banë katër shpirta. Për atâ unë u vanova.
Kur i niu kah folën, zotnija i muer vesh, iu ba qejfi e keshi se nuk e kish pasë ditë qi âsht e shoqja ngarkuet e pela barsë. Grueja e pveti t’shoqin:
-Allahile çka pate qi keshe?
Kurrgja, -i tha i shoqi.
-Jo, ti besa diçka pate se njeri s’keshet kot, i tha prap grueja.
Djali s’i kallxoi, se, me i kallxue qi i kish marrë vesh fjalët e atit e t’atkisë, diske.
Kur shkoi n’prâmje me ra n’sobë, grueja ja kish mshelë derën përmrèna me bravë e nuk e len me hi.
-Çilma derën, mori!-i tha i shoqi.
-Jo, ja kthei e shoqja.
-Pse?
-Sta çeli derën për pa m’kallxue pse keshe tu balta.
-Çilma ,mori, po t’tham!
-Jo, besa, veç ne ma dhash fjalën qi m’kallxon.
Çobanit po i vjen inati m’u kthye n’shpi e m’e marrë vesh mashkujt qi s’ja çeli grueja derën. N’anën tjetër s’mujke me i kallxue se e dike qi diske. Pá s’pá e i tha:
-Çilma derën se po ta jap besën qi nestra natjet t’kallxoj.
Grueja ja çeli derën e çobani hini e fjeti teri n’sabah. Kur u çue, prap po e dvet grueja pse kish keshë te balta.
-Unë paç me t’kallxue, -i tha çobani-po, sa t’kallxoj, unë des.
-Veç me m’kallxue çka keshe, -tha grueja e s’e muer n’sy hiç qi i shoqi kish me i dekë.
-Bimi ibrig e legen t’marr avdes se meniherë, sa t’kallxoj , do t’des, e barëm t’des me avdes.
Ky po merr avdes e knuesi po e sheh e po e din qi çobani don me dekë kur t’kallxon. Po flet me vedi n’guhë t’vet edhe po késh.
-Hej, more budallë! Une nizet gra i kam edhe, kur e gjâj ni kokërr kallamoq, u thrras t’tanët ,, Ko, ko, ko ko”, edhe t’vijnë t’tanat aty, at kokërr kallamoq qi âsht, e ha unë e ato s’bâjnë zâ hiç. E ti po do me e dhanë jetën tane sod për qefin e ni grueje. Kape e futja dy tri shuplaka e mos i kallxo e pshto jetën tâne.
Çobani e ngoi knusin, ja dha nja dy shuplaka t’shoqes e i tha:
-Për qitâ kam keshë.
Prej asaj dite grueja s’e dveti ma për at punë e çobani pshtoi e rrnoi i lum me grue t’vet.

*Shkëputur nga libri i Anton Çettës: “Nga folklori ynë I”

Përgatiti: ObserverKult