“Mos më prit të lutem,
shko,
sot nuk mundem”.
Ku të iki? Ku?
Është ora kur ti vjen.
Kam veshët ngritur të dëgjoj hapat në shkallë,
të brof në këmbë e të hap derën,
të të shoh ndërsa rrëshket brenda
e si drenushë e trembur të më thuash:
“mbylle të lutem ndoshta dikush na pa”.
pastaj, të ulemi mbi divan
e ende pa t’përqafua e puthur, të të zbërthej sandalet,
të të fërkoj këmbët e lodhura nga rruga,
të të shoh buzët që të dridhen në cepa,
të të shoh sytë që lëvizin gjithë dëshire e frikë,
të të prek duart e të qetësohemi.
Të përkëdhel,
Të puth…
jo e dashur!
Nuk dua të shkoj,
në çdo çast mund të vish!