Leonard Cohen: Shtëpia!

leonard cohen stili

Ajo ditë nuk ishte e imja!

E kuptova që kur e pashë në kalendar,
Derisa po ecja mes shumë këmbësh, poshtë në park.

Mësova, epshet e mia nuk janë kryevepër.

Kryeveprat duken ndryshe, si ndërtesa të larta,
Mund të jenë edhe luftëra të planifikuara, diçka e tillë,
Dhe njeriu që u rrit nga gjeneralët,
Mendoja, meritonte diçka më të mirë.

U ktheva qetësisht ta shoh shtëpinë, unin tim,
Që e kisha lënë në këtë rrugë,
Por, bashkë me të po zhdukej edhe kthimi im.

Dëgjo, më keni thënë se vuajtja më ka mësuar shumë gjëra,
Por, unë jam shumë i ngadalshëm kur mësoj,
Prandaj flas vetëm për yje dhe stuhi.

Thërras Galileun e vogël brenda meje,
Eja këtu, ti që ke zhveshur vizionin tim
Gjithçka është më e lehtë tani!

Thërras mes jush,
Sikur të ma qerasnit një ëmbëlsirë,
Për ta shuar zjarrin tim, që po bëhet hi,
E di se të habitur do të pyesni:
Çka po ndodh me ata uraganë e yje që i ke ti?

Përktheu: Adelina Çoçaj Ismaili