Letër dashurie: Këtë mëngjes të pashë përsëri në ëndërr…

Milena Jesenska ishte e martuar kur, në vitin 1920, i shkroi Franz Kafkës një letër ku i kërkonte të përkthente një nga librat e tij. Ajo letër ishte pikënisja e një korrespondence sa filozofike, aq edhe pasionante. Kafka vendosi t’i jepte fund marrëdhënies së tyre pasi Milena nuk pranoi të linte të shoqin. Pas vdekjes së Kafkës, letrat që shkrimtari i kishte dërguar Milena ia dha Max Brod-it, i cili i botoi në vitin 1952 me titullin “Letra Milenës”. Por letrat që Milena i dërgoi Kafkës nuk u gjetën, me shumë mundësi ishte shkatërruar.

Më poshtë është një prej letrave që Kafka i ka shkruar Milenës:

(Meran, 15 Qershor 1920)
E martë

Këtë mëngjes të pashë përsëri në ëndërr. Ishim ulur pranë njëri-tjetrit dhe ti më refuzoje, jo me të keq, me mirësjellje.
Unë isha shumë i pakënaqur. Jo për refuzimin, por për veten, që të trajtova si një grua memece dhe e injorova zërin që vinte nga ty dhe po më fliste. Ose mbase nuk e kisha injoruar, por nuk qeshë në gjendje t’i përgjigjesha.
U largova edhe më i dëshëpruar se në ëndrrën e parë.
Po më kujtohet  që, dikur kam lexuar tek dikush një gjë pak a shumë të tillë: “E dashura ime është një shtyllë zjarri, që kalon mbi tokë. Tani më mban të mbërthyer.
Por ajo nuk udhëheq të mbërthyerit, por ata që shikojnë”.
I yti

(tani po humbas dhe emrin, vazhdon e bëhet më i shkurtër dhe tani është: Yti)

*Shkëputur nga libri i Franz Kafkës: “Letra e Milenës”

Përktheu: Marsela Likaj


Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

Letër dashurie: Në çka kam gabuar? Vetëm pse të dua?