Letër dashurie nga Charles Baudelaire: Sikur ta dije çfarë ndjej unë…

Letra e Charles Baudelaire dërguar së dashurës, Jeanne Duval:

Lermë të thith gjatë, gjatë, aromën e flokëve të tu. Të zhys krejt fytyrën në ta, si i eturi në ujin e burimit, t’i valëvis me duar si një shamizë e parfumosur, për të shkundur kujtimet në ajër.

Sikur ta dije çfarë shoh unë në atë flokënajë! Sikur ta dije çfarë ndjej unë! Sikur ta dije atë që dua të them ndër flokët e tu! Shpirti im udhëton mbi aromën e tyre, siç shpirti i të tjerëve udhëton në muzikë.

Flokët e tu mbajnë brenda një ëndërr të tërë, mbushur vela dhe direkë: përmbajnë dete të paanë, musonet e të cilëve më shpien drejt vendeve me klimë magjepsëse, ku hapësira është më e hirshme dhe më e thellë, ku atmosfera është aromatizuar me fruta, gjethe e aromë lëkure.

Në oqeanin e flokënajës sate shoh një liman gumëzhitës me këngë melankolike, ku gëlojnë burra të fuqishëm nga çdo komb, anije të të gjitha formave, të cilat gdhendin arkitekturën e tyre delikate dhe të vështirë nën një qiell të pafund prej nga nxehtësia e përjetshme është braktisur.

Në ledhatimet e flokënajës sate unë rigjej lëkundjet e orëve të gjata kaluar në një divan, në dhomëzën e një anijeje të bukur, përkundur nga rrotulla e padukshme e portit, mes vazove me orkide që lulëzojnë.

Në vatrën përvëluese të flokënajës sate thith aromë duhani përzier me atë të opiumit dhe sheqerit.

Në natën e flokënajës sate, sodis pafundësinë e vezullimit blu tropikal; në brigjet e gëzofta të flokënajës sate, dehem prej aromës së katranit përzier me aromë myshku e vaj kokosi. Lermë t’i kafshoj gjatë gërshetat e tu, të rëndë e të zinj! Kur gëlltis flokët e tu të butë dhe kryeneçë, ndihem sikur ha kujtimet.”

Shqipërimi nga: Rielna Paja

ObserverKult


Lexo edhe:

GABOJMË GJITHMONË. GABOJMË NGA INATI, NGA DASHURIA, NGA XHELOZIA!