Letër dashurie për Petrit Rukën

petrit

Sot, në këtë ditë dhembjeje, nuk di çfarë të kujtoj më parë i shtrenjti vëllai im PETRIT RUKA…

Më vijnë të pleksura e të ngatërruara të gjitha bisedat, “grindjet” e endjet tona poetike…por ajo që nuk do e harroj kurrë, është:
“Motrushka ime Su, ti je një grua e fortë e jugut. Mos u struk në errësirë.
Errësira të vret shpirtin.
Vazhdo të shtrydhësh portokaj poezie për të ëmbëlsuar shpirtërat e lexuesve. Ndihem me fat që të kam.”
U ndjeva e vogël sa një grimcë rëre, para oqeanit tënd të pafund shpirtëror dhe poetik.
Ndihem unë me fat që të kisha dhe të kam, Petrit Ruka.
Ndihem me fat që jam bashkëkohëse me ty dhe poezinë tënde.
Ndihem me fat që ishe, je dhe do mbetesh, mik i shtrenjtë i familjes sime.
Ndihem me fat që jam ushqyer me poezinë tënde të pakrahasueshme.
Ndihem me fat që pata dhe kam një mik i cili i këndoi dashurisë njerëzore më bukur se askush tjetër ndër të gjallët…
Ndihem me fat që shpirtërisht je ende këtu dhe do të nderohesh e kujtohesh, edhe atëherë kur emrat, ne të gjallëve, do na i ketë mbuluar pluhuri i shekujve…
Ndihem me fat që u enda, u deha, humba në Perandorinë e madhe Poetike të cilën Ti e pikove nga shpirti yt dhe e ende me talentin tënd të pashoq…
Unë ndihesha dhe do të ndihem deri sa të jap frymë, “Motrushka jote” dhe do vazhdoj të shtrydh portokaj dashurie e mirënjohjeje për ty…

Lamtumirë PETRIT RUKA!
U pjekshim në një botë më të mirë…në atë dimensionin ku Zoti ynë, tash është duke lexuar poezitë e tua…

E jotja,
Su

*Marrë nga profili në Facebook i “Zisi Suzana”


Lexo edhe:

PETRIT RUKA: MBAHU, ZEMRA IME!