A është mosnjohja e gjuhëve një prej shkaqeve për të menduar se tjetri është armiku ynë? Si reflektohet mosnjohja e tjetrit në letërsinë shqipe, serbe, kroate? Dhe kush po përkthen më së shumti vepra serbe në shqip?
“A keni ndonjë vepër të ndonjë autori nga Shqipëria apo Kosova?”, ishte pyetja që i kemi shtruar shumë botuesve dhe librarive në Beograd, Novi Sad, Sarajevë dhe Banjallukë. Përgjigjet më të shpeshta ishin: “Jo”, ose “të shikoj pak… Jo”.
Vladimir Manigoda nga shtëpia botuese serbe “Kontrast” thotë: “Nuk ka mjaft përkthime, si pasojë nuk ka ndonjë industri serioze botuese që do të zgjonte interesimin për autorët e gjuhëve të tjera të rajonit. Matija Boshnjak nga shtëpia botuese Connectum (Sarajevë) mendon se në kuptimin letrar apo distributiv nuk ekziston ndonjë pengesë serioze për të gjetur vepra të autorëve shqiptarë në libraritë e Bosnjë-Hercegovinës. “Por kërkohet një punë shumëvjeçare për të afirmuar ndonjë autor në ndonjë kulturë të caktuar, që ai të ketë një reputacion, në mënyrë që librat e tij të lexohen shumë dhe shiten mirë”, thotë Boshnjak për Deutsche Wellen.
Ndërsa Jeton Neziraj mendon se rrjeti distributiv është shkatërruar dhe se të gjitha ngjarjet e rëndësishme tani ndodhin në Prishtinë. “Do të thosha se libraritë në Kosovë janë të hapura për autorë nga rajoni, por shtrohet pyetja: A ka ndonjë interesim për këto vepra dhe si do të shiteshin ato? Shitja në të shumtën e rasteve është shumë e dobët. Pikërisht për këtë shkak librat që kemi përkthyer ua kemi falur bibliotekave të qyeteve”, thotë Neziraj për DW.
Tregu apo ideologjia?
Qerim Ondozi, përkthyes nga Kosova, shpesh bashkëpunon me Connectum nga Sarajeva por edhe botues të tjerë. Aktualisht është duke përkthyer “Dnevnik selidbe” (Ditari i shpërnguljes), të autorit Xhevad Karahasan. Ondozi ia ka ofruar këtë titull së pari botuesit Koha Ditore, por ai e ka refuzuar me shpjegimin, se nuk është mjaft atraktiv në kuptimin komercial. “Kur bëhet fjalë për përkthimet nga gjuhët boshnjake, serbe dhe kroate në shqip dhe anasjelltas, një punë të madhe është duke bërë organizata joqeveritare “Qendra Multimedia”. Botuesit e tjerë nuk janë seriozisht të interesuar, përveç disa botuesve në Shqipëri. Me fjalë të tjera, botuesit shqiptarë bëjnë shumë përkthime dhe pastaj i eksportojnë këto libra në Kosovë, ndaj botuesit në Kosovë nuk kanë tepër shanse të zhvillohen në këtë drejtim”, thotë Ondozi për DW.
Ben Andoni, përkthyes nga gjuha shqipe në serbisht, mendon se veprat në gjuhën shqipe përkthehen shumë rrallë në Serbi, ndërsa veprat në gjuhët e ish-Jugosllavisë përkthehen shpesh në Shqipëri. Andoni i ka përkthyer vullnetarisht veprat e disa autorëve dhe më pas ka kërkuar shtëpi botuese.
“Ekzistojnë tri lloje të bashkëpunimit dhe financimit. Njëri lidhet me fondacionin „Traduki”, pra me financimet nga Gjermania, por në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës në Serbi, Shqipëri dhe vendet e tjera. “Traduki” ka merita të mëdha për zhvillimin e bashkëpunimit në vendet e Ballkanit. Burimi i dytë i financimit është Ministria e Kulturës dhe Informimit në Republikën e Serbisë dhe Ministria e Kulturës në Shqipëri, e cila financon pak më rrallë. Ndërsa forma e tretë e financimit bëhet përmes projektit “Evropa kreative”, që është një program i Bashkimit Evropian”, shpjegon Andoni.
Jeton Neziraj, shkrimtar, skenarist dhe drejtor i Qendrës Multimedia thotë se organizata e tij joqeveritare nuk është mbështetur kurrë financiarisht nga ndonjë burim publik financiar në Kosovë. Për publikimin e ndonjë vepre të autorëve shqiptarë apo për përkthime nga gjuha serbe, boshnjake, kroate apo malazeze në shqip, pohon Neziraj.
Rivendosja e lidhjeve
“Me përkthimin në shqip të veprave të autorëve nga Serbia është kompromentuar reputacioni ynë në një farë mënyre tek të punësuarit në Ministrinë e Kulturës, libraritë dhe botuesit. Përkthimi i letërsisë nga gjuha serbe në shqip paraqet një lloj akti vetëvrasës për përkthyesin. Por edhe kjo po ndryshon ngadalë, në veçanti kur dihet se shumë botues nga Shqipëria interesohen shumë për përkthimin e veprave nga gjuhët e ish-Jugosllavisë në shqip. Pengesat e vjetra po largohen, por shumë ngadalë”.
Para nëntë vitesh “Qendra Multimedia” në Prishtinë dhe “Beton” në Beograd kanë botuar antologjinë e letërsisë shqipe dhe serbe, në dy vëllime: “Nga Beogradi me dashuri” dhe “Nga Prishtina me dashuri”. “Qendra Multimedia” dhe “Krokodil” nga Beogradi kanë organizuar edhe festivalin e parë shqiptaro-serb me titull “DO YOU READ ME”, në Mitrovicën e Jugut. Ato kanë pasur edhe një projekt të përbashkët dyvjeçar me titull “Neighbors”, i cili për qëllim kishte rrjetizimin e skenës letrare në Kosovë dhe Serbi dhe shkëmbimin mes këtyre dy vendeve, përmes festivaleve të shtëpive botuese “Krokodil” dhe “Polip” si dhe projektit “Reading Balkans”. Vladimir Arsenijeviq, drejtor kreativ, pohon se “Krokodil” është duke kërkuar donatorë që do të mbështesnin këto projekte. Në kuadër të projektit “Reading Balkans”, këtë vit në Prishtinë do të organizohet prezantimi i autorëve Jasna Zhmak nga Kroacia, Zlatko Pakoviq nga Serbia dhe Jean Lorin Sterian nga Rumania, thotë Arsenijević për DW.
Sasha Qiriq, kritik letrar dhe publicist, ka analizuar veprat e autorëve nga Kosova dhe Shqipëria, që janë përkthyer në gjuhën serbe pas vitit 2000. Në përmbledhjen “Figura e armikut – rimendim i raporteve shqiptaro-serbe”, Qiriq vëren se në asnjë vepër të përkthyer në gjuhën serbe nuk ekziston ndonjë shembull i miqësisë ndëretnike apo lidhjeve të dashurisë. Qiriq megjithatë mendon, se shembujt e satirës kritike ndaj autoritarizmit politik dhe konservatorizmit patriarkal, si dhe shembujt e tolerancës fetare dhe kundërshtimit të revanshizmit, paraqesin themel të mirë për kuptimin më të mirë të tjetrit në raportet shqiptaro-serbe. “Kjo vlen edhe për mundësinë e transformimit të një personi nga kategoria e armikut (induktiv) dhe të panjohurit të rrezikshëm në kategorinë e fqinjit, me mundësinë e rivendosjes së bashkëjetesës dhe bashkëpunimit”, konstaton Qiriq.
Autor: Ljupko Misheljiq/ DW