Letërsia si art dhe interpretimi si proces mendimi

Shtëpia botuese “Agoraprint” nga Shkupi ditëve të fundit ka botuar librin LETËRSIA NË MES TË INTERPRERTIMIT DHE KRIJIMIT të shkrimtrait dhe studiuesit, Emin Azemi. Përmes këtij libri argumentohet se krijimi letrar, në thelb, mbetet akt lirie – i autorit që zgjedh fjalën, figurën, metaforën – ndërsa interpretimi është akti i lexuesit që i jep kuptim këtij universi të hapur. Asnjëri prej tyre nuk mund të përjashtojë tjetrin: një tekst pa interpretim mbetet i heshtur, ndërsa interpretimi pa tekst është i pamundur.

Struktura përmbajtësore e tematike e librit “Letërsia në mes të krijimit dhe intepretimit”ngrihet mbi një hark kohor më shumë se 40 vite, ku janë marrë në shqyrtim, në formë recensionesh, esesh e vështrimesh kritike, autorë dhe libra të zhanreve të ndryshme.  Ky liber duhet kuptuar edhe si kronikë autetnike e një vëzhgimi të kujdesshëm teoriko-letrar mbi letërsinë e krijuar në vitet 80-të, 90-të deri në vitet e sotme. Shikuar nga këndvështrimi i tanishëm kohor, këto shkrime arrijnë të përçojnë jehonën e një formimi intelektual e letrar edhe të vet autorit të librit.

Letërsia si art i të shkruarit zbërthen botën e ndjenjave, mendimeve dhe përvojave njerëzore, ndërsa interpretimi i saj sjell këndvështrime të reja përmes leximit, analizës dhe qasjes kritike. Marrëdhënia midis krijimit dhe interpretimit shfaqet si një dialog i pandërprerë mes autorit, tekstit dhe lexuesit. Në këtë dialog, letërsia fiton jetë të shumëfishtë.

Qasjet bashkëkohore të interpretimit (hermeneutika, dekons-truksioni, semiotika, narratologjia etj.) na mundësojnë që tekstin ta shohim jo vetëm si vepër estetike, por edhe si strukturë mendimi, si hapësirë ku ndërthuren diskurset kulturore, identitare dhe historike.

Përtej kësaj, libri përpiqet  të ndërtoj një urë midis këtyre dy botëve: botës së autorit dhe botës së lexuesit, të krijoj hapësirë dialogu midis teorisë dhe praktikës, midis estetikës dhe kritikës. Letërsia si art dhe interpretimi si proces mendimi janë të ndërvarura – dhe kjo ndërvarësi e bën tekstin letrar të pavde-kshëm.

Ky libër synon të sjellë qasje të reja në leximin e letërsisë moderne, duke analizuar mekanizmat e brendshëm të tekstit, rolin e lexuesit, procesin krijues dhe transformimet që pëson vepra në kontakt me kohën, kulturën dhe teoritë interpretuese.

Interpretimet e mëdha të letërsisë botërore (Homerit, Dante Aligerit, Servantesit, Balzakut, Tolstoit, Prustit, Xhojsit, Kafkës etj.) na dëshmojnë se ikja e artit nga një epokë në tjetrën është po aq e natyrshme sa edhe ndryshimi i vetë njeriut. Letërsia mbetet hapësirë ku identitetet formohen e ringrihen, ku interpretimi mbetet i hapur dhe i pafund.

Në këtë univers të pasur dhe të ndërlikuar të letërsisë shqipe, çdo poezi, rrëfim dhe studim kritik bëhet një urë midis së kaluarës dhe së ardhmes, një thirrje për reflektim dhe ripërtëritje të kujtesës kolektive.

Libri LETËRSIA NË MES TË INTERPRERTIMIT DHE KRIJIMIT synon të ofrojë një spektër të gjerë të kontributeve të autorëve dhe veprave që, në kohë dhe hapësira të ndryshme, kanë afirmuar identitetin, kulturën dhe vetëdijen kombëtare të shqiptarëve, ndërkaq leximi bëhet akt qytetar, ku vlerat morale dhe estetikë ndërthuren dhe ku përmes artit letrar, historia dhe kultura shqiptare rifitojnë dritën e tyre të plotë.

Për rrjedhojë, të gjitha veprat e mara në shqyrtim nuk janë thjesht dokumente letrare të së kaluarës, ato janë instrumente reflektimi, laboratore estetike dhe intelektuale, ku lexuesi ftohet të depërtojë në rrjedhën komplekse të historisë, të humanizmit dhe të artit, duke kuptuar se trashëgimia shpirtërore, kulturore dhe intelektuale e shqiptarëve është jo vetëm pasuri e së shkuarës, por edhe udhërrëfyes për të ardhmen.

Përveç si informacion dhe burim referencash mbi autër dhe vepra të cakltuara, ky libër synon të rindërtojë copëzat e shpëndara të gjeografisë kulturore shqiptare, nga Hasi në Kalabri e Sicili, nga Shkodra në Shkup, nga Vlora në Prizren, nga Tetova në Prishtinë, nga Struga në Preshevë etj.  Në këtë kontekst, tradita e hershme letrare shqipe, siç rezulton edhe nga faqet e këtij libri, pasqyrohet tek Pjetër Bogdani, ku “Çeta e profetëve” dhe cikli poetik i sibilave shfaqin ndërthurjen mes traditës biblike dhe shpirtit poetik shqiptar, duke afirmuar identitetin kulturor dhe lidhjen mes besimit, artit dhe dijes. Ndërkaq, në rrjedhën e letërsisë arbëreshe, ku tradita dhe miti bashkudhëtojnë me vetëdijen e përkatësisë kulturore, poema “Kënga e sprasme e Ballës” e Gavril Darës së Ri mbetet një monument poetik që shënon kalimin nga rrëfimi epik te ndërgjegjja kombëtare e shkruar në varg. Kjo vepër, e konsideruar ndër kryeveprat e romantizmit arbëresh, mbart në vetvete një mistifikim të vetëdijshëm, i cili nuk synon ta fshehë autorin, por ta ringjallë zanafillën historike të rrëfimit, aty ku “historia” e shkruar nga të tjerët përzihet me idealin poetik të vetë-krijimit.

Një libër që merr në shqyrtim vepra të shkruara para disa dekadave, çka mund t’i flet kohës së sotme? Kjo pyetje është e ndërlidhur edhe me gjendjen e kritikës letrare dhe studimeve letrare përgjithësisht. Kjo pyetje është edhe  reflektim i gjendjes së mendimit letrar dhe intelektual në mjedisin tonë kulturor, ku mendimi kritik shpesh hesht, ose reduktohet në recensione infor-mative pa metodologji të qartë dhe pa kriteret etike që e fuqizojnë vlerësimin estetik. Ndërkohë që shkrimtarët shpesh e shohin kritikën si një instruktor ose tutor personal, pavarësia dhe objektiviteti i saj mbeten të pamundura, duke e lënë atë të hetero-gjenizuar dhe të paintegruar në një sistem të vlerave letrare të qëndrueshme. Mungesa e vëmendjes mediatike, deficit i minutazhit në radio dhe televizion, si dhe mungesa e strategjive profesionale për stimulimin e diskursit kritik, e shtojnë këtë krizë, duke shfaqur nevojën urgjente për debate të organizuara, konkurse letrare dhe inkorporimin e teorisë dhe stilistikës letrare në kurrikulat akademike. Vetëm duke ngritur një kritikë të pavarur, metodologjike dhe të vëmendshme ndaj prodhimtarisë letrare, siç pretendon edhe ky librër,  mund të sigurojmë që letërsia jonë të ketë shtyllën e saj të fortë, të qëndrueshme dhe të besueshme, e cila jo vetëm vlerëson veprën, por edhe udhëheq zhvillimin e mendimit estetik dhe kulturor të brezave të rinj.        

ObserverKult

———————————

Lexo edhe:

EMIN AZEMI KUJTON BEQIR MUSLIUN: ENDE TRAJTOHET SI HERMETIK, KA ARDHË KOHA TA NJOHIM MË TEPËR!