Letra emocionale e Bodlerit për të dashurën e tij

Sharl-Pier Bodler

Sharl-Pier Bodler, poeti, kritiku i artit, eseisti, përkthyesi, etj. ushqehej me romantizmin, i orientuar drejt klasicizmit.

Në udhëkryqin e lëvizjes parnasiane dhe simbolizmit, ai qe zëri i modernitetit dhe zuri një vend të rëndësishëm midis poetëve francezë.

Zhanë Dyval (Jeanne Duval), kërcimtare dhe aktore franceze me origjinë nga Haiti, u takua me Bodlerin në vitin 1842, një histori dashurie e stuhishme dhe e trazuar që shënoi 20 vitet e ardhshme të jetës dhe poezitë e poetit. “Zonja midis dashnoreve” ose “Afërdita e zezë” frymëzoi shumë nga poezitë e tij, si “Ballkoni”, Parfumi ekzotik”, “Gjarpri që vallëzon”. Zhanë ishte Afërdita e zezë e Bodlerit, me një bukuri të rrezikshme dhe plot mistere.

“Më lër të thith gjatë kundërmimin e flokëve të tu, përsëri e përsëri, më lër ta zhyt fytyrën brenda tyre, sikur i eturi në ujin e burimit dhe t’i valëvis me dorë si një shami e parfumosur për të ajrosur kujtimet. Sikur të dije çfarë shoh unë në atë floknajë, sikur ta dije se çfarë ndiej unë në to, sikur ta dije se çfarë dua të them ndër flokët e tu! Shpirti im udhëton pas erëmimit tënd, ashtu si shpirti i të tjerëve udhëton pas melodisë.

Flokët e tu mbajnë brenda një ëndërr të tërë, mbushur vela dhe direkë; dete të paana, musonet e të cilëve më shpien drejt vendeve me klimë magjepsëse, ku fushëpamja është më e kaltëruar dhe më e thellë, kur atmosfera përhap aromën e frutave, gjetheve dhe lëkurës së njeriut.

Në oqeanin e floknajës tënde, shoh një liman gumëzhitës me këngë melankolike, me burra të fuqishëm ardhur nga kombësi të ndryshme, anije të të gjitha formave, arkitekturat e ndërlikuara dhe delikate të të cilave spikasin në qiellin e paanë, të pushtuar nga një zheg përvëlues.

Në ledhatimet e flokëve të tu, unë rigjej kapitjen e orëve të gjata kaluar në një divan, në kabinën e një anijeje të bukur, përkundur nga rrotulla e padukshme e portit, mes vazove me lule dhe terrina flladitëse.

Në prushin përvëlues të flokëve të tu, thith aromë duhani përzier me atë të opiumit e sheqerit; në bunacën e flokëve të tu, sodis pafundësinë e vezullimit blu tropikal; në brigjet e gëzofta të flokëve të tu, dehem prej aromës së katranit përzier me myshkun dhe vajin e kokosit. Lërmë t’i nduk gjatë ato gërsheta të rëndë e të zinj. Kur marr cimbisje të lehtë nga flokët e tu të butë e kryeneçë, ndihem sikur po kapërdij kujtime”.

ObserverKult


Sharl-Pier Bodler

Lexo edhe:

SHARL BODLER: AJO ME HISTORINË E SAJ MË BËRI TË JETOJ…

… Ai që vrojton nga jashtë, për të mësuar se ç’ndodh pas një dritareje të hapur, s’arrin të marrë vesh kurrë aq shumë gjëra, se sa ai që arrin të shohë matanë një dritareje të mbyllur. Nuk ka objekt më të thellë, më misterioz, më intrigues, më të errët e më verbues, se sa një dritare e ndriçuar zbehtë nga drita e mekur e qiririt.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


MAHMOUD DARWISH: AJO NUK ERDHI… AS NUK DO TË VIJË…

Ajo nuk erdhi dhe me vete thashë:
As nuk erdhi, as nuk do të vijë.
Mbrëmjen e sajova sipas zhgënjimit tim
dhe mungesës së saj.
Fika qirinjtë e saj,
ndeza dritën,
piva gotën e saj të verës, pastaj e theva,
dhe ndërrova muzikën ritmike të violinave,
me këngë perse.
I thashë: Nuk do të vish.
prandaj, do ta heq kollaren
elegante. Kështu ndihem më rehat.
Do të vesh pizhamet blu
dhe do vardallosem zbathur.
Nëse dëshiron, mund të ulem dhe këmbëkryq
mbi divan, e të të harroj
madje të harroj gjithçka që ka të bëjë me mungesën.
I ktheva gjërat që kisha përgatitur për festën tonë brenda në sirtarë dhe hapa të gjitha dritaret e perdet.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult