Libër me vlera historiografike dhe memoaristike

libër

(Sami Qerimi, Koha e ngritjes, e krenarisë dhe e dhimbjes, Prishtinë, 2011)

kosovar basha libër

Nga Kosovar Basha

Sami Qerimi (1929-) është inxhinier i agronomisë dhe figurë e rëndësishme shoqërore dhe politike e periudhës së socializmit në qytetin e Preshevës dhe rrethinës e më gjerë.

Përmbajtja e librit

Libri në fjalë është një dokumentim i hollësishëm në formën e kujtimeve nga autori Sami Qerimi. Ky personalitet me një elokuencë të madhe na jep një relief të hollësishëm të ngjarjeve ku ai është dëshmitar.
Libri është i ndarë në shumë sythe interesante ku autori me shumë faktografi na sjell dëshmi të ndryshme. Që në fillim mësojmë shumë çka mbi qytetin e Preshevës ndër shekuj dhe familjen e Sami Qerimit.
Pos këtyre rreshtave, në mesin e pjesëve me interes është edhe pjesa ku bëhet fjalë mbi Preshevën e fëmijërisë së autorit, ku në detaje jepet një pasqyrë e jetës së tij gjatë viteve ’30 të shek.XX.
Memorja e autorit është e freskët dhe në faqet e librit mësojmë mbi shkollimin e tij fillor dhe të mesëm. Pushtimi i Preshevës nga forcat bullgare përkon fuqishëm me formimin e tij. Kushtet e vështira politike, bën që shkollat në këtë qytet të ishin vetëm në gjuhën bullgare dhe kësisoji autori do të merrte rrugën e shkollimit për në qytetin e Prishtinës.

Me një shkrim të bukur, autori, shtjellon karakteristikat e qytetit të Prishtinës gjatë LDB duke e portretizuar atë si qytet të vogël dhe oriental, me qarshi, pazar, ëmbëltore, sinagogë, si dhe shkollën e mesme normale “Sami Frashëri”.
Në këtë vatër arsimore mësojmë së drejtor ishte Rexhep Krasniqi dhe drejtor i konviktit Vasil Andoni. Por një rëndësi të madhe për djalin e ri kishin edhe pozicionimi i nxënësve në këtë kohë në dy rryma si: antifashiste dhe atij të Ballit Kombëtar.
Me një respekt të madh, autori, na përmend me emra profesorët e tij të nderuar të këtij institucioni si : Ahmet Gashi, Rruf Zajmi, Ymer Berisha, Lirak Dodbiba, Zef Shpani, Miftar Spahiu, Idriz Ajeti, Zeqir Bajrami e ndonjë tjetër. Para se të masivizohej lëvizja nacionalçlirimtare, Sami Qerimin me ca shokë, drejtoria e shkollës do t’i dërgonte për pushime në qytetin e Tiranës.
Në këtë qytet do të shihte me sytë e tij lëvizjet dhe demonstratat antifashiste kundër italianëve. Pas një pushimi, autori thekson se do të kthehej prap në bankat e shkollës në vitin shkollor 1943/1944.
Një shije jo të mirë, te ai do të linin edhe vrasjet e të rinjëve Sezai Surroi dhe Selami Hallaçi nga forcat naziste. Detaje me vlerë autori na tregon përmes rrëfimit të tij në libër duke pasqyruar edhe situatën politike në qytetin e Preshevës, pastaj të Gjilanit dhe përballjen e forcave partizane me ato nacionaliste herë pas here.
Fillimi i vitit 1945 do të ishte një sihariq i rëndësishëm për Sami Qerimin me shok të tij. Një syth me vlerë është edhe fillimi i vitit shkollor 1945/1946 në Gjimnazin e Prishtinës. Nuk harrohen edhe emra të klasës sipas tij të rëndësishëm si: Vesaf Berisha, Riza Çavolli, Shefqet Lika, Xhevdet Basha, Xhevat Gjikolli e ndonjë tjetër.
Kujtimet e tij të freska ai i shtjerr për të treguar edhe respektin ndaj profesorëve të tij si Zeqir Bajrami, Nexhip Habibaj, Xheladin Hana, Nebil Dino etj. Duke e përbyllur këtë pjesë shihet qart edhe ndikimi i këtij instituticioni në rrugën e jetës për Sami Qerimin.
Zatën Prishtina do të ishte bazë e formimit të tij intelektual.
Pjesa “Koha e Studimeve”, na tregon se autori më 1950 u regjistrua në Fakultetin e Agronomisë në Universitetin e Beogradit. Në libër shohim se përkundër heqjes së bursës pas një kohe, ai me vendosmëri u diplomua më 1956 në këtë vatër arsimore. Po këtu djali i ri sa ishte student, u takua në mbledhje të studentëve me politikanë të ndryshëm kosovar si Mehmet Hoxha, Dushan Mugosha e ndonjë tjetër, të cilën si temë kryesore kishin hapjen e shkollave turke në Kosovë. 
Kapitulli me titull “Puna në Kooperativën Bujqësore të Preshëvës 1957-1960” është një pjesë interesante ku meriton të shkruhen ca rreshta të përmendura nga autori Qerimi. Këtu autori shpreh me faktografi punën e tij në këtë organizatë punuese duke theksuar se “u afirmuam si organizatë falë punës së palodhshme që bëm”.
Por ndër kapitujt më të rëndësishëm edhe për autorin Qerimi është titulli “Veprimtaria në Industrinë e Duhanit në Preshevë (1960-1982). Autori thekson se kjo industri u bë e famshme në saje të reformave të mëdha që u bën gjatë këtij harku kohor të rëndësishëm. Këtu gjejmë edhe reforma ku Sami Qerimi bëri duke bërë hapa human në drejtim të punëtorëve.
Pastaj një politikë tepër intelegjente e shohim te autori i librit i cili në saje të përvojës së tij në punë, bëri një qasje tejet elokuente në pranimin në punë të inxhinierëve shqiptar, si dhe propozimin nga pozita e tij që në Preshevë të hapej një Gjimnaz në gjuhën shqipe. Një nga pjesët interesante të librit titullohet “Angazhimi si kryetar i komunës”.
Autori me kujdes na njofton me të dhëna burimore se pas 20 vitesh u largua nga Fabrika e Duhanit dhe me konsensusin e të gjithë politikës së komunës së Preshevës u emërua kryetar i këtij qyteti në harkun kohor 1982-1985.
Sipas autorit, gjatë periudhës sa ishte kryetar Komuna nuk kishte mjete të mëdha dhe nuk asnjë program zhvillmor konkret. Në këtë kohë sa ishte kryetar autori Qerimi u bën disa gjëra të rëndësishme si: koordinimi i punëve për ndërtimin e shkollave nëpër fshatra, elektrifikimi i fshatrave, ndërtimi i objekteve të ndryshme si Gjyqi, Arkivi etj. 

Pjesa e fundit e librit titullohet “Dëshmitar i tmerreve që nuk kam mundur t’i marr me mend”. Autori thekson se pas skadimit të mandatit si kryetar i komunës së Preshevës, u zgjodh delegat federativ. Sipas Qerimit, ai pa me sytë e tij shkatërrimin e Jugosllavisë fillimisht në Kuvendin e këtij vendi duke i shikuar polemikat e deputetëve të republikave të ndryshme dhe tensionimin e situatës që do të paralajmërohej nga një luftë e re në Jugosllavi më 1991.
Sami Qerimin e gjeti shkatërrimi i Jugosllavisë si deputet në legjislaturën e fundit të këtij shteti artificial. Libri që e elaboruam shkurt është një përpjekje serioze e autorit Qerimi që të ndriqoj me kujdes një periudhë tepër komplekse të viteve 1941-1991.
Autori me shumë pedanteri e ka shkruar këtë libër duke na dhënë fakte të padëgjuara dhe të pashkruara deri më tani. Meritë e madhe e këtij autori edhe me talent letrar të stilit të shkrimit interesant është se ai gërshetoj faktografinë me një shkrim mjaft interesant të pasqyruar.
Botimi i këtij libri do t’u shërbej historianëve, letrarëve por edhe ekonomistëve e politikolgëve në ndriqimin e shumë aspekteve të së kaluarës.

ObserverKult

Lexo edhe:

KUADRI ARSIMOR KOSOVAR NË SYTË E UDB-SË

KONTRIBUTI ATDHETAR I ESAT MYFTARIT