Liridon Mulaj: Të gjithë një ditë do të ikim…

liridon mulaj

Poezi nga Liridon Mulaj

Le të ikë!
i erdh’ ora e pikut,
jeta ndërron siç ndërron
një gjarpër lëkurën,
dhe sërish është i gjallë
e lëkura e re, rrahur nga ajri
ia shpërfaq jetën e re,
diku tjetër
ç’rëndësi ka se ku.

Le të ikin njerëzit
të gjithë një ditë do të ikim.
Por le të bëjmë një pakt
mes nesh.
Mos të themi “vdiq” dhe t’ia kursejmë
vetes lotët
dhimbjen t’ia kursejmë,
le ta gënjejmë veten,
për shembull
siç gënjejmë foshnjat kur
i lëmë në duart e mamive.

Le të themi iku
dhe në një vend tjetër
rron i lumtur,
dhe mes nesh,
hesht pakti i largësisë
së përjetshme.

Pra iku,
por rron diku larg ,
ta përsërisim pareshtur,
dhe ne nuk e shohim ,
nuk do e shohim
as nuk do t’ia ndjejmë më aromën
e mishit me inde të gjalla.
As zërin nuk do t’ia dëgjojmë,
e t’i themi vetes
se ai rron diku larg,
dhe ne rrojmë këtu
në dy jetë si dy pikëtakime
të pamundura
ndarë nga fati i mbrapshtë,
a kushedi nga ndonjë hatërmbetje e stërzgjatur.

Pra, ky le të jetë pakti!
Ai rron, si ne, dhe pse
kurrë nuk do të shihemi më…

ObserverKult

———————————————–

Lexo edhe:

LIRIDON MULAJ: NINO, TI JE MREKULLIA E PALINDUR, E PANGJYER NË NDYRËSITË E…

Liridon Mulaj

Letër e munguar për Ninon (birit tim)

Nino, mamanë tënde e kam njohur në autobus. Ishte parashkruar ta takoja atë ditë, sepse kur hipa pashë që të gjitha vendet ishin të zëna. Mamaja jote qëndronte e vetme në një sedilje dyshe. Ishte kaq e bukur. Fytyra e saj ndrinte më fort se rrezet e diellit, që binin mbi xham. Habia më e madhe ishte se askush nuk ishte ulur aty. Disa çunakë qëndronin në këmbë në fund të autobusit e dy zotërinj bisedonin me njëri-tjetrin ngjitur me sediljen ku ajo ishte ulur. Dhe aty e kuptova, që ai vend pranë saj ishte rezervuar për mua nga kushedi se ç’engjëll. Në fillim ngurrova, ngaqë nuk jam i mësuar me femrat, por pasi u mendova për pak sekonda, i dhashë kurajo vetes dhe u ula pranë saj.
Nuk m’i hodhi sytë dhe as që e vuri re që ngjitur me të, ishte ulur dikush. Supet tanë u prekën dhe ndjeva se lëkura m’u mbush me mornica. I mora erë flokëve të saj me aromë lulesh dhe nga pozicioni anësor kundrova në heshtje portretin engjëllor, që përflakej nën rrezet e diellit; sytë e gjelbër që i vezullonin nën qerpikët e gjatë si krahë fluture dhe hundën e vogël e të bukur, nga ku ravijëzoheshin dy buzë të kuqe si manaferra të sapoçelura. E vështroja dhe zemra më rrihte me forcë.

Tekstin e plotë e gjeni KËTU