Lleshanaku: Arti i katastrofës është ndryshe nga arti për katastrofën

Ndërsa humbjet për kulturën, gjatë pandemisë, llogariten rreth 90 për qind, poetja Luljeta Lleshanaku flet për pasoja afatgjata prej mungesës së artit. Ajo sugjeron ndërhyrje të menjëhershme, duke u fokusuar në prodhim dhe jo në promovim. Duke e konsideruar kulturën, jo si luks, por si nevojë të domosdoshme, a kusht parësor për shoqëri të ndërgjegjshme, ajo sjell shembuj nga perëndimi, për një qasje mbështetëse që do ta shpëtonte nga honi i mbylljes.

“Pasojat e pandemisë në kulturë janë afatgjata. Nuk bëhet fjalë për një sezon, mund të shkojnë disa muaj e një vit. Në këtë mes Gjermania ka ndërmarrë masa duke dhënë deri në 50 milionë dollarë për mbështetjen e organizatave të kulturës. Nuk është vetëm Gjermania, por ajo ka qenë më e ndjeshmja aq sa lexova një artikull ku thuhej se ‘Gjermania i bëri me turp të gjithë’ me ndihmën për kulturën”, – thotë ajo.

Ndërsa përmend shtete si Kanadaja, ajo argumenton se Shqipëria, një ndërhyrje të tillë e ka të domosdoshme

“Shqipëria është një vend i vogël, pa mundësi të tilla të mëdha e nuk mund të krahasohet. Por, pa ndërhyrje, Shqipëria do ketë vakum, një gropë të madhe në kulturë”, – thekson poetja. Që heshtimi kulturor të mos zëvendësojë sezonet e gjalla artistike, ajo propozon takimet virtuale, si një metodë alternative, vetëm për aq kohë sa masat anti-COVID e kërkojnë.

“Duhet zgjidhje për kulturën që të mos bllokohet. Sigurisht festivalet ‘online’ janë një zgjidhje. Unë vetë, në muajin qershor mora pjesë në Festivalin e Poezisë në Berlin, që ishte planifikuar ndryshe e u bë ndryshe, duke ju përshtatur pandemisë. U bë një takim virtual”.

Sa i takon krijimtarisë në këtë kohë, ajo bën një dallim që e gjen me vend.

“Ka një gjë interesante, që duhet thënë: arti i katastrofës është ndryshe nga arti për katastrofën. Artit i nevojitet distancë, që të prodhojë ide. Unë shkrova një poemë për festivalin e Berlinit, duke e nisur mbi karantinën, një lloj ditari. Por, që tani e shoh se ka diçka që i mungon, është distanca kohore që duhet të kesh me një ngjarje, për të prodhuar ide mbi të. Sepse ky është qëllimi i artit, idetë, ai nuk ka për qëllim, të jetë vetëm deskriptiv”.

Duke vlerësuar situatat e kësisojta, si një brerore që, po aq sa ushtron presion edhe shërben si shtrat e nxitje letrare, poetja, vëren edhe qasjen e përkorë që mveshi audiencat e njerëzit e letrave në karantinë.

“Ne pandemi, poetet u ngritën mbi egon vetjake. Postuan poetë e shkrimtarë shumë të mirë dhe arritën në atë mision të artit, që është komunikimi. Kam lexuar autorë që kisha kohë pa i lexuar dhe kam parë të postohen, poezi dhe prozë shumë e mirë”, – tha ajo.

E pyetur mbi politikat kulturore që do të ishin urgjente për Shqipërinë, pas një sezoni artistik të djegur e një tjetri që mbetet në dilemë, ajo i vë rëndësi prodhimit, para promovimit.

“Është e domosdoshme të investohet në prodhimin e kulturës. Të gjenden grante dhe rezidenca për artistët, që të arrijnë të krijojnë shkëputjen e të merren me art. Promovimi është i rëndësishëm pasi të jetë krijuar,.. e për të krijuar e prodhuar, duhen kushtet për artistët”, – vëren Lleshanaku.

Me qasjen për kulturën si luks e për artistët si bizhu, dëmi që i bëhet shoqërisë në terma afatgjata, është tejet i madh. Kultura është kultivim i mendjes e një mendje e pakultivuar, ndjell katastrofa.

“Ministrja gjermane e Kulturës, kur njoftoi për grantin që iu dha artistëve dhe organizatave, u tha se artistët, janë të domosdoshëm dhe vitalë për këtë situatë. Ne vetë, gjatë kësaj kohe të vështirë, ngushëllimin e kemi gjetur tek arti dhe letërsia. Sepse kemi në një anë vdekjen e në një anë mbijetesën, është pra, një situatë e vështirë”./BW