Luan Rama: Ti do të jesh gjithnjë ajo…

Ti do të jesh gjithnjë ajo
okra në kapërcimin e diellit
do të jesh zjarri që mban zgjuar natën
dhe që sjell gjithë shend agun e ditës
do të jesh flladi i syve të dehur që ende s’janë shuar
tek presin hapat e tua të shkelin në qiell
e të vijnë drejt meje
me shegën e çarë që rezëllin,
me portën që shtyhet…
Ti do të jesh gjithnjë ajo
me ijet e tua të nxehta
përvëlim dëshire
që s’di ç’të bëjë nga marrëzia e puthjes së lëngësht
thua se pjergullat e botës kullojnë veç nektar,
ti do të jesh ajo që me sytë e mjelmët
qiejt do t’i shtysh dhe kohën do të ndalësh
sprovat e përrallës së vjetër do përballosh për mua.
Edhe pse plagët s’më lanë ta fitoja këtë luftë,
ti do të jesh gjithnjë ajo që ecën drejt
me hapa dhe sy shenjti,
me hijen e kërrusur dhe kokën gjithnjë pas,
duke të pritur,
nëse nuk do mund të vij një ditë
të të zgjoj në ëndërr dhe të puth gishtërinjtë
duke pëshpëritur ngadalë « Zonja ime ».
Ti do të jesh gjithnjë ajo
në spektrin e horizontit
një “pas de deux”,
një kërcim në ajër që të sjell sërrish tek unë.
Edhe pse mund të jem veç një hije,
ti do të jesh gjithnjë ajo, që si shamanët
gojën tënde do vendosësh në timen, në ditë jermi,
për të më dhënë frymën çudibërëse të ringjalljes,
ti, vogëlushja e legjendës që nuk e zbuloi asnjëherë
enigmën e dashurisë.

Ti do të jesh gjithnjë ajo…

ObserverKult


Lexo edhe:

LUAN RAMA: LETRA QË NUK ERDHI KURRË