Luigi Pirandello: Ajo s’ishte më Terezina e tij… kishte marrë fund gjithçka

Këtu banon Terezina?
Kamerieri, i cili nuk e kishte veshur ende setrën e frakut, por që kishte vënë në qafë jakën e kollarisur, e vështroi nga maja e flokëve deri në fund të këmbëve djaloshin që po i rrinte përballë në sheshpushimin e shkallëve: në vështrim të parë dukej se ishte fshatar. Kishte ngritur deri rrëzë veshëve jakën e setrës prej cohe të ashpër, duart i kishte të ënjtura e të skuqura nga të ftohtit. Në njërën dorë mbante një torbë të ndotur, ndërsa në tjetrën, si kundërpeshë, një valixhe të vjetruar.
-Terezina? Kush është Terezina?-pyeti kamerieri, duke ngritur lart vetullat e dendura dhe të bashkuara rrëzë hundës, të cilat ngjanin sikur të qenë një palë mustaqe që i kishte rruar aty mbi buzë dhe pastaj i kishte ngritur aty lart për të mos humbur.
Djaloshi më parë tundi kryet për të shkundur nga maja e hundës një pikëz që i kishte rrjedhur nga të ftohtit, pastaj iu përgjigj:
-Terezina, këngëtarja.
-Aha!-ia bëri kamerieri, duke vënë buzën në gaz i habitur, por edhe me qesëndi:-Kështu u quan, vetëm kaq, Terezina? Po ju kush jeni?
-Është apo s’është?- pyeti djaloshi duke vrenjtur ballin dhe duke tërhequr hundët.-I thoni se ka ardhur Mikuço dhe lërmëni të hyj.
-Por tani nuk ka njeri,-u përgjigj kamerieri me një buzëqeshje të ngrirë ndër buzë.-Zonja Zina Marnis është në teatër dhe…
-Edhe teze Marta?
-Aha! Mos jeni gjë nip i saj?
Dhe aty për aty kamerieri i hapi rrugë gjithë nderim.
-Urdhëroni atëherë, urdhëroni. Nuk ka njeri. Edhe e emta është në teatër. Nuk kthehen para orës një. Jepet një mbrëmje për nder të … si jeni ju me zonjën, kushëri?
Mikuço mbeti ngushtë për një çast.
-Nuk jam…jo, nuk jam kushëri me të, ç’është e vërteta. Jam…
Me ta dëgjuar këtë përgjigje kamerieri, para së gjithash, e quajti me vend ta tërhiqte atë “ju-në” plot nderim, e futi Mikuçon në një dhomë të errët ngjitur me kuzhinën, ku dikush gërhiste për kiamet dhe tha:
-Ulu këtu, tani po të sjell një llambë.
Në fillim Mikuço hodhi vështrimin andej nga vinte e gërhitura, por s’ia doli të dallonte gjë; pastaj shikoi nga kuzhina, ku gjellëbërësi po përgatiste darkën me ndihmën e një çunaku. E joshi kundërmimi i gjellëve të ndryshme dhe zëre se iu morën mendtë; s’kishte ngrënë  qysh në mëngjes ; vinte nga rrethinat e Mesinës; kishte udhëtuar një natë e një ditë me tren.
Kamerieri pruri llambën dhe ai që po gërhiste matanë mbas perdes që ishte varur në një kordon të nderë nga njëra anë e dhomës në tjetrën, murmuriti nëpër gjumë:
-Kush është?
-Çohu, Dorinë!-tha kamerieri.-S’e sheh që ka ardhur zoti Bonviçino?
-Bonavino, -e korrigjoi Mikuço, cili po u hukaste gishtave.
-Bonavino, Bonavino, një i njohur i zonjës. Ti fle për shtatë palë qejfe, bie porta dhe s’e dëgjon. Unë duhet të shtroj tryezën, s’mund t’i bëj të gjitha, e merr vesh? Ta kem mendjen te gjellëbërësi që s’ka haber, të kujdesem për njerëzit që vinë…
Ankimit të kamerierit Dorina iu përgjigj me një alamet gogësime, që u përzgjat teksa shtriqi gjymtyrët dhe që përfundoi me një si hingëllimë, ngaqë ajo u rrëqeth papritmas. Kamerieri protestoi duke u larguar:
-E po mirë, atëherë!
Mikuço nënqeshi dhe e ndoqi me sy kamerierin tek i ra mes për mes një dhome tjetër të kredhur në gjysmerrësirë, derisa doli në një sallë të gjerë, andej ka fundi. Ajo ishte mbytur dritë; në të shquhej një alamet tryeze e shtruar dhe ai mbeti gojëhapur duke e soditur, derisa një gërhimë e re e detyroi të kthehej për të parë nga ana e perdes.
Kamerieri, me një pecetë në krah, kalonte tash e parë, herë duke dërdëllitur kundër Dorinës që vazhdonte të dremiste, herë kundër gjellëbërësit, i cili duhej të ishte i ri, i thirrur enkas për ceremoninë e asaj nate dhe që po e bezdiste duke i kërkuar vazhdimisht udhëzime….Mikuço, që të mos e bezdiste edhe ai, e pa të udhës t’i gëlltiste të gjitha pyetjet që donte t’i bënte. Do të kishte dashur t’i tregonte, apo t’i jepte të kuptonte, se ishte i fejuari i Terezinës, por prapë nuk donte, pa e ditur as ai vetë psenë, mbase, sepse atëherë kamerieri do ta trajtonte si padron dhe ai, tek e shihte të veshur me aq sqimë dhe aq të shpenguar, edhe pse s’e kishte veshur ende setrën e frakut,  s’arrinte ta mposhtte atë ndjesi sëkëlldie që e mbërthente kur mendonte se mund të ndodhte pikërisht ashtu. Por në një farë kohe ama, kur ai kaloi sërish përpara, nuk ndenji dot pa e pyetur:
-Më falni…e kujt është kjo shtëpi?
-Jona, derisa banojmë në të, -iu përgjigj kamerieri për ngut.
Dhe Mikuço zuri të tundte kryet.
Domethënë na ishte e vërtetë? E kishin zënë fatin për brirësh! Hajde mbarësi, hajde! Ai kamerieri që i përngjiste një alamet zotërie, gjellëbërësi dhe çiraku i tij, ajo Dorina që gërhiste matanë: që të gjithë na qenkëshin shërbëtorë që i urdhëronte Terezina? Kush mund ta mendonte?
Sillte në hatër dhomën e zhveshur aty lart, në trapazan, në fund të dynjasë, në Mesina, ku banonte Terezina me të ëmën.
Pesë vjet më parë, po të mos kishte qenë ai, nënë e bijë do të kishin vdekur urie në atë trapazan. Dhe atë thesar të fshehur në grykën e Terezinës ai, ai e kishte zbuluar, ai. Asokohe ajo këndonte vazhdimisht, si një harabel majë çative, pa u kujtuar se ç’thesar zotëronte: këndonte nga marazi, këndonte për të mos e menduar mjerimin, të cilin ai përpiqej t’ua lehtësonte sadopak, edhe pse në shtëpi të tij ia hanin shpirtin prindërit, sidomos e ëma. Por a mund ta braktiste Terezinën në atë gjendje , sidomos mbas vdekjes së të atit? Ta braktiste meqë ishte trokë, ndërsa ai, mirë apo keq, e kishte një punë si flautist në bandën bashkiake?
Ç’arsyetim! Po zemra?
Atë ditë aq të bukur prilli pranë dritares së baxhës, prej nga ku futej gjithë jetë e dritë kaltërsia e qiellit, e kishte ndier veten të frymëzuar dhe fati i kishte përshpëritur në vesh që t’i kushtonte vëmendje zërit të saj, kur askush s’e çante kokën. Terezina ishte duke kënduar vetmevete një melodi të zjarrtë siciliane, fjalët e të cilës Mikuço i kujtonte edhe tani; ishte shpirtvrarë atë ditë Terezina, sepse s’kishte shumë që i kishte vdekur i ati; pastaj edhe për shkak të  kundërshtimit kryeneç të prindërve të tij; e i kujtohej se edhe ai kishte qenë i trishtuar, aq sa i kishin shkarë lot tek rrinte dhe e dëgjonte duke kënduar. E, pra kushedi sa herë të tjera e kishte dëgjuar atë këngë: por asnjëherë të kënduar në atë mënyrë. I kishte bërë aq përshtypje sa të nesërmen, pa i thënë gjë as asaj e as së ëmës, kishte sjellë me vete aty lart, në atë dhomëzë në trapazan, drejtuesin e bandës, të cilin e kishte mik.
Kësisoj kishin filluar mësimet e para të kantos dhe për dy vjet radhazi ai kishte harxhuar për të thuajse gjithë rrogën: i kishte marrë me qira një piano, i kishte radhojt e muzikës, i kishte dhënë edhe ndonjë shpërblim maestros. O ditë të bukura të shkuara! Terezina vlonte nga dëshira për t’ia nisur fluturimit, për t’u kredhur në të ardhmen që maestro ia parathoshte të shkëlqyer; dhe ndërkohë e ledhatonte plot afsh për t’ia shprehur gjithë mirënjohjen e saj. Ç’ëndërrime lumturie të përbashkët thurnin asokohe!
Por teze Marta tundte kryet hidhurazi: e gjora plakë kishte parë aq shumë në jetë, saqë tani s’i besonte më të ardhmes: druhej për të bijën dhe nuk donte që ajo as nëpër mend të mos e shkonte se do të mund të shkëputej nga ai mjerim; pastaj e dinte, e dinte sa i kushtonte atij çmenduria e asaj ëndrre me zarar.
Por as ai dhe as Terezina s’e mbanin vesh dhe ajo kishte kundërshtuar më kot kur një kompozitor i ri, mbasi e kishte dëgjuar Terezinën duke kënduar, kishte thënë se do të qe një krim i vërtetë, por të mos i siguroheshin maestrot më të mirë dhe po të mos pajisej me një edukatë muzikore të përsosur. Duhej dërguar në Napoli, duhej dërguar me çdo kusht në konservatorin e Napolit.
Atëherë Mikuço, pa një pa dy, ishte prishur me prindërit, kishte shitur një copë tokë që kishte trashëguar nga një ungj prift dhe e kishte dërguar Terezinën të kryente studimet në Napoli.
S’e kishte parë qysh atëherë. Letra po…I ruante ende letrat që i kishte shkruar ajo nga konservatori dhe pastaj ato të teze Martës, kur Terezina qe kredhur në jetën artistike dhe e kërkonin më këmbëngulje teatrot më kryesore, mbasi kishte debutuar me sukses të bujshëm në San Karlo. Në fund të atyre shkronjave dredharake dhe të pasigurta, që mundohej të shkaraviste në letër plaka e shkretë, kishte gjithmonë pak fjalë të Terezinës, e cila nuk kishte kurrë kohë të shkruante: “I dashur Mikuço, përsëris ato që të shkruanin mamaja. Qofsh mirë e mos më harro.” Kishin rënë në ujdi që ai do ta linte pesë apo gjashtë vjet sa të çante rrugë në jetë: ishin që të dy të rinj dhe mund të pritnin….Dhe ato letra, në ato pesë vjet që kishin kaluar, ai ua kishte treguar kujtdo që kishte dashur t’i shihte, për të hedhur poshtë shpifjet që sajonin familjarët e tij kundër Terezinës dhe së ëmës. Pastaj kishte rënë i sëmurë; për pak kishte vdekur; dhe me atë rast, pa e marrë vesh ai, teze Marta dhe Terezina kishin dërguar në adresë të tij një shumë të mirë të hollash: një pjesë ishte harxhuar gjatë sëmundjes, por kursurin ai e kishte zhvatur me dhunë nga duart grabitqare të të afërmve të tij dhe ja, ku tani po vinte t’ia kthente Terezinës. Sepse në asnjë mënyrë nuk mund të pranonte të holla. Jo se i ngjanin si lëmoshë, sepse edhe ai dikur kishte shpenzuar për to, por…ashtu kot! As ai s’dinte ta tregonte psenë. Dhe aq më pak mund t’i pranonte tani aty, në atë shtëpi…
Kurrsesi! Ashtu siç kishte pritur gjithë ata vjet, mund të priste ende. Dhe nëse Terezina kishte parë me bollëk , gjë që tregonte se ia kishte hapur dyert e ardhmja, donte të thoshte se kishte ardhur koha që të plotësohej premtimi i kahershëm, për inat të atyre që s’i kishte zënë besë.
Mikuço u ngrit më këmbë vetullngrysur, sikur të donte ta përforconte atë mendim; hukati përsëri duart akull të ftohta dhe shkapeti këmbët për tokë:
-Ke ftohtë?-e pyeti kamerieri, kur i kaloi pranë.-Nuk vonohen shumë. Eja në kuzhinë. Aty rrihet më rehat.
Mikuço s’deshi të bënte si i tha kamerieri, i cili kishte cytur nervat dhe e kishte hutuar me atë sjelljen e tij, sikur të ishte kushedi kush. U ul përsëri dhe nisi të mendonte me mendje të hapërdërë. S’kaloi shumë dhe u hodh përpjetë nga një e rënë e fortë e ziles.
-Dorina, erdhi zonja!-thirri kamerieri, duke veshur me ngut setrën e frakut, teksa vraponte për të hapur derën; por kur vuri re se Mikuço po bëhej gati t’i shkonte mbrapa, ndali në vend dhe i tha prerazi:
-Ti qëndro këtu, më parë duhet ta lajmëroj.
-Oj, oj, oj…-rënkoi një zë i përgjumur matanë perdes dhe mbas pak u duk një grua e shëndoshë , me flokë të ngjyera, veshur si kacek, e cila tërhiqte zvarrë njërën këmbë e s’po ia dilte t’i hapte mirë sytë, mbështjellë gojë e hundë me një shall leshi.
Mikuço ia nguli sytë. Edhe ajo, kur dalloi një njeri të huaj, i zgurdulloi sytë e befasuar.
-Zonja,-përsëriti Mikuço.
Atëherë Dorina u përmend në vend.
-Erdha, erdha …-tha. Hoqi shallin, e flaku matanë perdes dhe nxitoi drejt derës, ashtu, trup kaba siç ishte.
Pamja e saj shtrige flokëngjyer, toni urdhërues i kamerierit aty për aty seç i ngjallën Mikuços një parandjenjë plot ankth: e ndjeu veten ligsht. I erdhi në veshë zëri i mprehtë i teze Martës:
-Matanë, në sallon! Në sallon, Dorinë!
Dhe para tij kaluan kamerieri me Dorinën, të cilët mbanin ndër duar shumë shporta plot lule të mrekullueshme. Zgjati kryet për të parë sallonin e ndriçuar andej nga fundi dhe dalloi plot zotërinj të veshur me frak, të cilët po flitnin rrëmujëthi.
Pamja iu turbullua: kaq u hutua, kaq u ngashërye sa as vetë s’u kujtua se sytë i qenë mbushur me lot; i mbylli dhe në atë dhomë të errët e përmblodhi veten, sikur të donte t’i bënte ballë vuajtjes që i shkaktonte e qeshura zëmprehtë e dikujt. Të qe zëri i Terezinës? Zot i madh, e pse qeshte kështu në dhomën tjetër?
E përmendi një thirrje e përmbajtur: hapi sytë dhe para tij pa teze Martën. Gati s’e njohu: majë kresë kishte një kapele dhe dukej sikur po i zinte frymën një alamet manteli prej kadifeje.
-Si?…Mikuço…paske ardhur?
-Teze Marta!-thirri Mikuço, duke e kundruar me një farë droje.
-Po si kështu?-vazhdoi plaka e turbulluar.-Pa lajmëruar?
Ç’ka ndodhur? Pse sonte…O Zot, o Zot i madh!…
-Kam ardhur për… belbëzoi Mikuço, që s’dinte ç’të thoshte tjetër.
-Prit!-e ndërpreu teze Marta. Si t’ia bëjmë? Si t’ia bëjmë? E sheh sa njerëz kanë ardhur, o bir? Është festa e Terezinës, është mbrëmja e saj…Prit, prit pak këtu…
-Po qe se ti mendon…-u përpoq të thoshte diçka Mikuço, me një lëmsh ankthi në grykë, -po qe se ti mendon që duket të iki…
-Jo, po të them prit pak,-nxitoi t’i përgjigjej plaka plakëza zemërmirë , ende e hutuar.
-Halli është se unë s’di ku mund të shkoj në këtë qytet …në këtë orë…-tha Mikuço.
Teze Marta doli dhe pa hequr akoma dorezat ia bëri me shenjë të rrinte dhe të priste. U fut në sallonin ku Mikuços iu duk se u hap një humnerë: zhaurima heshti përnjëherësh. Pastaj dëgjoi shkoqur dhe prerazi këto fjalë Terezinës:
-Një minutë, zotërinj!
Dhe, duke pritur që t’i përfaqej ajo, pamja iu mjegullua. Por Terezina nuk u duk dhe në sallonin matanë ia nisi përsëri muhabeti. Mbas pak çastesh, që atij iu dukën se nuk kishin të sosur, në vend të saj u kthye teze Marta, pa kapele, pa mantel, po dorashka;  e kishte mbledhur veten.
-Presim pak këtu? Si thua?-e pyeti. –Unë do të rri me ty…
Tani do të shtrohet darka…Ne do të rrimë këndej. Dorina do të na shtrojë në këtë tryezë dhe do të hamë bashkë, këtu. Do të kujtojmë kohët e shkuara, mirë?…S’më besohet që jemi prapë bashkë o bir, eja, eja këtu…Ti e kupton, matanë gjithë ata zotërinj? Terezina e shkretë s’ka si të bëjë pa ata…Karriera, më kupton? Ç’të bëjë! I ke parë gazetat? Punë të mëdha, biro! Unë veç…unë as në qiell dhe as në tokë, si gjithmonë…S’po më besohet që sonte po rri këtu me ty.
Dhe plaka shpirtmirë, që i kishte nxjerrë fjalët lumë, në mënyrë të vetvetishme, për të mos i dhënë mundësi Mikuços të mendohej, buzëqeshi më në fund dhe fërkoi duart, duke e parë mbushur me përmallim.
Dorina erdhi të shtronte me ngut tryezën, sepse matanë, në sallon, darka kishte filluar.
-Ka për të ardhur?-pyeti Mikuço në hall, me një zë që i dridhej nga padurimi.
-S’do mend që ka për të ardhur, -iu përgjigj menjëherë teze Marta, duke u përpjekur ta mposhtte telashin që ndjeu.-Sa të gjejë një çast të lirë: ma tha vetë.
U shikuan sy ndër sy dhe i buzëqeshën njëri-tjetrës, sikur të ishin kujtuar atë çast se ç’ishin për sho-shokun. Shpirtrat e tyre të çliruara nga ai emocion dhe nga ai frenim që i kishte ngërthyer, sikur deshën të përshëndeteshin me anë të asaj buzëqeshjeje.
“Ti je teze Marta e gjithëherës”, thonin sytë e Mikuços ;” dhe ti Mikuço je gjithmonë djali im i dashur dhe i mirë, që s’ke ndryshuar aspak, o i shkretë!” thonin ata të teze Martës. Por befas ajo i uli sytë, që Mikuço të mos mund të lexonte gjë tjetër në to.
Fërkoi përsëri duart dhe tha:
-Si thua, hamë?
-Mua më griu uria!-thirri i kënaqur dhe i lehtësuar Mikuço.
-Më përpara kryqin: këtu, në sytë e tu, mund ta bëj, -shtoi plaka me një farë çapkënllëku, duke i shkelur syrin dhe bëri kryq.
Kamerieri erdhi e u solli pjatën e parë. Mikuço nisi të vrojtonte me shumë vëmendje se si e preu teze Marta pjesën e saj nga pjatanca. Por, kur i erdhi radha atij dhe ngriti duart, u kujtua se i qenë ndotur gjatë udhëtimit të gjatë, u skuq, u hutua, çoi sytë për të shikuar kamerierin, i cili, duke qëndruar drejt dhe i ngrirë, i përkuli lehtazi kryet dhe i buzëqeshi, sikur të donte ta ftonte të merrte për të ngrënë nga pjatanca. Po desh fati dhe e nxori teze Marta nga sikleti.
-Rri, rri Mikuço: të shërbej unë.
Ishte gati ta puthte për mirënjohje. Me ta marrë pjesën e tij të gjellës, sapo u largua kamerieri, bëri edhe ai kryqin me ngut.
-Të lumtë, bir, -i tha teze Marta.
Ai e ndjeu veten të lumtur dhe të qetë dhe nisi të hante si nuk i kishte qëlluar kurrë më parë në jetë, pa u vënë veshin as duarve të tij dhe as kamerierit.
Po sa herë që ai, tek vinte e shkonte në dhomën matanë, hapte portën rrotulluese me xhama, dhe që andej vinin valë bisedash të përziera apo dëgjoheshin të qeshura, Mikuço kthehej i turbulluar dhe pastaj ua ngulte vështrimin syve mbushur me dhimbje e përmallim të teze Martës, sikur të donte të gjente shpjegim në to. Përsëri i buzëqeshën njëri-tjetrit dhe përsëri nisën të hanin dhe të shkëmbenin fjalë për fshatin e largët, për miq e të njohur, për të cilët ajo nuk ngopej së pyeturi.
-Nuk po pi?
Mikuço zgjati dorën për të marrë gotën, por tamam në atë çast u hap përsëri dera e dhomës; u ndie një fëshfërimë mëndafshi, sa hapa të nxituara e dhoma sikur u përndrit përnjëherësh nga nëj dritë verbuese.
-Terezina…
Dhe zëri, nga hutimi, iu mek ndër buzë. Ç’hir mbretëreshe!
Ngriu duke e soditur, i mahnitur, fytyrëflakë, syshqyer, gojëhapur. Si vallë…ishte bërë ashtu? Zbuluar gjinjtë, zbuluar supet, zbuluar llërët…mbushur xhevahire…Nuk i bëhej të besonte se kishte para syve një njeri të gjallë dhe të vërtetë. Ç’po i thoshte? Në atë përfaqje ëndrre ai s’po ia njihte më as zërin, as sytë, as gazin: asgjë, asgjë nuk po ia njihte më.
-Si ia çon? A je mirë tani, Mikuço? Shumë mirë, shumë mirë…Ke qenë sëmurë, në mos gabohem..Do të vij prapë mbas pak…Sidoqoftë, ti këtu ke mamanë…U morëm vesh?
Dhe Terezina ia mbathi matanë mes fëshfërimash.
-S’po ha më?-pyeti mbas pak teze Marta, gjithë druatje, për të davaritur turbullimin e Mikuços.
Ai u kthye nga ajo, por nuk foli.
-Ha, -nguli këmbë plaka, duke i treguar pjatën.
Mikuço shkoi gishtat në jakën e rrudhur dhe të ndotur, e liroi dhe nxori një ofshamë të gjatë.
-Të ha, the?
Dhe tundi disa herë dorën poshtë mjekrës, sikur të donte të thoshte: s’më shkon më, nuk mundem. Ndenji edhe disa çaste i heshtur, i vrarë, ende i kredhur në pamjen e pak çasteve më parë, pastaj mërmëriti:
-Si qenka bërë…
Dhe pa teze Martën që po shkundte kryet e që s’po hante më as ajo, sikur të ishte se po priste diçka .
-As që duhet menduar më…-shtoi pas pak thuajse me vete, duke mbyllur sytë.
Tani prej errësirës ku qe zhytyr, ai vërente humnerën që ishte hapur midis tyre. Jo, ajo s’ishte më Terezina e tij. Kishte marrë fund gjithçka…prej kohësh. Prej kohësh dhe ai budallai, ai teveqeli po kujtohej vetëm tani. Ia kishin thënë në fshat, por ai nuk kishte dashtur të zinte besë…Dhe tani ç’kuptim kishte të rrinte aty në atë shtëpi? Po të qe se të gjithë ata zotërinj, po të qe se edhe vetë kamerieri do ta merrnin vesh se ai, Mikuço Bonavino, ishte dërrmuar e drobitur për të ardhur nga aq larg, se kishte bërë tridhjetë e gjashtë orë rrugë me tren, duke e mbajtur veten me gjithë mend si të fejuarin e asaj mbretëreshe, ata zotërinj edhe kamerieri do të ishin mekur gazit e mbas tyre edhe gjellëbërësi e pjatalarësi, edhe Dorina! Ç’gaz do të kishte shpërthyer po të qe se Terezina do ta kishte tërhequr zvarrë para tyre, në sallon, e do të kishte thënë: “Shikoni! Ky qyq flautisti thotë se ka ndër mend të bëhet im shoq!”  Ajo vetë ia kishte dhënë fjalën, ashtu ishte, por asokohe si mund ta merrte me mend se do të bëhej ajo që ishte bërë tani?
Dhe prapë e vërteta ishte se ai ia kishte çelur atë shteg dhe i kishte krijuar mundësitë të ecte në të; por si mund ta arrinte tani që ajo kishte shkuar aq larg dhe ai kishte mbetur po ai që kishte qenë, një sazexhi që i binte flautit të dielave në sheshin e fshatit? As që duhej menduar… Pastaj ç’ishte ai grusht të hollash që ai kishte shpenzuar dikur për atë që tani ishte bërë një zonjë e madhe! I vinte turp vetëm të mendonte se mos dikush mund të dyshonte që ai kishte ardhur aty me qëllim të përfitonte ndonjë send, përkundrejt atyre pak të hollave që kishte shpenzuar dikur. U kujtua se në xhep kishte të hollat që i kishte dërguar Terezina kur ai pati qenë sëmurë. U skuq, i erdhi marre dhe futi dorën në xhepin e brendshëm të setrës kuk mbante kuletën.
-Teze Marta,-tha me nxitim.-Erdha edhe për t’ju kthyer këto paret që më patët dërguar. Pse s’mi dërguat? Për të shlyer borxhin? Për të më shpërblyer? E shoh se Terezina është bërë…po: tamam një mbretëreshë. Po shoh se…hiç! As që duhet menduar më! Por sa për këto të holla, jo, këtë s’e prisja prej saj…Ka marrë fund e t’i vemë pikë…por të holla në asnjë mënyrë! Më vjen keq që s’i kam të gjitha…
-Ç’thua, bir?-u përpoq ta ndërpriste teze Marta e lënduar dhe me lot në sy.
Mikuço ia bëri me shenjë të mos fliste.
-S’i kam harxhuar unë; i kanë harxhuar njerëzit e mi gjatë kohës që kam qenë sëmurë, pa dijeninë time. Ta themi se kanë shkuar për atë pak gjë që pata harxhuar unë dikur…E mbani mend? Ta mbyllim këtë muhabet. Këtu keni kusurin. Unë po shkoj.
-Qysh? Kaq shpejt?-thirri teze Marta, duke u përpjekur ta mbante.-Të paktën prit t’i them Terezinës. S’e dëgjove që donte të të shihte prapë? Po shkoj t’i flas…
-Jo, e ke kot, -iu përgjigj Mikuço prerazi. Lere aty me ata zotërinjtë; aty ndihet mirë, në ambientin e saj; mua më mjafton kaq…Më mirë shko dhe ti matanë…I dëgjon si qeshin? Nuk dua të qeshin me mua…Shkova.
Teze Marta e keqkuptoi atë vendim të papritur të Mikuços: e mori si një gjest përçmimi dhe xhelozie. Të shkretës i dukej se tashmë, kur shihnin të bijën, të gjithëve aty për aty u lindte një dyshim i hidhur, pikërisht ai dyshim për të cilin ajo qante pa gjetur ngushëllim, duke zvargur orë e çast atë dhimbjen e saj të fshehtë mes rrëmetit të asaj jete mbushur luks të urryer që po mbulonte me turp pleqërinë e saj të lodhur.
-Po unë s’kam si ta ruaj më, o bir,-i shpëtoi.
-Pse ta ruash?-ia ktheu Mikuço, duke dalluar në sytë e saj atë dyshim që s’e kishte pasur deri atë çast dhe u ngrys.
Plaka u zhyt plotësisht në dhimbjen e saj, mbuloi fytyrën me duart që i dridheshin, por nuk ia doli ta përmbante shpërthimin e vrulltë të lotëve.
Po, po, shko biri im, shko…-tha me zë të mbytur nga dënesat.-S’është më për ty, ke të drejtë…Ah, sikur të më kishit mbajtur vesh!
-Domethënë…-shpërtheu Mikuço, duke u përkulur mbi të dhe duke ia shkulur me dhunë njërën dorë nga fytyra. Por vështrimi i saj që po i lypte mëshirë dhe ai gjesti që bëri, duke vënë gishtin para buzëve, qe aq i trishtë saqë ai u përmbajt dhe vijoi me një ton tjetër, duke u përpjekur të fliste me zë të ulët- Domethënë ajo, …ajo nuk qenka më e denjë për mua. Mjaft. Mjaft: po iki…,madje, tani kam më shumë arsye…Sa budalla kam qenë, teze: s’më kishte shkuar ndër mend! Mos qaj…s’bën dobi! Fati, thonë…fati!
Mori valixhen dhe trastën nga poshtë tryezës dhe u nis për të dalë, kur u kujtua se në atë trastë kishte ca limona kokërrmëdhenj, që i kishte sjellë nga fshati për Terezinën.
-Shikoji, teze, -i tha.
E zgjidhi grykën e trastës dhe, duke e mbajtur shtrënguar me njërën llërë, i zbrazi mbi tryezë ato kokrra të freskëta e kundërmuese.
-Po sikur t’ua vishja kokës me to atyre zotërinjve matanë?-shtoi.
-Mos, pas hatrin e Zotit!-rënkoi plaka mes lotësh, duke i bërë shenjë përsëri të heshtte.
-Jo, mos u druaj, -u përgjigj Mikuço, duke nënqeshur hidhtas dhe duke rrasur në xhep trastën boshe.-Ia kisha sjellë asaj.
Tani mbaji ti teze, vetëm për vete.
Mori një kokërr dhe ia aviti fytyrës:
-Mbaji erë, teze, thith kundërmimin e fshatit tonë…Pa lëre pastaj që kam paguar edhe tagrin doganor…Tani mjaft. Vetëm për ty. Mos gabo. Asaj i thuaj nga ana ime “të vaftë mbarë”
Mori valixhen dhe u nis. Por tek po zbriste shkallët e mbërtheu një hall marramendës: i vetëm, i braktisur, në mes të natës në një qytet të madh e të panjohur, larg fshatit të tij, i zhgënjyer, i fyer, i turpëruar…Mbërritit te porta e jashtme dhe pa se po binte shi me gjyma. S’ia mbajti të dilte nëpër ato rrugë të panjohura mes atij rrebeshi. U kthye ngadalë dhe, pa bërë zhurmë, ngjiti një pjesë të shkallëve, u ul në sheshpushimin e parë dhe, mbasi mbështeti bërrylat përmbi gjunjë, rrasi kokën mes duarve dhe ia nisi të qante mbyturazi.
Andej nga mbarimi i darkës Zina Marnis u duk edhe një herë në dhomën e vogël. Gjeti aty të ëmen që po qante , vetëm, ndërsa matanë ata zotërinjtë po bënin shamatë dhe qeshnin.
-Ka ikur? –pyeti e habitur.
Teze Marta pohoi me kokë. Pa u vënë re nga Zina, i nguli sytë diku tej, mendueshëm, pastaj psherëtiu:
-I shkreti djalë…
Por aty për aty buzëqeshi.
-Shiko këtu, -tha, pa i fshirë lotët me pecetën e bukës. –Të kishte sjellë limona…
-Oh, sa të bukur!-thirri Zina, duke kërcyer përpjetë.
Shtrëngoi njërën dorë mbas belit dhe me tjetrën u ngarkua sa s’mundej më.
-Mos, mos matanë!-kundërshtoi e ëma me sa fuqi pati.
Por Zina shkundi supet dhe vrapoi në sallon, duke thirrur:
-Limona Sicilie, limona Sicilie!

*Shkëputur nga libri i Luigi Pirandello: “Tregime e Novela

*Titulli i origjinalit: “Limona Sicilie”

Përktheu: Amik Kasoruho

Përgatiti: ObserverKult