Lulëzim Haziri: E zgjoj dashurinë në mua kur të dua

Foto nga Rromir Imami

Rri këtu vetëm
Dhe dashurinë e zgjoj në mua kur të dua
Je ti brenda apo ke marrë diku në thua
Më lëmon zverkun apo më prek në trup të huaj
Dashurinë për ty e zgjoj në mua kur të dua!

Rri me tjetër
Dhe dashurinë e zgjoj në mua kur të dua
Ndjej gjakun tënd në deje apo lëkurë t’lëmuar
Më harron si fruthin apo më ndjen mish ndër thua
Dashurinë për ty e zgjoj në mua kur të dua!

Rri me njerëz
Dhe dashurinë e zgjoj në mua kur të dua
Flasin pahiri për ty apo i pyes pa pushuar
Më dëshiron apo më ndrydh nën jastëk afsh shuar
Dashurinë për ty e zgjoj në mua kur të dua!

Ajo është dritë në mua
Dhe e zgjoj kur të dua
Do ti, apo yjet s’duan…