Luljeta Lleshanaku: Nuk është koha për…

luljeta lleshanaku Gjëja që më pëlqente tek ai, poezi nga Luljeta Lleshanaku

Nuk është koha për ndryshime
dhe, me sa mbaj mend unë,
asnjëherë nuk ka qenë një kohë e tillë.

Shtëpia frenon. Mbase gjithçka është kaq e rreme.
Gorricat, unazat, makina e qumështit, fëmijët e ngecur
si gjilpërat me kokë
në një xhaketë pa jakë te rrobaqepësi,
që pret për një tjetër provë…

Zakonisht, hemofilia dhe nevoja për ndryshim
trashëgohet në linjë mashkullore.
Burrat mund t’i njohësh vetëm në profil
(si monedhën romake me kokën e Cezarit),
me shikim të ngulur drejt humbjes.

Kurse gratë janë ato
që nuk harrojnë të ndezin llambën e verandës në mbrëmje,
rrethuar nga mushkonjat,
me bindjen se, pavarësisht se si,
çfarë është shkruar për të ndodhur, do të ndodhë.

OberverKult

————-

LEXO EDHE: LULJETA LLESHANAKU: GJËJA QË MË PËLQENTE TEK AI

Gjëja që më pëlqente tek ai, poezi nga Luljeta Lleshanaku

Ishte mënyra se si iu afrua shtratit të parën herë,
gati me përtesë, pa i hedhur sytë jashtë
ku mesdita e korrikut ngrinte leqe të pambukta shprese.
Fikjen e llambës me një prekje të vetme.
Dhe thyerjen e ҫarҫafit me atë siguri
sikur e bënte prej njëmijë vjetësh

Si një anije e madhe që po kthehej në port
me ngarkesën e saj të fundit; e gatshme për skrab.
E ҫ’rëndësi ka se ҫ’ndodhej në hangar
thasë kafeje, porcelan apo ethe tropikale!

ObserverKult