Macet e Halepit u shurdhuan një nga një Dhe shurdhohen për çdo ditë rishtaz Nga shpërthimet që i gjenin strofullave Tek ëndërronin lëmshat shumëngjyrëshe Të derdhur mbi qilimin me xhufka
Sa herë që shurdhoheshin U iknin shpijarët me një bohçe tesha mbi shpinë U mbetej vetëm shqisa e nuhatjes Dhe sytë që s’donin të shohin strofullat Dhe rrugët për tek konservat e hedhura bosh Të ushtarëve që flisnin gjuhë që s’i kuptonin Siç nuk i kuptonin gjuhët në konserva Arabisht, rusisht, anglisht, sërish arabisht… Halepi, kjo gërmadhë konservash e predhash Gërmadhë gjuhësh të gjalla e njerëzve të vdekur
Macet e Halepit jo që s’dinë të flasin Të kërkojnë bukë, të kërkojnë të jenë mace Kosove Po ato janë shurdhuar Nuk e dëgjojnë klithjen e tyre Lëre më t’i dëgjojnë Të huajt Që hyjnë e dalin me bujë aty
U mbetet të enden mbi gërmadha si hije Të ecin hijeve të Halepit të UNESCOs Shatërvanëve që s’janë shatërvanë Shesheve që s’janë më sheshe As rrugët që s’janë më rrugë As xhamitë s’janë më xhami Myezinët ikën të shurdhuar S’e dëgjonin më zërin e tyre Apo i shurdhoi zhurma Ajo zhurmë që ua prishi strofullat
Dëgjohen vetëm pëshpërimat, bisedat, këngët e sharjet Të krejt gjuhëve të botës Si në Kullën e Babilonisë Gjuhë që i shurdhuan macet e Halepit
U mbeti vetëm instinkti për të mbijetuar Dhe për të gjetur ndonjë strofull për një sy gjumë Kur nata shtrihet e i mbulon si qiell me yje Qiell që ia prishin rendin ca që duken si yje E janë satelitë, aeroplanë ushtarakë apo xixëllonja të harruara
Macet e Halepit që mund të duken edhe si fëmijë Qëllon të gdhihen edhe mbi një shtyllë Që dikur ishte një muze arkeologjik Nga ku u shfaqet muzgu i Halepit Kjo sepie pluhuri e shprese të vdekur Kjo klithmë që bota s’e dëgjon
Gdhihen të lumtura se dëgjojnë sërish Të bindura se mjaullimën do t’ua dëgjojnë ushtarët Hoxhallarët, humanitarët, doktorët e magnatët…
Kjo u zgjat sa një ëndërr e fluturës Sa një flurudhë granate për tek strofulli i tyre
Macet e Halepit shurdhohen një nga një Disa nga shpërthimet Të tjerat nga heshtja…