Mahmud Dervish: Nëse do vdisje sonte, ç’do të bëje me kohën e mbetur?

Mahmud Dervish

Poezi nga Mahmud Dervish

Nëse do më thuhej: ti do të vdesësh këtu, në mbrëmje.
Atëherë, ç’ke ndërmend të bësh në kohën e mbetur?

-Do këqyrja orën e dorës
Do rrufisja një gotë lëng
Dhe do kafshoja një mollë.
Do reflektoja gjatë mbi një milingonë që ka gjetur ushqimin e saj.
Pastaj, prapë, do këqyrja orën e dorës:
Ka ende kohë për të rruar mjekrën
Dhe do të zhytesha në vaskë, i obsesuar:
“Lypset patjetër një kërpitje e të shkruarit
andaj, veshja le të jetë blu.”
Ulem deri në mesditë i gjallë në studion time
Nuk po ndesh ndikimin e ngjyrës në fjalë,
Bardhësi, bardhësi, bardhësi…

Gatis drekën time të fundit
E derdh verën në dy gota: një për mua
Dhe një për atë, që do të vijë, pa orar.
Pastaj marr një dremitje mes dy ëndrrash
Porse, zëri i gërhitjes sime do më zgjojë.
Pastaj ia hedh sytë orës së dorës:
Ende ka kohë për të lexuar.
kështu, lexoj një kre nga Dante-ja
Dhe vë re, se si fluturon jeta ime, nga unë,
te të tjerët, pa pyetur dot se kush do ta plotësojë mungesën e saj.
-Kështu?
-Pode, kështu.
Dhe, çfarë pastaj?
-Pastaj, kreh flokët
Dhe e gjuaj poemën time… ja, këtë poemë
Në koshin e mbeturinave
Dhe vesh këmishat e modës më të fundit italiane.
Parakaloj bri një duzine violinash spanjolle
Dhe masandej, shkoj te varrezat.

Përktheu: Agron Islami

ObserverKult

Lexo edhe:

MAHMUD DERVISH: NUK JEMI NDARË, POR KURRË NUK DO TË TAKOHEMI…

Ndofta ne nuk jemi ndarë kurrë
-A më njeh?
Qau fëmija, që e kisha humbur.

Nuk jemi ndarë, por kurrë nuk do të takohemi.
Dhe mbylli dy valë të vogla
me flatrat e tij dhe fluturoi lart.

Sa kohë ka kaluar
qyshse zbuluam dy binjaket:
Koha dhe vdekja janë dy sinonime të jetës?

Ende jemi gjallë, sikur vdekja ka gabuar
pradaj jemi në gjendje të kujtojmë
Në gjendje të lirë të jetojmë.
Për të ecur hapave të Gilgameshit
Të gjelbër nga njëra kohë në një tjetër.

Dhe thashë: – Nëse vdes, do të zgjohem.
Kam mjaft nga e shkuara.
teksa më mungon e nesërmja.
Do të eci rrugës së vjetër
sipas hapave të mi, sipas ajrit të detit.

Poezinë e plotë e gjeni KËTU