Mahmud Dervish: Nuk jemi ndarë, por kurrë nuk do të takohemi…

Poezi nga Mahmud Dervish

Ndofta ne nuk jemi ndarë kurrë
-A më njeh?
Qau fëmija, që e kisha humbur.

Nuk jemi ndarë, por kurrë nuk do të takohemi.
Dhe mbylli dy valë të vogla
me flatrat e tij dhe fluturoi lart.

Sa kohë ka kaluar
qyshse zbuluam dy binjaket:
Koha dhe vdekja janë dy sinonime të jetës?

Ende jemi gjallë, sikur vdekja ka gabuar
prandaj jemi në gjendje të kujtojmë
Në gjendje të lirë të jetojmë.
Për të ecur hapave të Gilgameshit
Të gjelbër nga njëra kohë në një tjetër.

Dhe thashë: – Nëse vdes, do të zgjohem.
Kam mjaft nga e shkuara.
teksa më mungon e nesërmja.
Do të eci rrugës së vjetër
sipas hapave të mi, sipas ajrit të detit.

Asnjë grua nuk më sheh nga ballkoni i saj
Dhe as nuk zotëroj kujtime
Përveç atyre që më ndihin për udhën e gjatë.

Në ditët e vjetra kishte
Mjaft nga e nesërmja.
Isha më i vogël se fluturat e mia
Dhe faqet i kisha të zbehta.

-Merre përgjumjen dhe më struk
në një rrëfim a mbrëmje të përshpirtshme
Më struk nën njërën nga palmat
Dhe më mëso poezinë.
Mbase do të mësoj të bredh
Në tokat e Homerit.
Mbase i shtoj rrëfimit një portret të Akkesë
Më i vjetri i qyteteve të bukura
Dhe më i bukuri i qyteteve të vjetra.

Një kuti guri po lëviz
Të gjallët dhe të vdekurit në baltat e tyre

Si një koshere bletësh të burgosura.
dhe godasin lulet
duke pyetur detin për portën e urgjencës
Sa herë shtrëngohet rrethimi.

Dhe mësomë poezinë.
Një vajze mund t’i duhet një këngë
për të dashurin e saj të largët: (Merrmë qoftë edhe me
forcë
te ti, dhe vendosi ëndrrat e mia në duart tua).

Ata të dy shkojnë te jehona të përqafuar
Si të kem martuar një dre endacak me një drenushë
Dhe çela dyert e faltores për pëllumbin.

Dhe mësomë poezinë.
Ajo që thuri këmishën e leshtë
Dhe priti para derës, ka më shumë të drejtë
Të flasë për hapësirën dhe zhgënjimin.

Luftëtari nuk është më,
apo nuk ka për t’u kthyer
Atëherë, ai që prisja, nuk ishe ti.

*Titulli i origjinalit: “Pikturë murale”

Përktheu: Agron Islami

——————

Lexo edhe:

Mahmud Dervish: Nuk je vetëm…

ObserverKult