Mahmud Dervish: O dashuria jonë, a do të mbijetosh?

Ashtu siç mbin bari ndërmjet nyjave të një shkëmbi
një ditë u gjetëm ne dy të huaj
Qielli i pranverës shkruante yje… e yje
kurse unë, fraza dashurie.
Për dy sytë e tu… që i këndova!
A thua vallë e dinë sytë e tu se unë prita gjatë?
Siç pret verën një shpend
dhe fjeta.. si gjumi i migruesit
ku një sy fle, për të zgjuar tjetrin… gjatë
Dhe për atë sy të mbyllur qan
Dy të dashuruar jemi ne
derisa hëna të flejë.
E dimë fort mirë se rrokaqafjet dhe puthjet
janë ushqimi i netëve të dashurisë.
Dhe mëngjesi i grish hapat e mi që të vijojnë
në rrugë një ditë të re!
Dy miq jemi, prandaj ec pranë meje, dorë për dore
Së toku e bëjmë lajmin dhe këngët
Ç’kemi që e pyesim këtë rrugë… për cilin fat
ajo ecën me ne?
Nga se u puqën këmbët tona?
Mjaft është për mua dhe mjaft është për ty që ne ecim…
Së toku, deri në përjetësi
Përse këqyrim këngët vajtimtare
në një antologji të vjetër poetike?
Dhe pyesim: o dashuria jonë! A do të mbijetosh?
Të dua, siç e dashurojnë karvanët një oazë me bar e ujë,
siç dashuron varfanjaku i uritur bukën!
ashtu sikur mbin bari në mes nyjave të një shkëmbi
Ne u gjetëm një ditë dy të huaj.
dhe kështu, mbetëm miq përgjithmonë.

*Titulli i origjinalit: “Derisa hëna të flejë”

Përktheu: Agron Islami

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

Mahmud Dervish: Ajo në darkë është e vetmuar