Mahmud Dervish: Ajo në darkë është e vetmuar


Ajo në darkë është e vetmuar
dhe unë jam i vetmuar, si ajo.
Midis meje dhe qirinjve të saj në restorantin e dimrit
janë dy tavolina të zbrazura (hiçgjë nuk e trullos
heshtjen tonë).
Ajo nuk më sheh mua, kur e shoh
tek këput një rozë nga kraharori i saj.
Edhe unë po ashtu, nuk e shoh atë, kur më sheh mua
tek thith nga lëngu im një puthje…
Ajo nuk e thërrmijëson bukën e saj
edhe unë po kështu, nuk e derdh ujin
mbi pecetën prej letre.
(asgjë nuk e trazon dot paqen tonë).
Ajo është e vetmuar, edhe unë para bukurisë së saj
i vetmuar jam. Çne që nuk na njëson brishtësia?
thashë me vete
– Pse nuk e po shijoj dot pijen e saj?
Ajo nuk më sheh, kur e shoh,
tek e vë njërën këmbë sipër tjetrës.
Po kështu, as unë nuk e shoh atë, kur më sheh
tek heq xhaketën…
Asgjë nuk e shqetëson atë për mua
asgjë nuk më shqetëson mua, sepse ne jemi tani
dy bashkëtingëllore në harresë.
Darka jonë qe, secili më vete kuptohet, joshëse.
Zëri i natës qe blu.
Nuk jam i vetmuar, e as ajo nuk është e tillë.
Së toku i vëmë veshin kristalit.
Asgjë nuk e thyen natën tonë.
Ajo nuk thotë:
Dashuria lind si një qenie e gjallë
e përfundon si një ide.
Po ashtu as unë nuk them:
Dashuria përfundon si një ide.
Mirë, ama kjo gjë e atillë duket!

Përktheu: Agron Islami