Ndiej nostalgji për bukën e sime mëje
për kafenë e sime mëje
për përkëdhelinë e saj.
Brenda meje hedh shtat fëmijëria ime
Ditë pas dite.
E dua jetën time, sepse
po të vdisja,
do të druhesha nga lotët e sime mëje!
Merrmë, po të kthehesha një ditë
vello për qerpikët e tu.
Kockat e mia, mbuloji me bar
të pagëzuar nga dëlirësia e shputave të tua.
Shtrëngoje hapërdarjen time
me një gërshet floku,
me një pe varur, prej cepit të fustanit tënd.
Ndoshta, do të bëhem engjëll.
Engjëll do të bëhem.
Po ta prek thellësinë e zemrës sate!
Vendosmë, në u kthefsha
dru në sobën e zjarrit tënd
dhe një litar teshash mbi çatinë e shtëpisë sate
Sepse kam bjerrë forcën për të qëndruar më këmbë
pa lutjet e tua të ditëpërditshme.
Jam plakur, prandaj, kthemi yjet e fëmijërisë
që t’iu bëj shoqëri zogjve të vegjël
në shtegun e kthimit
në folenë e pritjes sate.
Përktheu: Agron Islami
ObserverKult
Lexo edhe: