Mos pyet kurrë si dashuroj…poezi nga Majlinda Rama Nana

mos pyet kurrë poezi nga Majlinda Nana Rama

Mos pyet kurrë si dashuroj,
të them si digjem flakë e zjarr,
si zbreskam poshtë trëndafilishtes,
me prushin tënd në jetë e varr.

Mos pyet kurrë e mos më lodh,
po ç’të tregoj nga kjo lëngatë,
për ty , unë-muzë Anakreonti?!
Kjo plagë për ty, është rrugë e gjatë.

Po ç’ke që sillesh, qan e tretesh,
e do të dish si vuaj sot,
nuk të tregoj që përvëlohem,
se s’ke të ngjarë, s’më kupton dot.

E, mos e shprush zjarrin mbuluar,
se ti nuk digjesh dot në të,
kur natën, hënë a yll të bëhem,
në cepin tënd, vuaj nën zë.

Mos pyet kurrë ç’më bluan zemra,
si lumë mbështjellë, dënimi im,
në ashtin tim, në gjakun tënd,
në ashtin tënd, në gjakun tim.

Mos prit të zbresë Perëndia,
e mbi Edèn të të lëshojë,
ti s’je Olimp, as këng’ e Safos,
mos pyet kurrë si dashuroj…

ObserverKult

Lexo edhe:

Mos më pyet sa ësht’ e thellë dhe a është’ e përjetëshme dashurija ime

Nga: Midhat Frashëri

Më pyet sa ësht’ e thellë dhe a ësht’ e përjetëshme dashurija ime.
Ahere syt’ e tu, ata sy të zes q’i dua kaqë, marrën një çkëlqim, një vështrim të ri, edhe bluza jote ka një të qeshur të hidhurë.
Pse, o e dashura ime, pse le të hyjnë të tillë mendime të hidhura në atë kokë të bukurë?
Nuk ‘ e di ti që çdo gjë në këtë jet’ ësht’ e vdirshme? nuk’e di ti që çdo gjë mi këtë dhé ka një funt?
Lexo tekstin e plotë KETU