Manjola Brahaj: Mjerimi më i madh është të mos dish të duash!

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Manjola Brahaj.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
– Për mua ajo është një ndjesi kalimtare, ikanake, që vjen e ikë prej jetës sonë dhe që e arrin vetëm ai që di ta gjejë edhe në gjërat e vogla. Kurse për të përkryerën deri pak kohë më parë nuk dija të flisja, as t`i vija një ekuivalente përkrah, kurse sot po, dhe mendoj se është prania dhe përqafimi i krijesës sime, vajzës sime Arla.

Cila është frika juaj më e madhe?
Frika ime më e madhe ka qenë dhe vazhdon të mbetet, e ardhmja e vendit dhe botës në të cilën po jetojmë. Më frikëson dhe e shoh me pesimizëm faktin se po reflektojmë shumë pak dhe po vazhdojmë të bëjmë një jetë të shkujdesur pa e dashur vendin, tokën – shtëpinë tonë me pak fjalë. Dita – ditës po shndërrohemi në diçka që nuk jemi dhe nuk po e vërejmë. Kemi pak ose aspak liri, po depersonalizohemi dhe nuk po e kuptojmë. E kemi kapur karremin dhe nuk jemi asgjë tjetër veçse një ingranzh siç ka thënë Sabato sepse koha që ka parashikuar Orwell ka kohë që ardhur.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Secili ka heronjtë e tij, e ndër të gjallë edhe unë kam heroinën time, ajo është nëna ime. Atë e admiroj më së shumti prej të gjithë të gjallëve që njoh, për forcën e karakterit të saj me të cilën e ka përballuar jetën pavarësisht tragjedive që ka pësuar. Për shpirtmadhësinë që ka treguar gjithmonë, edhe me ata që shpesh nuk e kanë dashur apo e kanë xhelozuar. Për guximin me të cilin na ka mësuar ta jetojmë jetën. Për kurajon dhe mbështetjen që na ka dhënë gjithmonë për arritjen e dëshirave dhe ëndrrave tona. Për çiltërsinë dhe sakrificën me të cilat na ka edukuar dhe shkolluar 7 fëmijëve, e vetme. Për shembullin e përsosur që ka arritur të na japë si nënë e si babë njëkohësisht. Admirimi për të më duket pak, shpresoj ta kem bërë krenare me çka kam arritur në jetë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Në këtë jetë kam dashur që të lë gjurmë, të jem dikush që bën ndryshim apo që të paktën të jem dëshmitare e epokës sime, ndoshta e kam arritur me anë të krijimit. Ndaj për forcën e saj, për karakterin dhe guximin, për arritjet me anë të artit të saj dhe mbi të gjitha për origjinalitetin që e karakterizon do të doja të identifikohesha me Maya Angelou.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Tipar fizik nuk kam asnjë që nuk pëlqej, ndihem shumë mirë me veten. Të karakterit, nuk e pëlqej durimin e tepruar, sepse edhe atëherë kur nuk duhet duroj.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Dyftyrësinë nuk e duroj dot. Njerëzit e tillë më shkaktojnë neveri dhe thjesht më bëjnë t`i mëshiroj. S`ka shumë pak ditë që e kam zbuluar një sjellje të tillë tek një njeri që sipërfaqësisht “më lustron këpucët”, por  nuk u preka sepse e kam atë nivel të pjekurisë që të mos prekem tashmë, thjesht kam qeshur me neveri.

Në cilat gjëra e teproni?

Tani që po më bëhet kjo pyetje po e kuptoj se në asgjë nuk e teproj, qenkam njeri i matur!

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Ndonjë situatë e vështirë për të shpëtuar ndonjë njeri që dua, ose veten.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Udhëtimet janë dëshira, pasioni, frymëmarrja dhe përmbushja ime, por rrugëtim i bërë shpesh dhe që gjithmonë e bëja dhe do e bëj me qejf është kthimi në shtëpi, në vendlindje. S`ka rëndësi se nga ku nisem, me rëndësi të shkoj atje.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Ne përdorim fjalë ose fraza edhe pa e ditur vet se i përdorim shpesh ato. Për përdorimin e shpeshtë të ndonjë shprehje apo fraze kur kam qenë mësimdhënëse në Shqipëri më vetëdijesonin nxënësit se ma kujtonin ose ma përsëritnin, sidomos kur përdorja shprehjen: “paskeni ikë për Lisus”. Ndërsa tani për tani po përdor shprehjen “gjithçka është kalimtare”.
                                                                                      
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Që nuk i kam larguar me kohë prej vetes disa miqësi toksike. Pra, në një farë mënyrë edhe humbja e kohës, sepse për mua është njëkohësisht humbje jete.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Si person, im shoq. Falë Zotit që dashuria ime dhe burri im janë një. Ndërsa si aktivitet vetjak, natyrisht që të shkruarit, konkretisht poezia.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

E qetë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Ndoshta do hiqja durimin e tepruar, që e përmenda pak më sipër, me do gjë tjetër ndihem mirë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Do të thoja familjen time, por nuk besoj që është vetëm arritje dhe meritë e imja kjo gjë, kështu që e konsideroj arritje marrjen e gradës Doktor i shkencave në letërsi. Për mua është arritje e madhe, që pavarësisht sakrificave dhe vështirësive ia kam dalur. 

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Do kisha qëndruar më shumë kohë me tim atë dhe me tim vëlla. Tani që nuk i kam më duket se shumë pak kohë kam jetuar me ta.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Person nuk do doja të isha përderisa jam tani, por do doja të isha pëllumb ose zog mali. Shpirti im brenda kësaj ene që është nuk ngopet me natyrë, ndoshta në atë formë do të mbushej ashtu siç don.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Nuk e di sa e posedoj, por mendoj se është familja ime, gjëja më e shtrenjtë që kam në jetë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Mjerimi më i madh është të mos dish të duash. Të mos dish të japësh shpirtin dhe të jetosh për një shpirt. Prej këtij fakti besoj që rrjedh mjerimi i të gjitha formave dhe përmaseve në botë, sepse jam e bindur, edhe unë si Enstein, se vetëm dashuria mund të na shpëtojë me forcën e saj universale. 

Ku do të dëshironit të jetonit?

S`ka rëndësi se ku, mjafton që të jem mirë unë dhe të dashurit e mi.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

Vendosshmërinë, dijen, sinqeritetin dhe përkushtimin.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

Edukatën, feminilitetin, besnikërinë dhe  pastërtinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Kjo është pyetje e vështirë sepse nuk ndaj dot vetëm një, kështu që do ia lejoj vetes të thyej kufizimin që pyetja më dikton dhe do them dy a tre… Prandaj shkrimtarët ma “të dashtun” për mua janë: M. Camaj, L. Poradeci, A. Tufa, F.Dostojevski, E. Sabato, F.G.Lorka, H. Hesse, etj., etj.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Tek një pyetje mësipër kam thënë që është nëna ime heroina ime, ndaj meqë kjo pyetja tjetër shtrohet në shumës, si heroin tim do shtoja edhe tim atë. Për aq kohë sa ka jetuar ka qenë heroi im dhe vazhdon të jetë edhe tash që nuk është fizikisht i pranishëm. Më ka edukuar, udhëzuar e frymëzuar, më ka shtyrë dhe më ka bërë të eci përpara edhe me mospraninë e tij. Fakti që nuk ka qenë me mua dhe nuk ka përjetuar asgjë nga rritja dhe jeta ime, nuk më ka penguar që ta kem si hero të gjallë brenda vetes sime. Figura e tij me kalimin e kohës ka marrë ngjyrime, jo vetëm emocionale malli, por edhe shenjtërie dhe më ka ndihmuar që të ngrihem edhe kur kam menduar se nuk do mundem më. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë duke menduar që ta bëj atë të ndihet krenar për mua, pavarësisht se a më sheh apo jo nga ajo botë ku ai gjendet tani.  
                          
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Të kënduarit dhe të pikturuarit. Më pëlqen shumë muzika, ka plot këngë që do kisha pasur shumë dëshirë t`i këndoja. Edhe pikturën e dua, ka plot piktorë që ua adhuroj tablotë. Megjithatë mendoj se Zoti është treguar i mirë me mua sepse më ka dhënë poezinë e cila i ka edhe pikturën edhe muzikën brenda saj.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Pa dhimbje, pa bujë. Thjeshtë, ashtu siç është vdekja, një gjë e thjeshtë, normale.  

Cila është motoja juaj?

Në kohë të ndryshme njeriu paska edhe moto apo shprehje të ndryshme që e frymëzojnë. Për shumë kohë kam patur në mendje shprehjen e Mahatma Gandhi- it Jeto sikur ke për të vdekur nesër. Mëso sikur ke për të jetuar përgjithmonë.”  Ndërsa kohët e fundit shprehjen e Maya Angelou-t “Kam mësuar që njerëzit do ta harrojnë atë që ke thënë, njerëzit do ta harrojnë atë që ke bërë, por kurrë nuk do ta harrojnë se si i ke bërë të ndihen.” / ObserverKult