Maria Rosário Pedreira: Petku blu i natës

Maria Rosário Pedreira

Petku blu i natës, poezi nga Maria Rosário Pedreira

Lexo, janë këta emrat e gjërave që le – mua, librat, parfumin tënd shpërhapur nëpër dhomë;
gjysmë ëndrre dhe dyfish dhembje,
puthje gjithandej trupit si prerje të thella që s’ do t’ shërohen kurrë;
dhe librat, mall,
çelësin e një shtëpie që nuk ishte kurrë jona,
një petk nate blu
prej fanellate që e vesh kur bëj këtë listë:

libra, të qeshura që nuk ia dal t’ i vë në rend,
dhe zemërim – një saksi
orkidesh që e doje fort
pa e ditur unë përse dhe, që
ndoshta, për këtë arsye, nuk kthehesh ta ujitësh; dhe libra,
shtrati i pandrequr prej kaq ditësh,

një pusullë në jastëk
e shumë vuajtje,
shumë vetmi;
dhe në një sirtar
dy bileta për një film dashurie që nuk e pe me mua,
dhe të tjerë libra, gjithashtu
edhe një këmishë dalëboje me të cilën fle natën për të qenë pranë teje;

dhe gjithandej libra,
shumë libra,
shumë fjalë që kurrë nuk m’i ke thënë para letrës që shkrove atë mëngjes,
dhe unë,
unë që ende besoj se do të kthehesh, se do kthehesh, qoftë edhe vetëm për librat e tu.

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

CECILIA RESIO: GRA SI UNË…