Mariangela Gualtieri: Ji i ëmbël me mua. Ji i sjellshëm

Ji i ëmbël me mua. Ji i sjellshëm.
E shkurtër është koha që na mbetet. Pastaj
do të jemi shtigje vezulluese.
Dhe ç’nostalgji do ndjejmë
për njerëzoren. Siç tash
kemi për pafundësinë.
Por nuk do t’i kemi më duart. Nuk do të mund
të përkëdhelemi me duart.
Dhe as faqet t’i përçikim
lehtas.
Një nostalgji e të papërsosurës
do të na i fryjë fotonet e shndritshme.
Ji i ëmbël me mua.
Më mbaj me kujdes.
Ki po atë kujdes ndaj kristaleve
me mua e edhe me ty.
Ajo që jemi
është më e çmuar nga vepra e blinduar nëntokës
dhe e shtrenjtë e e brishtë. Jeta, që të jetë,
ka nevojë
për një kurm dhe ti ji i ëmbël
me çdo kurm. Preke lehtë
lehtë mbështete këmbën
dhe ki kujdes
për çdo mekanizëm fluturimi
për çdo flakë e voltazh
e pjekje e rrënjë
e rrjedhje uji e shkrepje
e çukitje e mbyllje apo
zbehje gjethesh
deri në dukurinë
e lulëzimit
deri në llokmën e mishit mbi tryezë
që është kurmi i ngrënshëm
për dëshirimin tim të të qenit këtu.
Falenderojmë. Herëdokur.
Qoftë i paqtë ky të qenët tonë –
ky të qenë kurme të zgjedhur
për ngërthimin e shokëve
të dashurisë. në libra.

Përktheu: Elvana Zaimi