Poezi nga Marsela Neni
Kryeqytetit natën eci me duar
këmbët më kalamburen në qiej
sy ciklopësh, hije përbindëshash
mbi sheshin si lugë e përmbysur
kullën e sahatit një katallan
e ka zënë për gryke
nën këmbët e shtatores së Skënderbeut
lahuta nderur në litarët e territ
nuk bien telat
veç ndonjë ere prej perëndimit
ia përvlon ndonjë çast krelat
e masandaj heshtje e përdhunuar
nga zhurma shitësish ambulantë
matrapazësh, bixhozçinjsh
dhe një dufmë hashashi
mes vrapimesh fëmijësh…
Mbrëmja pezull më rri në sy
vras një çast
dhe shtirem përpara një blici
muzgun e një bote të huaj
ha me shuka, pi me eks
dhe marr rrugën e kthimit.
Erdha, por nuk të gjeta, Tiranë.
ObserverKult
Lexo edhe:
MARSELA NENI: NËNA IME KISHTE DHJETË DUAR
ObserverKult