Martin Camaj: E kërkova kudo…

martin camaj deshta
Martin Camaj

Qysh se e humba sysh, e kërkova pa nxitje kudo ngapak, tue i lanë shteg edhe rastit të ndeshemi papritmas të dy tue ecë pa udhë në ndonjë lak mali, ose fushoreve bri lumejve. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, kur njeriu të tëhujet dita-ditës edhe prej farefisit. Qet atëherë në harresë shllime e ndjesi mbi punë e sende që i kish për zemër, mun i dalin andje edhe veset e hershme; e jo ma se po përpushet se u zhduk një breshkë prej faqes së dheut!
Atëherë kur e pata ndeshë së pari, isha i unshëm e sy-kuq si zjarmi që flakron në murrla. Për çdo krismë mbi rrugë, çoja veshët nalt si egërsinë mali. Era më merrte me vete, dhe për një za të hollë, që klithi si me e pasë therë gjarpni në gji, kisha lanë mbrapa, kambë, dhena mbas dhenash.
Ikën mote. Një ditë ndëgjova befas mbi katundin arbnor një fishkëllimë fryme ndër shkurre e gjineshtra: ndër fletëza e në çdo bishtajzë tringëllonte një shpirt i thamë. Mbrendë, ndër rranjë të ngërthyeme sa llana e krahut, zbulova ashtin e Dranjes.
E këqyra dhe e kqyra, ngathshëm. Mirë, thash, se e gjeta; po si ta libroj unë fatin tim, pa hekur, prej vargojve të kalesës?

*Titulli i origjinalit: Qindresa

*Shkëputur nga libri i Martin Camajt: “Dranja”

Përgatiti: ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

Martin Camaj: Deshta nji vashë