Martin Camaj: Kishte ardhë për mik

martin ca

Kishte ardhë për mik nji njeri i hajshëm
e i zbetë si letra.
Thoshin se ai me dorë të vet kishte vrá
tre vetë e tash âsht pendue.

E më kujtohet si djè
qeleshja e tij e bardhë,
nji sumbull e kuqe në kraholin e zí
e sjellja e përvujtë e ndeja e tij në shkam
pranë votre para nji tryeze të vogël:
nji të katërt bukë misri e ‘i grusht krypë
kishte përpara – simbas dëshirës së tij.
“Gjinoj e mbaj çdo ditë – tha ai –
pse fajet e mija janë tri thika
sa tri maje malesh kërcnuese
kah qiella e Zotit!”

Kojet e bukës krisshin nën dhambët e njeriut
që përtypte trishtueshëm, njerzishëm
e me shije.