Një studim 37-faqësh me dosje të ish-Sigurimit të Shtetit dhe CIA-s sivjet ka ndezur keq opinionin rreth profilit të intelektualit dhe studiuesit Martin Camaj. Autori Auron Tare e kishte publikuar studimin si kundërpërgjigje ndaj asaj që e kishte quajtur promovim dhe lartësim i “miteve të rreme” nga ana e institucioneve kulturore në Kosovë e Shqipëri.
Por me një tryezë kushtuar 95-vjetorit të lindjes së shkrimtarit nga Temali, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri po synon të risjellë dimensionin e plotë të Camajt.
Sipas organizatorëve, tryeza e cila do të mbahet të premten do t’i bëjë bashkë të gjithë zërat që mund të thonë diçka për personalitetin e intelektualit të ndaluar.
“Në tryezë do të jenë të pranishëm familja Camaj, bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në Gjermani, si dhe përfaqësues nga katedra e albanologjisë në Mynih”, ka bërë të ditur Ardita Repishti, drejtoreshë në Drejtorinë e Mbështetjes Shkencore dhe Edukimit Qytetar pranë Autoritetit të Informimit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Në mesin e prurjeve në këtë tryezë do të jenë edhe informacionet nga Autoriteti Gjerman i Hapjes së Dosjeve. Me përvojën gjermane rreth trajtimit të së kaluarës, Autoriteti për Informim po synon që të sjellë një qasje të re.
“Institucioni homolog gjerman, në të cilin Autoriteti ka bërë kërkesë për informacion për figurën e albanologut, do të vijë me një kontribut të vetin në tryezë”, ka treguar Repishti.
Ajo ka theksuar se tryeza e së premtes do të jetë përpjekje për të ndriçuar të kaluarën dhe për të kuptuar të gjithë dinamikën e saj.
“Dosjet e Sigurimit të Shtetit janë krijuar nga makineria e shtypjes sipas një qëllimi të caktuar”, ka shtuar Repishti, transmeton ‘koha.net’.