Maya Angelou: Zog i mbyllur në kafaz

Një zog i lirë kërcen
në shpinën e erës
dhe pluskon në drejtim të rrjedhës
deri në fund të rrymës.
kredh krahun e tij
në rrezet e diellit portokalli
dhe guxon të kërkojë qiellin.

Por një zog që kapardiset
poshtë kafazit të tij të ngushtë
rrallë është në gjendje të shohë përmes
shufrave të tij të tërbimit:
të tijët krahë janë të këputur dhe
të tijat këmbë janë të lidhura
kështu, ai hap lëfytin të këndojë.

Zogu i mbyllur në kafaz këndon
me një shakullinë të frikshme
mbi ca gjëra të panjohura
por i malluar për to prore
dhe melodia e tij dëgjohet
në kodrën e largët
kjo, sepse zogu i mbyllur në kafaz
i këndon lirisë.

Zogu i lirë vret mendje për një puhi tjetër
dhe për erërat që lundrojnë aq butë nëpër pemët që psherëtijnë
dhe për krimbat e dhjamosur që presin në një lëndinë të ndritshme agimi
dhe ai e llogarit qiellin të tijin.

Porse zogu i mbyllur në kafaz qëndron në varrin e ëndrrave
hija e tij bërtet në një sokëllimë të frikshme
të tijët krahë janë të këputur dhe të tijat këmbë janë të lidhura
kështu, ai hap lëfytin e tij të këndojë.

Zogu i mbyllur në kafaz këndon
me një shakullinë të frikshme
mbi ca gjëra të panjohura
por i malluar për to prore
dhe melodia e tij dëgjohet
në kodrën e largët
kjo, sepse zogu i mbyllur në kafaz
i këndon lirisë.
i këndon lirisë.

Në shqip: Agron Islami

ObserverKult


Lexo edhe:

MAYA ANGELOU I SHKRUAN VAJZËS QË NUK E PATI KURRË

Nga Maya Angelou

“Mbase nuk mund të kontrollosh gjithçka që të ndodh, por është në dorën tënde që jeta jote të mos vendoset prej tyre.
Mundohu të bëhesh ylber mbi renë e dikujt. Mos u anko!

Bëj çdo përpjekje që të ndryshosh gjërat që nuk të pëlqejnë. Nëse nuk mund t’i ndryshosh, ndrysho këndvështrimin për gjërat. Mbase mund të gjesh një zgjidhje alternative.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult