Mbi udhëtimin europian të një romani bashkëkohor shqiptar “Secili përkthehet simbas mënyrës së vet”

Nga Andreas Dushi

Cikli romanesk në tre vëllime, me titull “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, vëllimi i parë i të cilit u botua në fund të vitit 2016, nga “Botime Fishta” dhe që vijoi me vëllimin e dytë më 2017 dhe të tretin më 2019, përvec një receptimi shumë të mirë publik në botën shqiptare nisi rrugën e vet të meritueshme nëpër Europë, duke u përkthyer deri më tani në shtatë gjuhë të huaja.

Vëllimi i parë i romanit madje u shqyrtua edhe nga juria e çmimeve kombëtare më 2017, të cilët nuk e përfshinë as në listën e dhjetë librave më të mirë të vitit.

Por letërsia është një garë maratone dhe jo njëqind metrash. Fiton kush reziston më shumë dhe jo ai që fugon më shpejt.

Duke marrë shkas nga ky roman, në “Historinë e letërsisë europiane” botuar vjet në Paris nga Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor (CNRS) shkruhet se: ““Oraliteti, si dhe hibridizimi i zhanreve letrare e i arteve, që ky kërkon dhe ia paraqet publikut, është gjithkund, absolutisht gjithkund, marka e krijimit të sotem. “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, ky është titulli qe më 2016 i jep triptikut të vet romancieri shqiptar Stefan Çapaliku. Dhe çmenduria sot perhapet te shkrimtarët, të cilët ngjiten në skenë dhe rikthejnë traditën mijëravjeçare të bakanteve, të rapsodit, të bardit, të trubadurit, të DJ-t, nëpërmes slamit, repit apo hip-hopit. (Lettres europennes, CNRS Editions. Pg.1004. Paris, 2021)

Në vitin 2018 vëllimi i parë i këtij cikli njohu dy botimet e para në gjuhë të huaja: në frëngjisht: “Chacun s’affole à sa manière” përkthyer mjeshtërisht nga Ardian Marashi dhe botuar në versionin dygjuhësh nga shtëpia botuese “Meet”, Paris, 2018. Po kështu kemi edhe botimin në serbisht “Svako poludi na svoj nacin” nga shtëpia botuese “Clio”, përkthyer prej mjeshtrit Danillo Brajovic. Beograde, 2018.

Në vitin 2019 romani botohet në Itali dhe Maqedoninë e Veriut. Në italisht përkthehet prej shkrimtarit Durim Taci: Ognuno impazzisce a modo suo. Lubrina Bramani Editore, Milano. Kurse në maqedonisht vepra do përkthehet nga Jordana Shemko, “Sekoj poluduva na svoj nacin”, Ars lamina, e cila për momentin është në procesin e përkthimit edhe të vëllimit të dytë.

Për sa i takon rastit të përkthimit në italisht, autori, gjatë një bisede ekskluzive me të, shprehet se: “Kur më erdhën kopjet e librit nga Italia, përveçse në Bibliotekën Kombëtare, ku kam kujdes të veçantë që të mos mungojë asnjë titull i imi, vendosa t’i çoj një kopje edhe Ministres së Kulturës, Italianofile mendova me vete, mandej këso ngjarjesh nuk ndodhin përditë, po ia çoj. Dhe hapa librin, i shkrova një autograf si një autor i lumtur, futa në mes një kartëvizitë timen, dhe pastaj të gjithën në një zarf të mbyllur, makinës dhe menjëherë te selia e ministrisë. U bënë më shumë se dy vite dhe që prej asaj kohe nuk kam as edhe një sms me tre germa “flm”.”  

Dhe ndërkohë që ndodhte kjo ngjarje dy ministri kulture të vendeve fqinje, si ajo e Maqedonisë së Veriut dhe si ajo e Malit të Zi, financonin botimin e këtij libri në vendet përkatëse.

Në Malin e Zi libri botohet në gjuhën malaziase, sërish me përkthimin e Danillo Brajovic, (i cili tashmë ka përkthyer edhe dy vëllimet e tjera), nga shtëpia më e madhe botuese e vendit, “Nova Knjiga”.

Këtë vit, më 2022, me përkthimin e profesoreshë Russana Beyleri, libri u botua nga shtëpia botuese “Ergo” në gjuhën bullgare në Sofie, “Vseki poludjava po svoj nacin” si dhe në gjuhën gjermane “Jeder wird verruckt auf seine Art”.

Në gjermanisht libri u botua nga “Transit verlag” me qendër në Berlin, me përkthimin brilant të albanologes së shquar Zuzana Finger. Libri do prezantohet më së pari në Panairin e Lejpcigut, si dhe me datë 17 Mars në mjediset e shoqatës së librashitësve gjermanë (Buchhändlerkeller, carmerstr. 1 ne Berlin-charlottenburg), në prani të mediave të shumta.

Që tani kanë filluar komentet tepër pozitive të shtypit gjerman, nga të cilët po përzgjedhim çfarë shkruan revista “LifePR”: “Me ndihmën e figurave të vizatuara hollësisht dhe një stili shpesh ironiko sarkastik, autori jep gjithashtu një studim brilant të situatës politike dhe të një strukture familjare arkaike, e cila mbetet e paprekur nga kufizimet politike që vijnë nga jashtë”. (LifePR, Bon, 03 shkurt 2022).

Për momentin libri po përkthehet edhe në gjuhën hungareze dhe atë greke./exlibris.al


Lexo edhe:

RRËFIMI I DRAMATURGUT, STEFAN ÇAPALIKU, PËR SERAFIN FRANKON