Ndodhi e rrallë: Ky është mbreti që la fronin për dashurinë

Një krizë kushtetuese shumë më shumë sesa një krizë e thjeshtë mbretërore apo familjare, që çoi në abdikimin e një mbreti, ndarjen e dy vëllezërve dhe një dëbimi përjetë nga vendi. Një krizë që përfshiu thuajse 80 vjet më parë familjen mbretërore, qeverinë britanike, politikanët dhe mediat mbarë botërore.

Wallis Simpson është gruaja që kërcënoi mbretërinë britanike, që prej janarit të vitit 1931, vit kur u takua për herë të parë me Eduard, në atë kohë princin e Uales, duke u shndërruar nga ajo ditë në të dashurën e tij për 3 vjet.

Një dashuri që kaloi çdo limit, një fiksim i Eduard, që prej janarit të 1936 ishte zyrtarisht mbreti Eduard VIII. Synimi i gruas nga Pensilvania ishte të rritej në shoqëri, pa e menduar aspak që një ditë do të kërkonte titullin “dukeshë” e aq më shumë mbretëreshë, por Wallis ishte gruaja që bëri një mbret të abdikojë, në një histori që ka mahnitur publikun për thuajse 8 dekada.

Gruaja që kurrë nuk u bë mbretëreshë, së paku mbahet mend për historinë e saj të dashurisë, mbushur me romanticitet por kjo vetëm në vitet e para të lidhjes me princin. Shumë e kanë përshkruar si gruaja që ndryshoi monarkinë- nëqoftëse jo monarkinë, e sigurtë është që ndryshoi historinë e saj.

Deri para vitit 2002, Kisha e Anglisë nuk lejonte asnjë martesë të anëtarëve të familjes mbretërore, me të divorcuar më parë dhe Wallis ishte martuar e divorcuar 2 herë, në 11 vjet. Madje divorci i dytë me Ernest Simpson u finalizua vetëm 1 muaj përpara se ajo të martohej me mbretin.

Kushtetueshmërisht, asgjë nuk e ndalonte mbretin të martohej me Wallis por Eduard e kuptoi se kriza që do të shkaktonte, do të ishte pa kthim, duke nisur nga dorëheqja e qeverisë.

Në nëntor të 1936, ai i kërkoi kryeministrit që të mund të martohej me Wallis, ai të ishte mbret por ajo të quhej vetëm gruaja e mbretit dhe jo mbretëresha. Kërkesa u refuzua. Javë më vonë, mbreti 42 vjeç mori vendimin që do ndryshonte jetën e tij dhe jo vetëm: ai do të abdikonte nga froni në emër të dashurisë për Wallis, e cila në atë kohë ishte 40-vjeçe dhe ende e martuar.

Më 11 dhjetor 1936, pas më pak se një viti në fron, Eduardi VIII iu adresua kombit me një fjalim të transmetuar në radio ku njoftonte abdikimin duke ia kaluar fronin të vëllait George, për t’u martuar i lirë me gruan që dashuronte.

“Pak orë më parë kreva detyrën time të fundit si mbret dhe perandor dhe tani që do të pasohem në detyrë nga vëllai im, Duka i York, fjalët e mia të para janë shpallja e aleancës me të. E bëj këtë me gjithë zemër.

Ju të gjithë i dini arsyet që kam, për të hequr dorë nga froni por dua që të gjithë ju të mirëkuptoni se unë nuk e kam harruar vendin, as mbretërinë, që si Princi i Uales dhe së fundmi si mbret, jam përpjekur t’i shërbej për 25 vjet. Por duhet të më besoni kur ju them se e kam të pamundur të mbaj peshën e përgjegjësisë dhe detyrës sime si mbret pasi nuk dua ta bëj këtë gjë pa ndihmën dhe mbështetjen e gruas që dashuroj.

Dua që të dini se vendimi që kam marrë është i imi dhe vetëm i imi. Ky është vendimi që e kam marrë vetëm unë. Ky vendim u bë më i lehtë duke e ditur se vëllai im, me trajnimin e gjatë në punët publike të këtij vendi dhe cilësitë e tij të jashtëzakonshme, do të jetë i aftë të zërë vendin tim dhe të çojë përpara mbretërinë, tani unë heq dorë nga punët e mia publike dhe ju keni një mbret të ri”, deklaroi ai.

Deri më 2 dhjetor, askush nuk dinte gjë për këtë lidhje, madje asnjë anëtar i vetë familjes mbretërore. Vetë populli u nda, siç ndodhi më vonë me princeshë Dianën apo me Kamilën, shumë e adhuronin, të tjerë e ngacmonin dhe mallkonin.

Ajo u mundua ta ndalonte të dashurin e saj, duke u tërhequr por ishte Eduard ai që nuk ndahej dot prej saj. Kjo ishte kriza më e madhe për vendin, me qeverinë britanike, publikun dhe Kishën e Anglisë që e dënuan vendimin e monarkut 42-vjeçar.

Që prej takimit të parë me të, Wallis Simpson shfrytëzoi çdo rast e mundësi, për t’u ritakuar e për t’u miqësuar me të.

Ai u mahnit pas gruas, që ende sot, konsiderohet nga revistat prestigjoze të modës si gruaja më moderne ndër dekada, e cila me klasin e saj, pushtoi jo vetëm zemrën e mbretit por edhe të meshkujve në çdo sallë kërcimi e çdo darkë zyrtare e private.

Biografi i saj Andrew Morton thotë se pas takimit të parë, princi vizitonte vazhdimisht shtëpinë e Wallis dhe Ernest në Londër. Ernest e kuptoi interesin e princit për bashkëshorten e tij nisur nga byzylykët e shtrenjtë dhe unazat me diamant që vinin në adresë të saj çdo javë.

Askush nuk e besonte atë që po ndodhte, para se të njihej me të, Eduard ishte një playboy i famshëm. Më vonë vetë ai shprehej se para saj, nuk kishte gjetur gruan që do të ishte mjaftueshëm për të.

Wallis padyshim nuk ishte e bukur por të gjithë, edhe vetë Eduard, e vlerësonin për karizmën e saj, aftësinë për të dëgjuar çdokënd, ishte mjeshtre e leximit të mendjes, kishte aftësi joshjeje të jashtëzakonshme, aq sa princi u marros pas saj. Pa asnjë mbështetje e pa asnjë familjar, Eduard dhe Wallis u martuan në Francë. Me mbretin George në krye të fronit dhe Elizabetën të projektuar si pasuesen e tij, Eduard dhe Wallis iu gëzuan titullit Duka dhe Dukesha e Uindsor, por ky ishte vetëm fillimi.

Nëna mbretëresha Mary e mohoi të birin- vite më vonë e akuzoi për tradhti. Për dy vjet, Wallis dhe Eduard jetuan në Francë, deri në nisjen e Luftës së Dytë Botërore në 1939. Në këtë periudhë, Duka u emërua guvernator në Bahamas.

Pas lufte u kthyen në Francë dhe kurrë më, sa ishin gjallë, nuk u lejuan të jetojnë në Angli. Biografi i saj ka zbuluar madje se Wallis nuk e ka dashuruar kurrë Eduardin, ajo ishte e dashuruar me pozicionin dhe titullin.

Edhe pse qëndruan të martuar përjetë, me Eduardin po njësoj të dashuruar si ditën e parë, marrëdhënia e tyre u ftoh. Pasi u përjashtuan nga familja mbretërore, me Wallisin që merrte vazhdimisht kërcënime me vdekje si dhe ngacmohej në publik, çifti mbeti shumë shpejt pa para, që për Wallisin ishte e patolerueshme. Kudo u ngrit pyetja: “Pa një atdhe dhe pa punë, a do mjaftojë dashuria për t’i shuar urinë?”

Me synimin për të siguruar një pozicion dhe mbi të gjitha para, Eduard nisi të shfaqej si një simpatizant i naz izmit. Wallis e ndoqi. Në 1937, ata udhëtuan drejt Gjermanisë ku u filmuan në shoqërinë e Hitl erit në Bavari. Por pas këtyre pamjeve, ata nuk u lejuan të udhëtojnë drejt SHBA-ve ndërsa miqtë nisën sulmin ndaj tyre.

Pëlqimi për disa ideologji të Hitl e rit, bëri që çifti të izolohej edhe më shumë në vitet në vijim. Me vitet që kalonin, Wallis i shkruante mikeve të saj, duke shprehur hapur ambiciet e dikurshme për t’u bërë mbretëreshë e duke pranuar se sot shpresoj të shijojë e qetë një pije.

Në vitet ’60, thuajse askush nuk mendonte për ta. Eduardi edhe njëherë i kërkoi mbretëreshës Elizabetë, mbesës së saj, që Wallisit t’i njiheshin titujt mbretërore e ata të ktheheshin në Angli por kërkesa u refuzua dhe pavarësisht të gjithë skandaleve, trupi i Wallis Simpson u varros pranë të shoqit në kështjellën Uindsor. Ai vdiq në vitin 1972 në moshën 77-vjeçare, ajo në vitin 1986 në moshën 89-vjeçare, me vitet e fundit të kaluara vetëm dhe në izolim.

Kohët e fundit historia e Wallis dhe Eduard rikthehet, përmes filmit të dedikuar për ta e përshkruar si “Dashuria e Shekullit” me regji të Madonës apo edhe falë serialit “The Crown” të transmetuar në Netflix.

Por sot, historia e tyre e dashurisë krahasohet me një tjetër dashuri të madhe, atë të Harry dhe Meghan, princit të dashuruar me aktoren e divorcuar amerikane apo me babain e tij, Princin Charles dhe Kamila Parker Boules, duket se kjo është historia e familjes mbretërore britanike./a2news.com


Lexo edhe:

Kush është shqiptari që refuzoi dy herë postin e mbretit të Shqipërisë?