Më mirë të vdisja në hare dhe përmallim se të jetoja në shqetësim dhe dëshpërim

Nga: Khalil Gibran

Unë nuk do t’i këmbeja pikëllimet e zemrës sime
Për gëzimet e shumëkujt.
Unë nuk do të doja që lotët të cilët trishtimi i bën
Të shpërthejnë nga çdo qelizë të shndërroheshin në qeshje.

Unë do të doja që jeta ime të mbetet një lot dhe një buzëqeshje.

Një lot për ta kulluar zemrën time dhe për të më dhënë
Sekretet e jetës dhe gjërat e fshehura.
Një buzëqeshje për të më çuar pranë bijve të sërës ime dhe
Për të qenë një simbol i lavdërimit nga perënditë.

Një lot për të më bashkuar mua me zemërthyerit;
Një lot për të qenë një shenjë e gëzimit tim për ekzistencën.

Unë do të doja më mirë të vdisja në hare dhe përmallim se të jetoja në Shqetësim dhe dëshpërim.

Unë dua që uria për dashuri dhe bukuri të jetë në
Thellësitë e shpirtit tim, sepse unë kam parë të pasurit të vuajnë më shumë se të tjerët
Dhe të jenë më pranë gjërave materiale.
Unë kam dëgjuar psherëtimin e atyre që janë në hare dhe Përmallim, dhe është më e ëmbël se më e ëmbëla melodi.

Me ardhjen e mbrëmjes lulja i palos petalet e saj
Dhe fle, duke ngushur përmallimin.
Me ardhjen e mëngjesit ajo hap buzët e saj për të marrë
Puthjen e diellit.

Jeta e një luleje është përmallim dhe përmbushje.
Një lot dhe një buzëqeshje.

Ujërat e detit bëhen avull dhe ngjiten dhe bashkohen
E shndërrohen në re.

Dhe reja fluturon mbi kodrat e luginat
Derisa takon flladin bujar, pastaj bie në formë lotësh
Në fushat dhe bashkohet me përrenjtë e lumenjtë për t’u Kthyer në det, në shtëpinë e saj.

Jeta e reve është takim dhe ndarje.
Një lot dhe një buzëqeshje.

Dhe kështu shpirti ndahet nga shpirti
Hyjnor dhe bie në botën e materies
Dhe kalon si re mbi malet e pikëllimit
Dhe fushat e gëzimit, takon flladin e vdekjes
Dhe kthehet atje ku ishte më parë.

Tek oqeni i Dashurisë, tek Bukuria – dhe tek Zoti.

Përktheu: Skënder Buçpapaj

*Titulli i origjinalit:”Një lot dhe një buzëqeshje”