Mehmet Elezi: Liria qe më e bukur si ëndërr

poezi hajk –

Nga Mehmet Elezi

1.
Liria e porsaardhur u këqyr në pasqyrë
S’e njohu veten:
Më çoni në çmendinë!

2.
Në tregun ilegal të prostitutave
Çmimin më të kripur
Liria e ka

3.
Kjo verë me liri zgjedhjesh
Për të zgjedhur
Dimrin

4.
Të gjithë ecim
Vetëm mbërritja,
Ka mbetur te nisja

5.
Qoftëlargu kur s’ka punë, tredh koqet e veta
I gjetëm punë
Po i tredh tonat

6.
Sa më shumë vrapon me diellin mbas shpine
Aq më fort e shkel
Hijen tënde

7.
Nga ç’anë e natës doli ky përbindësh?
Atdheut i vari në qafë një gur varri
Dhe e shaloi

8.
E ardhmja?
Sa lehtë me e shitë
Sa vështirë me e ble!

9.
I urituri mjaftohet me një copë bukë
Nuk gëlltit
Copa të atdheut

9.
Biseda me prezervativë
Në ekrane
Që prostituojnë

10.
Gjithçka pa doganë në këtë port
Veç lirisë
Ajo ka doganë gjaku

11.
Flutura e nis krimb, e mbyll flutur
Njeriu e nis engjëll
Pse shpesh e mbyll djall?

12.
I lirë
U rrek me e thithë krejt ajrin për vete
I kopi mushkëria

13.
U shtuan kaq shpejt të pasurit
Varfëria u dëbua
Në hapësirat e shpirtit

14.
Për fushatë udhëheqësit
Te pazari i leshit zbritën
Konkurencë e ndershme leshi

15.
Ata pa varre, ata me varre
Brezat e humbur
Njësoj të humbur

16.
Ikën të trishtuar zogjtë
Syri i tyre sa një syth i blertë
Një lot sa oqeani mund të derdhë

17.
Era përgjak bërrylat
Në muret
E fshehta

19.
Prej padurimit
Me e shijue Lirinë
E përdhunoi

20.
Në Kosovë liria pi ujë gurre
Në këmbë i ka ende
Këpucët e luftës

21.
Edip orëlig, zezan i zi
Ther me thikë tënd atë, shtrin në shtrat tënd amë
Mbret nuk bëhesh dot

22.
Mure në banka, në ekrane, në rrezen e dritës
Në globin e lotit
Të fëmijës

23.
I lumi e i mjeri i ndershmi
Natën fle si ëngjëll
Ditën e këqyrin si shtrigan

24.
Në lotët e ngrirë të lumenjve
Flakëzat
E luleve të thanës

25.
Ndërmjet të shtunës së shkuar e të hënës që vjen
Fytyra e së dielës
Udhëkryq i bardhë

26.
Epidemi covid 19
Epidemi korrupsioni, lirie
Ikja nga Atdheu – epidemi gjaku

27.
Tha Sokrati: i ndershmi, prore fëmijë
Ç’mallkim për racën njerëzore
Politika s’ka vend për fëmijët

28.
Këto hapësira pa fund
Për kë i krijove, o Zot?
Për jetën pa fund mjafton një arkë dhé

29.
Doli nga portreti, rroi mjekrën
Do të jem thjesht Gjergj
U ngi Tirana me mjekra Skënderbeu

30.
Liria qe më e bukur si ëndërr
Ti je më e bukur
Se në ëndërr

ObserverKult


Lexo edhe:

MEHMET ELEZI: RIKTHIMI TE DASHURIA E PARË

“KAPELJA”, TREGIM NGA MEHMET ELEZI