Mërgim Bekteshi: I mbijetuari i Tivarit

Mërgim Bekteshi

Nga Mërgim Bekteshi

Në mars të vitit 2016, në 35-vjetorin e një date shumë të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës, demonstratat studentore që u përgjakën nga thundra e pushtetit jugosllav, Bajram Sh., luftëtar dhe mbijetues i golgotës së Tivarit, sodiste me kujtimet e së kaluarës. I rënduar nga pleqëria dhe sëmundja, Bajrami qëndronte në dyshekun e tij me të cilin i ndante ditët e netët, nuk lëvizte dot, dhjetë vjet më parë kishte një kujtesë më të fortë, tregonte ngjarjet e asaj dite të kobshme, por disa hollësi që kishte treguar në rininë e tij, pas viteve të 1980-ta më nuk i përmendte, ishin tretur ato kujtime që kishte kaluar në qytetin e shkodranëve, këto detaje intime dhe shumë të lidhura me privatësinë e tij, dëshironte që tani t’i merrte me vete.

Pas shpëtimit, në Shqipëri kishte gjetur shërimin, rilindjen. E kishin gjetur në Tivar, e kishin bartur disa njerëz të cilët, pasi e kishin vërejtur se kishte shenja jete, kishin vendosur t’ia jepnin ndihmën e parë e ta transportonin me një lese larg nga vendi i tmerrit. Shpesh fliste përçart, tmerri i përjetuar i kishte krijuar ankth që shpesh shndërrohej në një nervozë të tejskajshme. Vetëdija e tij, shpirti në atë trup gati të balsamosur, shpuar tej e përtej nga plumbat e mitralozave. Një vrimë tetë centimetra e thellë e tre e gjerë si gropë shpelle përshkonte trupin e tij.

Një fqinj i tij tregonte se zorrët dikush ia kishte mbledhur me duar sikur të paketonte ndonjë mall të shpërndarë, për ta kthyer në vendin e vet, prandaj shumëkush e kishte menduar për të vdekur. Këto hollësi Bajrami nuk i mbante mend, por edhe momenti i pushkatimit të një numri të madh shqiptarësh ishte shumë i mjegullt në kujtesën e tij. Edhe kur ishte i ri, disa herë kujtimet i ngatërroheshin, por me saktësi i kujtohej kur shpirti i ishte rikthyer.

Gruaja e tij, e cila po ashtu vuante nga sëmundja, e bërë dyfish nga dhembjet e boshtit kurrizor, ia jepte ilaçet dhe një gotë me ujë të pusit, dhe e ndiqte me kureshtje se a do ta kapërdinte ampulën e shtypjes së gjakut. “Di mos me i marrë kokrrat e besa edhe i gjuen mas dyshekut” thoshte gruaja e tij. Përkundër vështirësive që ajo ndiente nga sëmundjet e veta, i rrinte besnike pranë kokës, “Ka hek shumë ky Bajram, njëqind shpirta i kish pas”.

I mbijetuari i pranverës së vitit 1945 kishte qenë në mes moshës 16 dhe 17 vjeç, kur ishte marrë me dhunë për t’u dërguar drejt një fronti të panjohur, që do të bëhej skëterrë për tërë jetën e tij. Thuhej se në mungesë të vëllait të tij më të madh që kishte dalë kaçak në male, ishte marrë ai si peng, regjimi jugosllav nuk kursente askënd. Tani Bajrami rrinte dhe mendonte për të kaluarën, dukej se e kishte pushtuar një ndjesi; çfarë do të kishte qenë më e lehtë: të kishte mbetur i vrarë në atë kohë me pjesëmarrësit e tjerë, apo kjo pjesa tjetër e jetës mbi shtatë dekada, që e mbante mbi supe si skëterrë, që ishte bërë makth edhe për gruan e tij.

Regjimi djallëzor jugosllav, pasi kishte goditur me plumba mitralozi atë dhe mbi katërmijë shqiptarë të tjerë, për të mbijetuarit kishte zgjatur dorën e “mëshirës”. Kur ishte kthyer në vendlindje pas shërimit në Shkodër, pushteti për çudi e kishte dekoruar dhe sistemuar në një vend punë. Por, kjo ishte çudia më e vogël! Ai u bë anëtar i devotshëm i Partisë Komuniste, flakë qiste nga goja nëpër mbledhje për jugosllavët e Jugosllavinë. Magjia e pushtetit ishte shumë e mrekullueshme, ngjizej sikur spermatozoidi në vezën e shëndetshme dhe kjo sëmundje shpirtërore e përcolli deri sa iku përtej në amshim.

Pjesëmarrësi i bërë batare rrinte i heshtur, pak fliste nga dhembjet që kishte nga sëmundja, gruaja e tij e rënduar nga pleqëria mundohej të kujdesej për të dhe mysafirët. Për çudi, axha Bajram nuk rënkonte, kishte shpëtuar nga vdekja dhe sëmundja, në shikim të parë, pak i bënte përshtypje. Mbrapa i mbetej vetëm e kaluara që i kishte shkaktuar vetëm dëshpërim, sëmundje, depresion dhe shumë ankthe të tjera që e shoqëronin jo vetëm gjatë gjumit, por edhe në pikë të ditës. Thuhet diku se një shoqëri që nuk ndien ankthin, vdekjen pak mund ta mendonte. Bajrami jetonte me këtë ankth për dekada, i ishte bërë kronike, si diçka e ngjitur brenda organizmit.

Shpesh kotej me ndjenjën se fati e kishte mëshiruar kur e kishin marrë natën. Ishte me një palë opinga të bëra me dorë nga lëkura e ndonjë kafshe shtëpiake, zhgunin dhe plisin e bardhë që do t’ia përdhosnin gjatë rrugës diku në Prizren, do ta linin kryeshtruar, e kishte ndier se dinjiteti po i përdhosej. Rruga plot baltë dhe shpesh ndonjë kamxhik shpinës a fytyrës nga drejtuesit e turmës që ngjanin me skllavopronarët e Mesjetës, i kishin ngjallur mendime se ferri nuk mund të ishte ndryshe. Atyre u mungonin vetëm brirët në kokë dhe sfurqet e kuqe në duar.

Për disa momente, mendja e tij u kthye në botën reale duke menduar për familjen, për dashurinë fliste më pak, për ndonjë simpati të fjetur në kohën e adoleshencës. Shmangej me lehtësi kur e pyesja për dashurinë dhe vajzat e asaj kohe, fjalët i mbante me fanatizëm të fshehtë për të mos treguar ndonjë ngjarje, edhe pse në sytë e tij shkëlqenin gaca zjarrmie. “Bacit folim për temën që ke ardh” thoshte dhe ngadalë lëvizte cigaren nga njëra dorë në tjetrën me plot drithërima.

Më shumë kishte pasur fuqi kur kishte disa plumba në trup, kur organet e tij trupore dikush i kishte bërë bashkë për ta dërguar për shërim diku në Shkodër, për ta shpëtuar nga ajo pranverë e tmerrit, që kishte ujitur tokën e Tivarit me gjak shqiptari, se sa tash kur nuk i dallonte medikamentet dhe hezitonte t’i merrte me kohë.

Axha Bajram më tha se vite më parë dikush kishte marrë shënime nga ai për ngjarjen e frikshme për të cilën ai kishte gjithmonë kujtimet e freskëta. Ishte e vështirë ta shihje në një gjendje të rëndë një të mbijetuar nga Masakra e Tivarit, por më e tmerrshme është se përse një gjenocid që njihej me fakte, i ditur botërisht, nuk kishte pasur kurrë fatin e një ndjekje penale përpos që kishte mbetur shkruar nga disa historianë?! Në popull njihet një thënie: Çfarë bën i forti çuditet i ligu, apo thënia e një filozofi të Evropës, Hobbsit, i cili thotë se kufijtë e së drejtës i vendos forca, dhe forca e madhe jugosllave përmbyste popujt josllavë. Këtë e pranonte në heshtje axha Bajram, sikur viktima që është e pafuqishme të ndëshkojë agresorin, por dhunën e mbart në shpirtin e vet dhe ikën bashkë me të.

Derisa shtetet e tjera edhe pas një shekulli kërkojnë përgjegjësinë për të vrarët nga vrasjet më mizore që kanë ndodhur, kjo pjesë e historisë është kaluar në heshtje. Në heshtje janë duke kaluar edhe mizoritë e fundshekullit nga po të njëjtët autorë të krimit.
Jo shumë muaj pas vizitës që i bëra, Bajram Sh., iku në amshim, pushoi së rrahuri zemra e tij e bashkë me të edhe vuajtjet e tij që pranoi t’i rrëfente me çiltërsi, pleqëria, sëmundja dhe plagët në trup e kishin bërë edhe të vogël në raport me objektet që gjendeshin përreth tij.

ObserverKult


Lexo edhe:

MËRGIM BEKTESHI: REFLEKTIM I NATYRALIZMIT NË POEZI

MËRGIM BEKTESHI: MË MERR NË PËRQAFIMIN TËND

MËRGIM BEKTESHI: MALLKIM

MËRGIM BEKTESHI: NJË LIRIKË PREMTUESE

MËRGIM BEKTESHI: PËR DASHURINË

MËRGIM BEKTESHI: EPISTEMOLOGJIA E BURGUT