Mërgim Bekteshi: Reflektim i natyralizmit në poezi

Mërgim Bekteshi

Nga: Mërgim Bekteshi

Në qershor të vitit 2020, Shtëpia Botuese “Meshari”, me redaktor Abdullah Troshupën, nxori nga shtypi librin me autor Shqipërim Qeriqi, të titulluar Mbi çdo flijim erdhi liria, libër me poezi kryesisht me tema të ndryshme jetësore, mbi të cilat ka bërë një rrugëtim poeti. Shqipërim Qeriqi është studiues i gjuhës dhe letërsisë Shqipe, ndërsa ky libër është i pari i tij, një përmbledhje e poezive, sfidë dhe përgjegjësi e tij.

Karakteri studimor i poezive të tij është i mbështetur në parimet e krijimit të poezive, duke i qëndruar besnik strukturës përbërëse poetike, por kemi edhe poezi të tjera që janë më të lira nga rregullat. Në këtë pikë, poeti dëshiron të jetë më i lirë të sfidojë ndjenjën parimore të vargëzimit e të metrikës apo kompozicionin tjetër për t’i dhënë poezisë një strukturë më ndryshe. Por, mbi të gjitha, shumica nga poezitë e tij i kanë qëndruar besnik strukturës organizative të rimës dhe metrikës.

Libri Mbi çdo flijim erdhi liria është i ndarë në pesë tufa apo cikle që përcaktojnë temat dhe motivet e autorit, kryesisht tema që autori i vë në spikamë: të natyrave sociale, të çastit, kujtime të hershme apo vargëzime me emocione të natyrës. Por, mbi të gjitha, tema e përzemërt e autorit është atdheu, flijimi sublim i të dashurve të atdheut, kombi i nëpërkëmbur dhe shpesh ofshama e thellë kur plandoset liria.

Në ndarjen e parë “Fëmijët janë lule”, kemi vështrimin e autorit për përvojën e tij prej mësimdhënësi. Janë poezi për fëmijët, imagjinatën e tyre, rrjedhën e dialogut të tyre me shkollën, diturinë, qershorin, muajin e të vegjëlve, dembelin si dhe këshillën që fëmijët të jenë të zëshëm në jetësimin e ëndrrave.

Ndarja e dytë “Mbi çdo flijim erdhi liria” është tematika e përzemërt e autorit, poezi të përmbledhura kryesisht me motive për atdheun, heronjtë. Poezia e parë fillon me “Na kujtoni për çdo lindje dielli”, ku autori vë në përgjegjësinë e qytetarëve për kujdesin që duhet pasur për të dashurit e atdheut, pikërisht kur porosia vjen nga vetë të flijuarit. Në këtë ndarje kemi edhe poezitë të tjera që shprehin lavdinë e të rënëve, ku autori bashkëndien me plagët e atdheut, ngjyrat e poezive shpërfaqin stoicizmin e lartë duke ruajtur parimin e lartë të atdhedashurisë, që është atdheu mbi të gjitha.

Në tri ndarjet e tjera, autori vë në simbolikë çështjet e tjera sociale, perceptimet më empirike, mallin për vendlindjen, bukuritë e vendit dhe urrejtjen e mundur me dashuri. Këto titullime brenda vetes ngërthejnë mallin për vendlindjen, mungesën e të dashurve të cilët ikën në amshim dhe poezi të tjera kryesisht me personifikime të akumuluara nga angështia. Shqipërim Qeriqi me këtë libër të botuar ka hapur një korridor të sigurt drejt pasqyrime të natyrshme, duke krijuar një vertebër realiste plot mall dhe dashuri ndaj atdheut.

(Shkëputur nga libri ‘’Shkrime për drejtësinë dhe letërsinë’’)

ObserverKult


Lexo edhe:

MËRGIM BEKTESHI: MË MERR NË PËRQAFIMIN TËND

MËRGIM BEKTESHI: MALLKIM